PriFest në ekzil, festivali i filmit vjen në Tiranë

Mar 23, 2015 | 18:09
SHPËRNDAJE

Pas 6 edicionesh, një nga festivalet më të rëndësishme të kinematografisë në Ballkan, PriFest, do të zhvillohet në ekzil.
Me një program të shkurtuar, vetëm për të siguruar vazhdimësinë e tij, edicioni VII i këtij festivali do të zhvillohet në Tiranë, në ditët që ishte parashikuar në Prishtinë, më 24 prill, vetëm për dy ditë.

Aktora Vanessa Redgrave, në një nga edicionet e shkuara të PriFest

Organizatorët fajësojnë për këtë situatë Ministrinë e Kulturës së Kosovës dhe konkretisht ministrin Kujtim Shala, që vetëm një muaj para hapjes së festivalit njoftoi reduktimin e mbështetjes financiare të këtij aktiviteti. Por jo vetëm kaq, festivalit iu mohua edhe vendi, në të cilin ai është organizuar për 6 vjet me radhë, Teatri i Prishtinës, çka i detyroi organizatorët të bujtin në Tiranë.

Përmes një komunikate për shtyp, dje, organizatorët e festivalit njoftuan vendimin e marrë. “Ky vendim vjen pasi të mërkurën morëm informatën nga Ministria e Kulturës së Kosovës, ku thuhet se festivalit i zbritet mbështetja deri në 78% nga kjo Ministri.

Duke marrë parasysh se mbështetja financiare nga MKRS tradicionalisht (që nga edicioni i parë) është mbështetja kryesore e festivalit, dhe festivali edhe duke e llogaritur mbështetjen në fondet e MKRS si në të kaluarën prapëseprapë, ky vendim i MKRS ose më saktë i ministrit të ri në detyrë, Kujtim Shala, nuk na lejon të vazhdojmë me mbajtjen e edicionit të radhës.

Për më keq, lajmi vjen vetëm 1 muaj para hapjes së PriFest, kur ne tanimë kemi bërë të gjitha përgatitjet, duke përfshirë përzgjedhjen e filmave, të jurive ndërkombëtare dhe ftesën e mysafirëve të huaj në festival”, thonë organizatorët. 

Po kaq absurd për ta është edhe vendimi i drejtorit të Teatrit Kombëtar, i cili nuk u ka lejuar të shfrytëzojnë hapësirat për organizimin e festivalit. “Edhe pse PriFest kishte aprovim me shkrim nga ishdrejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar për shfrytëzimin e hapësirës së Teatrit për javën e PriFest 7, për të cilën ne i kemi përcaktuar datat qysh në maj të vitit 2014, pra një vit më herët, dhe kemi vënë në dijeni Teatrin Kombëtar, menaxhmenti i ri i përkohshëm i Teatrit Kombëtar (i përzgjedhur nga Këshilli drejtues që u emërua nga ky Ministër muajin e kaluar) refuzon të kthejë përgjigje duke mos përfillur marrëveshjen e nënshkruar që kemi. Pra, injorojnë një marrëveshje paraprake të nënshkruar nga paraardhësit e tyre”, shtojnë ata.

SHKURTIMI I PROGRAMACIONIT

Më shumë sesa për mungesën e fondeve, organizatorët, në shenjë proteste kanë vendosur të mos e zhvillojnë aktivitetin në Kosovë. Por gjithsesi është e pamundur që ata ta zhvillojnë atë në kapacitet të plotë.

“Ne nuk duam t’i lejojmë vetes që për mungesë fondesh të ulim standardin e organizimit, andaj jemi të detyruar të anulojmë të gjithë filmat e selektuar për këtë edicion, disa prej tyre premiera botërore, ndërkombëtare, europiane dhe regjionale, por të gjitha pa dyshim premiera në Kosovë. Po ashtu, jemi të detyruar të anulojmë ftesat e mysafirëve të shumtë dhe jurisë ndërkombëtare që konfirmuan ardhjen e tyre këtë vit, ndërkohë që për disa prej tyre tashmë i kemi blerë edhe biletat e aeroplanit. Kemi anuluar edhe garën për “Best Pitch”, ku kishin konkurruar mbi 20 projekte nga rajoni që garonin për çmimin ‘Vanessa Redgrave’”, shtojnë ata.

Ndërsa ngrenë gjithfarë pikëpyetjesh mbi arsyet pse pas një eksperience 6-vjeçare, që e ka përfshirë Prishtinën në hartën e aktiviteteve të rëndësishme dhe ka sjellë dhjetëra emra të rëndësishëm të kinemasë botërore, fitues të çmimeve “Oskar”, “Ariu i artë”, Bafta, “Luani i artë” etj., Ministria e Kulturës u mohon ndihmën, organizatorët janë në dilemë nëse kjo ka ardhur për shkak të një programi filmash që marrin nxitje nga problematika dhe jeta e komunitetit LGBT.

“Nuk duam të besojmë se një ministër i ri në moshë, i ngarkuar me punë të kulturës, rinisë dhe sporteve, ka pasur diçka kundër programit që PriFest ka shfaqur, përfshi këtu programin LetItBe që kishte në fokus filmat me temë të komunitetit LGBT, ku pa modesti themi se PriFest pati guximin ta trajtojë këtë çështje sensitive shoqërore.

Këtë program e kemi lançuar në bashkëpunim me festivalin OutFest nga Los Angeles (festivali më i madh i LGBT që ekziston qe 35 vite) dhe me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë. Natyrisht, si të gjithë filmat, edhe këtë program e kemi anuluar, megjithëse filmat janë përzgjedhur më parë nga selektorët e partnerit tonë, Outfest LA”. 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura