Prezantohet Rubio: Vlora, si Sevilja ime

Aug 31, 2012 | 14:53
SHPËRNDAJE

Hulian Rubio

Flamurtari/ Ish-trajneri spanjoll i Tiranës firmosi dje një kontratë 1-vjeçare.

“Titullin nuk e garantoj dot, por ne do bëjmë gjithçka”.

Nuk ka më asnjë dilemë: Hulian Rubio është trajneri i ri i Flamurtarit. Spanjolli firmosi dje, në orën 12:00, një kontratë 1-vjeçare për klubin vlonjat. Ashtu siç e kishte parashikuar prej ditësh gazeta “Panorama Sport”, ish-trajneri i Tiranës do të paraqitej të enjten në Vlorë për të bërë prezantimin zyrtar. Pas një takimi kokë më kokë me presidentin Shpëtim Gjika dhe shefin e klubit,Geri Çipi, që zgjati rreth 60 minuta, spanjolli doli para mediave për të zyrtarizuar emërimin e tij në pankinën kuqezi. Ai foli edhe për ish-ekipin e tij, Tiranën, ndërkohë që la të hapur mundësinë e ndonjë blerjeje në ditën e fundit të merkatos. Për më tej, ja si u shpreh trajneri i ri i skuadrës vlonjate:
Mister, përse zgjodhët një tjetër ekip shqiptar si Flamurtari?
Është e thjeshtë, kështu ma tha zemra.
Sa është kohëzgjatja e kontratës suaj?
Një vit.
Mendoni se i zhgënjyet tifozët e Tiranës me këtë lëvizje?
Besoj se jo. Unë kam dhënë maksimumin tim te Tirana dhe mendoj se nuk kanë pse të kenë mbetur të zhgënjyer. I falënderoj nga zemra për gjithë mbështetjen dhe gjithçka që më kanë dhënë gjatë një viti. Tani më duhet të punoj në një vend tjetër dhe ata do të më kuptojnë shumë mirë. Ka ardhur momenti që t’i bëj për vete edhe tifozët vlonjatë.
U bindët shpejt për ofertën e klubit vlonjat?
Tani, në këto momente, ramë dakord për gjithçka (ora 12:30 e ditës së djeshme). Do të jem i pranishëm në stërvitje, megjithëse nuk do ta drejtoj unë. Thjesht do të njihem me ekipin tim të ri.
Cila është përshtypja juaj e parë për Vlorën si qytet?
Shumë e mirë, madje mund të them se ngjan pak me Seviljen time. I vetmi ndryshim është se qyteti im në Spanjë nuk ka det, por lumë.
Sa e njihni Flamurtarin?
Aq sa njoh të gjitha ekipet e tjera shqiptare.
A mund të na tregoni se cila do të jetë rroga juaj?
Ju lutem, pyetje të tilla nuk shkojnë.
Po me drejtuesit e Tiranës si u ndatë?
U ndamë shumë mirë, madje edhe drekuam së bashku. Mbetemi miq.
Do të jeni nesër (sot) në pankinë kundër Laçit?
Do të flasim me presidentin për këtë çështje.
Keni fituar tre trofe te Tirana, po te Flamurtari çfarë premtoni?
Erdha këtu të bëj gjithçka për të fituar ndeshjet, megjithëse  mund të them se titullin kampion nuk e siguron askush. Unë do të punoj për një gjë të tillë, por të shohim se sa mund t’ia arrijmë.
A keni ndonjë klauzolë në kontratë për titullin?
Jo, nuk besoj. Me presidentin nuk folëm për një gjë të tillë.
Ky ekip nuk është ndërtuar prej jush. A do të ketë ndonjë përforcim të fundit?
Nëse kemi mundësi ose kohë, mund të bëjmë ndonjë përforcim.
Do të ketë ndryshime në stafin teknik?
Jo aspak, unë do të vijoj të punoj me këtë staf.
E ndieni mikpritjen e vlonjatëve?
Unë ndihem shumë i nderuar, i falënderoj të gjithë.

Prezantimi
Trajneri ka diskutuar dje për rreth 20 minuta para skuadrës. “Panorama Sport” ka arritur të zbulojë disa nga deklaratat e këtij takimi, që është zhvilluar dje përpara stërvitjes. “Unë jam Hulian Rubio dhe do të jem trajneri juaj nga sot (dje) e në vazhdim. Kam nënshkruar një kontratë 1-vjeçare dhe besoj se së bashku do të bëjmë punë të mira. Unë dua nga ju përkushtim maksimal. Ju garantoj se së bashku do të arrijmë shumë, nëse mes nesh do të ketë mirëkuptim”.

Lorik Cana
Lorik Cana nuk ka qenë dje pjesë e skuadrës së Lacios për ndeshjen ndaj NK Mura në Ligën e Europës. Por, sipas mediave italiane, me shumë gjasë ai nuk do të grumbullohet nga trajneri Petkoviç as për takimin në kampionat këtë javë ndaj Palermos. Cana pësoi një dëmtim shqetësues gjatë stërvitjes ditën e martë dhe nuk ka arritur të rikuperohet, të paktën për sfidën me parlemitanët. Gjatë ditës së mërkurë, ai thjesht ka bërë disa ushtrime në ujë, ndërsa dje është ushtruar kryesisht në palestër.

Lista kuqezi
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, nuk e ka shpallur ende listën e lojtarëve për dy ndeshjet kualifikuese të shtatorit për “Botërorin 2014”. Të pyetur dje nga “Panorama Sport”, drejtuesit e federatës kanë bërë me dije se një gjë e tillë do të bëhet ditën e nesërme, ndërsa të hënën në mesditë tekniku, para se të nisë zyrtarisht grumbullimin e skuadrës, do të dalë në një konferencë për shtyp.

Bogdani
Erjon Bogdani po kalon një formë të mirë çka e tregon edhe aktivizimi si titullar te skuadra e Sienës. Edhe ndaj Sampdorias këtë javë sulmuesi shqiptar shihet si titullar së bashku me Kalajo. Trajneri Serse Kozmi nuk ndryshon modul duke luajtur edhe në transfertë me tre mbrojtës, pesë mesfushorë dhe dy sulmues. Sakaq në miqësoren e zhvilluar dje ndaj modestëve të Kolinjiana në “Xhino Mani”, Siena ka fituar 6-1 kur njëri prej golave ka pasur firmën e Bogdanit.

Zvicra
Trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Otmar Hitcfeld, ka zbuluar dje listën e futbollistëve që do të luajnë në dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin “Brazil 2014”. Në listën e trajnerit gjerman figurojnë emrat e pesë futbollistëve shqiptarë. Bëhet fjalë për mesfushorët e Napolit, Valon Behrami dhe Blerim Xhemajli; mesfushorin e Bajern Mynihut, Xherdan Shaqiri; mesfushorin e Borusia Mynshegladbahut, Granit Xhaka, si dhe për sulmuesin e Dinamos së Kievit, Admir Mehmedi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura