Presidentja e Këshillit Evropian turpërohet gjatë takimit me Presidentin turk, Erdogan (Video)

Apr 7, 2021 | 19:15
SHPËRNDAJE

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishin dje në Ankara për të diskutuar me Presidentin Recep Taip Erdogan mbi shqetësimet e bllokut lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut dhe hapat e ardhshme të Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

erdogan

Megjithatë, nuk ishte thelbi i takimit, por formalitetet që tërhoqën vëmendje kur u duk qartë se Presidenti Erdogan nuk respektoi protokollin me një gjest fyes në adresë të zonjës von der Leyen.

Thyerja e protokollit bëhet e qartë sapo udhëheqësit evropianë futen në dhomën e takimit ku shihet se ka vetëm dy karrige të vëna pranë njëra-tjetrës. Ndërsa të ftuarit duken të konfuzuar, zoti Erdogan i bën me gjest Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel të ulet pranë tij në njërën nga dy karriget, ndërsa i tregon zonjës von der Leyen një divan pak më në distancë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen duket se heziton për një moment, por asnjëra palë nuk komenton.

Takimi, sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, u zhvillua më tej sipas planifikimit:

“Presidentja ishte qartazi e habitur, shihet edhe në video. Por desha të sqaroj se sado e habitur që ishte, ajo vendosi, duke bërë besoj unë zgjedhjen më të mirë, që të përqëndrohej tek thelbi dhe jo forma apo protokolli, pasi këtë presin qytetarët evropianë prej saj. Nuk më takon mua të interpretoj se ç’do të thotë që iu ofrua një ndenjëse në vend të një tjetre,” tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.

Pas takimit dy udhëheqësit evropianë thanë se i shfrytëzuan bisedimet për t’ia bërë të qartë Ankarasë se çdo hap nga ana e bllokut evropian për të zgjeruar marrëdhëniet me Turqinë do të varet nga masat që merr vetë Turqia për përmirësimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Udhëheqësit e bllokut e bënë gjithashtu të qartë se “një mjedis i stabilizuar dhe i sigurtë” për vendet anëtare, Qipron dhe Greqinë, është kusht pararendës për forcimin e marrëdhëniet BE-Ankara.

Takimi u zhvillua disa javë pasi Presidenti turk Erdogan ndërmori hapa për të zbutur marrëdhëniet e acaruara me Bashkimin Evropian dhe pasi udhëheqësit e BE-së ranë dakord të rrisin shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin me Turqinë për imigracionin. Bashkimi Evropian ra dakord t’i ofrojë Turqisë pista të reja bashkëpunimi, megjithë shqetësimet për hapa prapa në fushën e të drejtave të njeriut.

Turqia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por procesi ka mbetur në vend-numëro.

Përpjekjet e Presidentit Erdogan për të zbutur shkëmbimet me bllokun evropian pasuan tensionet vjet lidhur me vendimin e Ankarasë për të mos reaguar më për ndalimin e valës së imigrantëve drejt Greqisë, si dhe pas vendimit për të dërguar anijen kërkimore turke në hapësirë detare që Greqia dhe Qiproja thonë se janë pjesë e ujërave të tyre territoriale.

Ndërkaq, një gjykatë turke dha të mërkurën vendimin në procesin gjyqësor lidhur me grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016. Dhjetëra vetë, ndër ta ish-pjesëtarë të forcave të armatosura u dënuan me burgim të përjetshëm lidhur me rolin në grushtin e shtetit kundër qeverisë së Presidentit Erdogan.

497 të pandehur ishin nën akuza që nga viti 2017 për përpjekje për të marrë nën kontroll komandën ushtarake në 2016 dhe pasi detyruan një spikere televizive të lexonte në transmetim një deklaratë të organizatorëve të puçit.

Gjyqi masiv është njëra nga përpjekjet që kanë ndërmarrë autoritetet turke për të goditur klerikun me banim në Shtetet e Bashkuara Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon si orkestrues të grushtit të shtetit. Zoti Gulen i ka hedhur poshtë akuzat.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.