Presidenti vlerëson “Besëlidhjet e Mallakastrës” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”/ Meta: Lufta për mbrojtjen e trojeve dhe dinjitetit tonë kombëtar…

Jul 12, 2020 | 15:50
SHPËRNDAJE

Kreu i Shtetit, Ilir Meta ishte sot në Poçem të Mallakastrës, ku vendosi një kurorë me lule në nderim të kujtimit dhe veprës historike të luftëtarëve atdhetarë mallakastriotë.

meta

Përmes një shënimi në facebook, Presidenti Meta njofton se vlerësoi “Besëlidhjet e Mallakastrës” me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin “Për kontributin e shquar të popullit të Mallakastrës dhe krahinave fqinje në organizimin e luftës për liri dhe pavarësi kombëtare, në kushte të vështira, sa herë e ka kërkuar interesi kombëtar.

Më tej Presidenti shprehet se Besëlidhjet e Mallakastrës përcjellin në shekuj mesazhin e madh të atdhedashurisë dhe fuqisë së bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim në luftën për mbrojtjen e trojeve, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar.

Reagimi i Presidentit:

Nder i veçantë t’i akordoja sot Besëlidhjeve të Mallakastrës, Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, simbolin e Heroit tonë Kombëtar, figurës më përbashkuese të të gjithë shqiptarëve, që Fan Noli do ta quante: ‘Shqiptari më i gjallë, midis shqiptarëve të gjallë’, që mishëron forcën që sjell bashkimi, por njëkohësisht edhe që ka përcaktuar identitetin europian të kombit tonë si askush tjetër.

Besëlidhjet e Mallakastrës përgjatë një shekulli janë tre akte të ndritura të vetëdijes, atdhetarizmit, aftësisë organizuese, trimërisë dhe përkushtimit të bijve të Mallakastrës e më gjerë. Ato përcjellin në shekuj mesazhin e madh të atdhedashurisë dhe fuqisë së bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim në luftën për mbrojtjen e trojeve, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar.

Besëlidhjet e Poçemit janë dhe do të mbeten kurora e lavdisë së Mallakastrës dhe e gjithë Shqipërisë.

meta 1

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura