Presidenti Nishani versus kryebashkiakut Veliaj

May 14, 2016 | 12:40
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Të enjten Presidenti i Re publikës, Bujari Nishani, doli në një konferencë të pazakontë shtypi! E pazakontë për tematikën e saj. Kryetari i shtetit, i vënë në shënjestër të një gjuhe detraktive por mbi të gjitha nën akuza konkrete më zë dhe figurë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shtrëngua të apelojë të drejtën e tij si çdo qytetar për t’u mbrojtur nëpërmjet një procesi gjyqësor.

Ndoshta sot do të ishte temë kryesore e analizës politike, por skandali ndezullor me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë e eklipsoi disi atë. Gjithsesi, do të ishte e pafalshme që bujarisht nën ritmin e ngjarjeve t’ia dorëzonim harresës një fakt të tillë. Jo rrallë marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe presidenteve të Republikës kanë njohur momente tensioni apo krize të rënde, siç ishte ajo e vitit 2011 ndërmjet ish-kryeministrit Berisha dhe ish-Presidentit Topi, por në mes ishin ngjarjet tragjike të 21 janarit.

Lufta e ftohtë po, ndërsa degradimi etik nuk ka qenë karakteristikë konstante e komunikimit politik. Fushata elektorale e qershorit 2013, nëpërmjet gjuhës së opozitës dhe liderit të saj Edi Rama që po përgatitej të vinte në pushtet, tentoi fort ta bënte pjesë të saj edhe Presidentin e Republikës, duke përdorur një fjalor aspak sojli. Diskursi i asaj vere ishte fanteria e mesazheve që “Rilindja” do të përdorte ndaj Nishanit në vazhdim kur do të merrte ekzekutivin e vendit. Shthurja e dekorit të shtetit u shfaq nëpërmjet një gjesti të payndyrë, siç ishte heqja e portretit të Presidentit nga zyrat e shtetit, duke cenuar protokollin dhe traditën.

Te gjuha e përdorur, kryesisht nga eksponentët e PS ndaj zotit Nishani, shquhen si detaje agresiviteti dhe fyerja. Retorika e bashkëpunimit nuk bindi asnjëherë. Me gjasë, “rilindasit” kishin menduar se me Bujar Nishanin do ta kishin të lehtë. Presidenti nuk paskësh qëlluar njeriu i duhur për t’u përkulur. Nuk ofroi koncesione që cenojnë integritetin e tij personal dhe sidomos të institucionit që përfaqëson. Një thjeshtësi dhe dinjitet mbresëlënës e karakterizon periudhën që kur mori këtë detyrë. Asnjë përfolje për korrupsion apo shkelje ligji. Në turravrapin zhurmaxhi të Qeverisë për të kapur institucionet apo për të legalizuar me firmkën e tij ligje të diskredituara interesash adpersonam, atyre iu desh të ndalin frymën dhe të kuptojnë që hesapet pa hanxhinë të nxjerrin ters.

Të zemëruar, me yrysh, shprazen herë pas here xhepanetë e baltës kundër Bujar Nishanit, qetësia e të cilit nuk zbehej nga ky ritëm burrash e grash, që fjalën e fundit e thoshin të parën në një garë shpifjesh dhe gojështhurjeje. Një ditë të Zotit, me porosi, ministra Felaj, fët e fët, me lehtësinë e papërgjegjshmërisë që shkakton një urdhër i verbët, doli e tha se edhe shkarkimi i Presidentit është një mundësi nëse ai vazhdon t’ia trazojë xhanin hyqymetit! Prapë askush nuk e mori seriozisht. Ndokush qeshi, ca u zgërdhinë e ndonjë u trishtua për ngjyrat e etikës ndërinstitucionale në Republikën tonë populluar dertesh. Por befas, më zemëraku dhe tahmaqari në doza verbale të forta u shfaq Erion Veliaj, jo aq kur ministër ishte, por tejet kur kryebashkiak u bë.

Ai e kaloi bindshëm cakun, pejzën, fijen, jo atë të hollën, por të trashën, vetë traun, i cili ndan fyerjen nga akuza. Do me domosdo të kujtohet si heroi që i tregoi vendin Presidenti të Republikës. Kjo ndodhi të hënën në studion e emisionit “Opinion”! Vërtet Nishani e ka trazuar me pritjen dhe mbështetjen që i dha shoqërisë civile në protestën e saj kundër betonizimit të Parkut kësaj masakre urbane, e cila do na rrijë të gjithëve në ballë si puçërr me qelb gjatë, duke na kujtuar konformizmin tonë amoral. Aty Veliaj e lëshoi gojën qortueshëm, duke u bërë i pangjashëm me çdo paraardhës të tij nën hijen e Kullës së Sahatit, dukë lënë shije të keqe te votuesit dhe mosvotuesit e tij. Pat nga ata që e justifikuan si një spazem të një çasti kur arsyeja përdhunohet nga nervat, i cili nuk do të përsëritet. Pat të tjerë që psherëtinë “Në ç’ëndërr kemi rënë kaq keq?”! Por veç fillimi paskësh qenë i luftës që Erion Veliaj i ka shpallur Presidentit. Në mos gaboj, ai e quajti Presidentin “hajdut”. Veliaj ka qenë ministër, tani qeveris gati 1 milion banorë, shumë i afërt me Kryeministrin Rama, madje me lezet disa e projektojnë edhe si pasardhës, ndaj ai duhet të dijë diçka! Një mundim i madh të shpie deri aty sa të bësh të tilla e të rënda akuza, për të cilat duhet dritë dhe mbajtje përgjegjësie.

Shqipëria nuk meriton të ketë në zyrën më të lartë të saj një hajdut, madje as një njeri që akuzohet si i tillë, ndaj me të drejtë Presidenti Nishani guxoi dhe iu drejtua Gjykatës. Ajo ka një përgjegjësi historike për ta ndarë shapin nga sheqeri. Duhet t’i rrëfejë këtij populli në ka një President korrekt e të ndershëm apo një hajdut. Në ka një kryebashkiak që akuzon me në bazë të informacioneve bindëse apo shpif për llogari politike!? Pas këtij gjyqi, dikush duhet ta lërë zyrën, Nishani ose Veliaj. Ky është një proces që kërkon vëmendje për të mos marrë formën e atij të Kafkës. Presidenti ishte i shtrënguar t’i drejtohet Gjykatës. Në të kundërt, do të bashkëjetonte me fajin. Ai (faji) nuk duhet të vdesë në Gjykatë nëpërmjet procedurave. Duhet t’i ngarkohet në shpinë Veliajt ose Nishanit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura