Politika shqiptare “mbytet” në detin Jon

Feb 12, 2018 | 10:06
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKABEHAR GJOKA

Temë e ditës prej kaq ko hësh e shoqëruar me mllef, sharje, mashtrime dhe hipokrizi, të vërteta dhe hipoteza, është tema e Detit, që shitet dhe blihet, sa herë ka nevojë politika. Qeveria, me gjithë faktorët e vet, ku veçohet “heshtja” diplomatike e ministrit të Përjashtëm dhe “ligjërimi” më i qartë i Kryeministrit, që ngre siparin e bisedimeve të zhvilluara për marrëveshjen e re për detin.

Në anën tjetër, në Greqi, zyrtarët dhe media ulërasin dhe gëzohen se po arrihet një marrëveshje historike me Shqipërinë për detin. Ndërsa opozita, e zënë me punëra më të rëndësishme (nuk di, a ka temë më të madhe se sa cenimi i territorit), hesht dhe ka marrë kodrat dhe malet, për zullumet e shumta që ka kryer dhe po kryen secilën ditë maxhoranca. Jo, për të qenë të qartë, se as ata që e kanë kavërdisur këtë “çorbë”, politika shqiptare e gjithë krahëve, nuk e dinë se çfarë gjelle është, por vetëm sa po shprehemi për situatën e mungesës së transparencës përmbi këtë temë, më përtej fasadës që deklarohet në “kazanin” mediatik.

Urojmë që të mos jetë “çorbë”, që ka lidhje me kallaisjen e tepsisë së pushtetit! Po kaq, ne si popull, trim e mendar pas bejtes dhe kuvendit, të zënë me hallet tona, të indiferencës, deri në fikje të opinionit qytetar për këtë çështje të një ndjeshmërie, që nuk ka pronar dhe komandar, presim se mos pikërron zgjidhja prej qiellit. Atdheu dhe kombi nuk ka pronar, sepse hipotekat e tyre janë në mendjen dhe zemrën e bashkëkombësve, që janë mbytur në varfëri dhe dëshpërimin se ky vend nuk bëhet, që të mos ia hamë hakën, politika ka merita të veçanta për të menduar ikjen nga sytë-këmbët.

Politika dhe qeveria, të zënë me ethet e mbajtjes dhe marrjes së pushtetit, aq më tepër që janë vetë “kuzhinierë” të këtij bagërdani, mërmërisin me vete, të gremisur në ethet e politikës së ditës. Pse hesht opozita? E dimë përgjigjen, por vetëm sa për kujtesë, po themi se në vitin 2009 kur qe në pushtet, negocioi për detin me grekët në bazë të parimit të 6 miljeve! Me të drejtë, pozita e sotme, dje në opozitë, lëshoi alarmin, e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

Dhe nuk u arrit marrëveshja, deti nuk u bë pazar, për hir të pushtetit. Pse flet pozita me kaq siguri? Pasi është endur “politika e zero problemeve” me fqinjët, ndërkohë që ata kanë shumë, madje oreksi i tyre vjen duke ngrënë, orë e çast. Kërkesat e tyre, vetëm sa do të shtohen, sikur të negociohet edhe për bregdetin. Rimarrja e negociatave të detit, madje po flitet për një marrëveshje historike të marrëdhënieve, e cila po duket në horizont, në mos janë në proces, në mos janë bërë gati për firmë.

Parimi i propozuar nga qeveria është më 12 milje! Pra, për 6 milje në 2009-n ishte tradhti, e për 12 milje tani në 2018-n, është diplomaci dhe mençuri! Marifetet e politikës, për të folur me shifra, sa kanë për borxh të bëjnë detin e kos e kosin lum për hidrocentrale, në këtë Shqipërinë tonë halleshumë, nuk paskan të sosur. Mjeshtëria e fshehjes së mendimit prapa teknikave, që as vetë nuk i marrin vesh, krijoi tymnajë dhe kakofoni përgjigjesh dhe mërmërimash, e deti ngre valët si për ditë dimri, pak më lartuar se në zhegun e vapës. Shifrat janë si gjethe fiku për të mbuluar pikësynimet e qarta politike, vetëm që të garantohet vota e Greqisë për hapjen e negociatave.

Edhe në 2009-n kur flitej për detin, në qendër të vëmendjes së pushtetit ishte vota për të hapur negociatat me Europën. Në vend të parimit “Zero”, duhej marrë në konsideratë parimi i reciprocitetit dhe fqinjësisë së mirë. Jo për hir të politikës, po për hir të dinjitetit njerëzor duhet të bëhet e ditur çfarë u bisedua dhe çfarë është vendosur. Të negociosh për detin vetëm për të marrë votën greke për të hapur negociatat, formalisht duket në rregull, por harrohet se dikush tjetër, vë veton për “detyrat e shtëpisë” të lëna me kohë, për politikanët shqiptarë, e përsëri mbetemi me gisht në gojë.

Nëse bie ligji i luftës, një ligj që mbahet në këmbë prej luftës Italo-Greke të zhvilluar në trojet shqiptare, ku shqiptarët herë me njërin e herë me tjetrin janë vetë viktima të asaj lufte. Të negociosh për detin vetëm për këtë ligj, që tregon atavizmin e politikës së fqinjit jugor, është lëshim për nevoja që duhet të bëhen transparente. Të negociosh për detin dhe të vijosh politikën e lëshimeve të Berishës për varrezat greke, madje duke shkuar më tej, në emërtimin e tyre si Varreza Historike, e kapërcen logjikën formale.

Të negociosh për detin dhe të harrosh çështjen çame, nuk i gjendet emri. Pavarësisht lëshimeve për detin, Presidenti i fqinjit jugor lëshon tymuese, sikur po flet me komunarët e shtetit të vet… Çamëria ende kullon gjak, gjë që e dinë edhe zyrtarët grekë, por u leverdisë që ta lënë në shurdhëri dhe memecëri. Të jetë e qartë për ne si shqiptarë për politikën dhe çdo politikan shqiptar, se nuk ka det që ta lajë padrejtësinë e kryer mbi banorët e Çamërisë.

As varret e të parëve nuk kanë të drejtë t’i shohin! Flet pozita krejt e sigurt, sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të mblidhet e prandaj politika shqiptare, pozitë dhe opozitë, në heshtje e kryen misionin, i dhanë të drejtën e ndarjes së detit, duke fituar një ligj nëse do të ndodhë realisht, që nuk ka të bëjë me qytetërimin grek të lashtësisë. Nuk duhet harruar porosia e Faik Konicës: Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897), kur ulesh në bisedime me to.

Nuk është e keqja te marrëveshja për detin, por te ngulmimi që për të marrë votën për hapjen e negociatave, politika shqiptare më tepër po kridhet në ujë e Deti Jon është i thellë e po u zhyte “mbytesh” në valët e tij, e nuk mbërrin të mbulosh paaftësinë e politikës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura