Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor

Oct 30, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

PASKAL MILO Paskal Milo

Aktualisht, politika ameri kane në Ballkanin Perëndimor po ballafaqohet me kriza e sfida të trashëguara, por edhe të reja. Disa prej tyre burojnë nga brenda rajonit, disa të tjera janë rrjedhojë e veprimit të faktorëve të jashtëm, por ka prej tyre ku ndërthuren faktorët e brendshëm me influencat e ndërhyrjet e huaja.

I. Në referimin tim, unë veç po numëroj, për arsye kohe e pa qëndruar në analizën e tyre, sfidat kryesore, me të cilat po ndeshet sot politika e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor. Kryesfida është rigjallërimi i nacionalizmit e pasuar:

II.nga mungesa e sundimit të ligjit dhe ekzistenca e autoriteteve dhe institucioneve me përqendrim të madh të pushteteve;

III. nga korrupsioni dhe krimi i organizuar; IV.nga dobësitë që po manifeston Bashkimi Europian dhe nga dështimi i projekteve dhe strategjive që ai ka hartuar e shpallur vitet e fundit në adresë të Ballkanit Perëndimor;

V.nga vetë tërheqja relative amerikane nga rajoni; VI.nga ndërhyrja në rritje e faktorëve të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë e rajonalë si Rusia, Kina, Turqi etj;

VII.nga prania e forcave terroriste, veçanërisht i atyre islamike;

VIII.nga valët e emigracionit ilegal nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.

Njohja e këtyre sfidave apo edhe e të tjerave më pak të rëndësishme se këto nuk është domosdoshmërisht parakusht për zgjidhjen e tyre. Por, njohja e tyre e mirë ka ndihmuar për të kuptuar tendencën e zhvillimeve bashkëkohore në rajon dhe adresimin e saktë ndaj tyre.

Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një strategji të re në Ballkanin Perëndimor. Pyetja që shtrohet edhe në këtë Konferencë, është: A e kanë ato këtë strategji të re sot apo e kanë në përpunim e sipër? Për sa është folur nga zyrtarë të lartë amerikanë të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit e Departamentit të Shtetit, ende nuk ka një platformë të qartë e të ravijëzuar, të paktën publike. Qendra të mirënjohura e të specializuara amerikane, por edhe think-tanke europiane, kanë bërë studime dhe analiza të dobishme dhe thuajse të gjitha kanë arritur në përfundimin se Shteteve të Bashkuara u duhet një qasje e re dhe gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor.

1.Strategjia e vjetër amerikane kryesisht u mbështet në politikën e sigurisë. Një strategji e re amerikane duhet të ketë parasysh se tani katër vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s (Kroaci, Shqipëri, Mal i Zi, Maqedonia e Veriut) dhe në Kosovë ndodhet e dislokuar një forcë ushtarake e tij. Pa hequr dorë nga politika e sigurisë, Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin përparësi ndihmesës për përballimin e sfidave të brendshme të rajonit. Aktualisht, për mendimin tim, sfida më e madhe që ka politika amerikane përpara në Ballkanin Perëndimor është ajo e demokracisë. Me përballimin e kësaj sfide është i lidhur edhe suksesi në zgjidhjen e kënaqshme të sfidave të tjera.

2.Një qasje e re në politikën amerikane në Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar me nivelin e përfaqësimit dhe me jetëgjatësinë e angazhimit aktiv të saj. Do të ishte e pafrytshme nëse ajo konceptohet e përkohshme në formën e një fushate apo me një kohëzgjatje sa çfarë mund të jetë mandati i një administrate në Shtëpinë e Bardhë. Angazhimi i emrave të përveçëm të burokracisë së lartë diplomatike amerikane apo vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Pompeo, në rajon nuk duhet të konsiderohen të jashtëzakonshme e të jenë tepër të rralla. Sigurisht, Shtetet e Bashkuara kanë interesa shumë herë më të rëndësishme në zona të tjera të botës sesa në Ballkanin Perëndimor, ku intensiteti i veprimit dhe niveli i përfaqësimit prevalon mbi atë në rajonin tonë. Por, Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe kontinenti i vjetër ka qenë e do të mbetet kërthiza e politikës së jashtme amerikane.

3.Një strategji e re amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të jetë e suksesshme pa një koordinim të ngushtë me Bashkimin Europian. Partneriteti aktiv dhe konkret mes tyre është më se i domosdoshëm, ai nuk duhet të jetë thjesht deklarativ dhe i përgjithshëm e jo vetëm për çështje të sigurisë. Për këtë qëllim nevojitet krijimi i strukturave të përbashkëta e të posaçme e në bashkëpunim me ato rajonale për të nxjerrë vendet e Ballkanit Perëndimor nga harta e “mbretërive” ku sundon krimi, korrupsioni, ilegjitimiteti dhe klanet mafioze të drogës.

Një strategji e përbashkët euro-amerikane nuk mund të kuptohet pa sinkronizimin e politikave për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Fakti që mungon ky mekanizëm koordinimi për Ballkanin Perëndimor, e dëshmoi edhe reagimi i Departamentit të Shtetit ndaj Këshillit Europian për vendimin e moshapjes së negociatave për anëtarësim në BE, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

4.Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë ndër të tjera edhe një arsye më shumë e madhore për të qenë së bashku në përballimin e sfidave në Ballkanin Perëndimor. Prania në rritje dhe ambicioze e Rusisë, Kinës, Turqisë dhe aktorëve të tjerë më pak relevantë në rajon, e bën terrenin e veprimit më të komplikuar e më konkurrues. Kjo konkurrencë e këtyre fuqive nuk mund të përballohet me mjete të Luftës së Ftohtë. Çdonjëri prej këtyre aktorëve ka veçoritë e synimet e tij, ka lidhje tradicionale ose incentiva të tij të ndryshme që krijojnë hapësira influence të gjithanshme në rajon. Po kështu, vetë Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie e interesa globale me Rusinë e me Kinën që janë shumë të mëdha, ndonëse zhvillohen në mjedisin e një konkurrence të ashpër në paqe.

Në rrethanat e krijuara, ndonëse të padëshiruara, ndoshta ka ardhur koha të thirren edhe përvojat e së kaluarës së afërt për të angazhuar në çështjet e Ballkanit Perëndimor institucione të tilla si “Quint”, pse jo për kriza të zgjatura e shanse të pakta për zgjidhje edhe formatin e Grupit të Kontaktit.

5.Thembra e Akilit në Ballkanin Perëndimor është zhvillimi ekonomik. Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë strategjinë e tyre të bashkëpunimit ekonomik në rajon që të bëhen më të pranishëm me investime, për të sfiduar ekspansionin rus që operon me gazin, naftën, hekurin etj., në tregun lokal apo Kinën, që është në progres me investime në infrastrukturë dhe energji përmes financimeve me interesa të ulëta.

Ka edhe çështje të tjera që do të duhet të jenë në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë për rajonin, por dy angazhime të mëdha duhet të jenë në krye të axhendës së strategjisë së re të Shteteve të Bashkuara nëse flitet për të tillë. Ato janë Bosnja-Hercegovina dhe Kosova, të dyja të lidhura me një faktor kryesor rajonal e historik si Serbia.

6.Bosnje-Hercegovina është një rebus tepër i vështirë për t’i gjetur një zgjidhje të përshtatshme e të kënaqshme. Këtë e dinë të gjithë, e veçanërisht në Uashington. Rrëshqitja e saj drejt një konflikti të ngrirë nuk është zgjidhje. Shtetet e Bashkuara nuk po rikthehen me një formulë të gatshme për zgjidhjen e krizës në Bosnjë-Hercegovinë e për të ndalur rënien e dezintegrimin e këtij shteti. Por edhe nuk janë të gatshëm tani për të kapërcyer formulën e Dejtonit e për të ndërtuar një arkitekturë institucionale funksionale në një kohë kur brenda vendit ekziston një polarizim i madh etnik e politik. Politikës amerikane do t’i duhet shumë angazhim për të gjetur një formulë të gjithëpranuar për zgjidhje që nga palët vendore, aktorët rajonalë, veçanërisht Serbia e Kroacia, por edhe ata ndërkombëtarë, në radhë të parë Rusia.

7.Le të vijmë së fundmi në Kosovë, ku ka sa të panjohura, po edhe kaq shanse për të parë dritë në fund të tunelit e për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në termat e njohura e të diskutuara. Dy emisarë të lartë amerikanë, Palmer dhe Grenell, së bashku me ekipet diplomatike në Prishtinë e në Beograd, nuk është vështirë të kuptohet se janë në kulmin e punëve të tyre për të hartuar projekt-propozimet dhe projekt-kompromiset e një marrëveshjeje të mundshme historike midis dy vendeve. Pa dyshim që do të ketë shumë rëndësi për fatin e një projekt-marrëveshjeje nëse pjesë e saj do të jetë ose jo ideja e korrigjimit apo e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë. Mbetet për t’u parë nëse kjo ide e lidhur dhe e mbështetur nga ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, Xhon Bolton, ka ikur bashkë me të apo do të jetë gur themeli në një marrëveshje të supozuar. Një gjë është e sigurt: Presidenti Trump do ta dëshironte një marrëveshje të tillë historike në Ballkanin Perëndimor në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020 dhe nënshkrimin e saj ceremonial në prani të tij në Uashington apo në Kemp Dejvid. Nëse ai do të vazhdojë t’i qëndrojë këtij objektivi është e shpjegueshme edhe pse caktoi si negociator midis Kosovës e Serbisë, njeriun e tij të besuar, ambasadorin Richard Grenell.

Për momentin, zgjidhja e këtij ekuacioni ka disa të panjohura që duhen marrë në analizë. E para, është qëndrimi i palëve të angazhuara, Serbisë dhe Kosovës në negociatat që mund të fillojnë. Çfarë platforme negocimi do t’u ofrohet, cila do të jetë përqindja e karotave dhe e shkopinjve që ajo do të përmbajë? Kombinimi i këtyre elementëve për të kapërcyer një armiqësi e krizë shekullore do të ketë nevojë për miratimin dhe firmën e Presidentit, të qeverisë së Serbisë si dhe të Kuvendit të saj, në mos të të gjithë popullit serb, në një kohë kur në mesin e vitit tjetër aty do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. A është gati Presidenti serb, Vuçiç, t’i hedhë zaret pa i bërë mirë llogaritë se çfarë fiton e çfarë humbet? Për sa ai deklaroi këto ditë se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën me kufijtë e saj aktualë, shanset janë minimale për të gjetur një zgjidhje së shpejti.

Në Prishtinë, sapo kanë mbaruar zgjedhjet parlamentare dhe ish-opozita (Vetëvendosja dhe LDK) po shkojnë drejt krijimit të një qeverie të përbashkët, pavarësisht diferencave të njohura programore dhe qasjeve të ndryshme të të bërit politikë. LDK ka qenë më e lakuar ndaj idesë së një marrëveshjeje dhe kryetari i saj, Mustafa, është ulur në Bruksel si Kryeministër përballë Vuçiçit. Vetëvendosja, për vite me radhë, ndërtoi profilin e një partie radikale dhe nacionaliste me aksione jo shumë tradicionale e të gjithëpranuara brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Ajo kundërshtoi me forcë platformën dhe bisedimet shqiptaro-serbe në Bruksel dhe çdo ide të shkëmbimeve territoriale me terma thellësisht të ashpra.

Cila do të jetë tani qasja e Vetëvendosjes dhe e Albin Kurtit në pozitën e Kryeministrit ndaj negociatave me Serbinë me ndërmjetësinë amerikane? Çfarë ndryshimesh, nëse do të ketë, do të shfaqen në pozitën e kryeqeveritarit në krahasim me pozitën e ishkryeopozitarit?  Normalisht, përvoja ka dëshmuar se në qeveri gjuha latohet, bëhet më diplomatike dhe veprimet më të kujdesshme. Albin Kurti ka dhënë shenja në këtë drejtim ende pa u bërë Kryeministër. Ka filluar të shfaqet përgjegjshmëria e qeverisjes. A do ta gjejë ai mesin e artë mes saj dhe platformës nacionaliste të partisë së tij, që e solli në pushtet? Por Albin Kurti refuzon edhe tani idenë e korrigjimit të kufijve dhe ka lënë të hapur çështjen e heqjes së taksës ndaj mallrave serbe në shkëmbim të reciprocitetit. Të shohim.

Politika dhe ndërmjetësimi amerikan për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, patjetër që do të ketë në konsideratë dy faktorë të rëndësishëm të jashtëm: Rusinë dhe Bashkimin Europian. Të parin si mentorin dhe mbështetësin pa ekuivok të Serbisë. Roli i Rusisë do të lëkundet midis mbrojtjes së interesave serbe dhe frikës se mos përfundimi i konfliktit dhe marrëveshja përfundimtare shqiptaro-serbe i heq gurë themeli nevojës ruse dhe pranisë së gjithanshme të saj në Serbi. Aq më keq, që kjo marrëveshje, siç edhe është deklaruar, do t’i hapte rrugën Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian si dhe do të krijonte rrethana për një afrim me NATOn në formën e një partneriteti strategjik. Për të gjitha këto dilema e për ta bërë Rusinë bashkëpunuese në arritjen e marrëveshjes ndoshta do të mendohet që të gjendet një mekanizëm për ta konsideruar si pjesë të procesit.

Shtetet e Bashkuara në sipërmarrjen e tyre negociuese mes Kosovës dhe Serbisë do të duhet ta kenë përkrah Bashkimin Europian si partnerin kryesor, me të cilin po ndajnë të gjitha sfidat në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër që Bashkimi Europian që nga viti 2013 ka ndërmjetësuar për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe ka një përvojë të vlefshme, që mund të shërbejë. Mënyra e ndërveprimit mbetet për t’u parë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura