“Po investojnë qindra mijëra euro në prona dhe asete”/ Si po përfitojnë rusët nënshtetësinë turke duke iu shmangur sanksioneve të Perëndimit

Aug 10, 2022 | 22:22
SHPËRNDAJE

Skema e dhënies së nënshtetësisë për investitorët në Turqi është nxitur nga një valë rusësh që u larguan nga vendi i tyre pas pushtimit të Ukrainës dhe të cilët po kërkojnë mënyra të ndryshme për të krijuar biznese dhe jetë të reja.

rusiaturqia

Rruga e Ankarasë drejt nënshtetësisë për investitorët ka qenë shumë e popullarizuar për qytetarët në Lindjen e Mesme që nga fillimi i saj në 2018. Por lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur një valë të re investitorësh.

Sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë i ka shtyrë rusët të kërkojnë mundësi në Turqi – një vend që më parë shihej kryesisht nga ata vetëm si një destinacion pushimi. Midis viteve 2018 dhe 2021, rreth 20,000 shtetas të huaj, të udhëhequr nga iranianë, irakianë dhe afganë, morën nënshtetësinë turke duke blerë pasuri të paluajtshme ose duke investuar në asete turke në shumën minimale prej 250,000 dollarë.

Ministria e Brendshme turke nuk publikon rregullisht të dhëna mbi investimet, por llogaritjet e Middle East Eye sugjerojnë se një minimum prej 5 miliardë dollarësh duhet të jenë sjellë në Turqi, me këtë numër që mund të rritet në 10 miliardë dollarë ose më shumë.

Kishte disa kritika të brendshme për skemën pasi ajo filloi, duke e akuzuar atë për “shpërndarjen e shtetësisë së lirë”, kështu që në mesin e qershorit qeveria turke prezantoi një ligj të ri, duke rritur shumën minimale të investimit në 400,000 dollarë.

Muhammet Yasir Taflan, një avokat me bazë në Stamboll, i specializuar në imigracionin nëpërmjet investimeve, tha për Middle East Eye se rusët kanë drejtuar skemën këtë vit. “Aktualisht, gati 60 për qind e shitjeve të shtëpive për të huajt bëhen nga rusët,” tha ai. “Ishte më pak se një për qind vitin e kaluar.”

Taflan tha se vendimi i Ankarasë për të rritur çmimin e marrjes së nënshtetësisë nuk i ka dekurajuar investitorët.

“Ka shtetësi më të lira, relativisht më të dobishme për investime ose mundësi për viza të arta në Evropë, por rusët nuk mund të regjistrohen në to për shkak të sanksioneve. Ata në thelb nuk mund të udhëtojnë në Evropë, e lëre më të kryejnë transaksione monetare,”tha Taflan.

“Dhe për shtetasit e tjerë të huaj, ata tashmë shpenzonin afro 400,000 dollarë edhe para ndryshimit të ligjit. Kështu që nuk e ndaloi kërkesën.”

Turqia ecën në një vijë të kujdesshme në pushtimin rus të Ukrainës. Edhe pse Ankaraja mbylli Bosforin drejt e në Detin e Zi dhe e shpalli sulmin rus një “luftë të paligjshme dhe të padrejtë”, ajo ende gëzon lidhje të mira me Moskën dhe nuk i është bashkuar SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe BE-së në vendosjen e sanksioneve.

Të dhënat nga agjencia turke e statistikave tregojnë se rreth 4,900 rusë blenë shtëpi në Turqi midis shkurtit-qershor 2022, një ndryshim i madh në krahasim me vitet e mëparshme. Elena Milishenkova, drejtore tregtare në ndërmjetësin e pronave jashtë shtetit Tranio, i tha MEE se sasia e aplikimeve për programin turk mbetet e qëndrueshme pavarësisht vendimit për të rritur investimin minimal. Ajo shtoi se skema turke ka disa avantazhe: ajo i lejon aplikantët të blejnë prona në rrethet më të zhvilluara të Stambollit dhe Antalias dhe investitorët mund të marrin të drejta qytetarie dhe kthim të qëndrueshëm nga investimi në perspektiva afatshkurtra dhe afatgjata.

Bayram Tekçe, nënkryetar për Shoqatën Ndërkombëtare të Promovimit të Pasurive të Paluajtshme (GIGDER), thotë se shtetësia turke për rusët është bërë “një plan B” pasi atyre u ndalohet të udhëtojnë në Evropë për të marrë nënshtetësinë spanjolle ose greke.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura