Plakja e popullsisë, Irena Beqiraj në Panorama TV: Ulet fuqia punëtore dhe produktiviteti në punë, krijon probleme me skemën e pensioneve

Jun 7, 2023 | 21:50
SHPËRNDAJE

Konsulentja financiare, Irena Beqiraj, është shprehur se plakja e popullsisë në Shqipëri do të ndikojë në uljen e fuqisë punëtore, uljen e produktivitetit në punë dhe krijon probleme me skemën e pensioneve.

Komentet Beqiraj i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin “Log” në Panorama TV, ku tha se plakja e popullsisë vjen si pasojë e disa faktorëve.

Ajo tha se një ndër faktorët kryesorë është sepse të rinjtë e kanë të vështirë të blejnë banesa, pasi sipas saj, çmimet e apartamenteve në Shqipëri janë shumë të larta.

“Në 2050 do të kemi 24.6 % mbi 65 vjeç. Kjo do të thotë ulje e PBB. Ulet fuqia punëtore dhe produktiviteti në punë. Nëse mamaja ime pruri 3 fëmijë në jetë, dhe ata paguajnë për skemën e siguracioneve, unë kam bërë vetëm një, kush do të paguajë për mua. Fakti që ne po plakemi, borxhi që i kalon buxhetit të shtetit në të ardhmen është i madh.

Problemi tjetër që kemi ne, pse nuk lindin shqiptarët. Kemi të ardhura të disponueshme shumë të ulëta. Të bësh fëmijë, së pari duhet të kesh një strehë. Sot tregu i ndërtesave është shumë i shtrenjtë, 3.3 herë më shumë se PBB, në Amerikë është vetëm 1.6.

Elementi tjetër që pengon të rinjtë për të bërë fëmijë, është se në Shqipëri gjërat që kushtojnë më shumë janë ato që janë falas. Shëndetësia, shkollimi, etj. Të gjitha këto bëjnë që të rinjtë tanë të tkurrin familjet, të mendohen më shumë se disa herë për të bërë fëmijë. Politikat tona janë politika tavolinash.

22 mijë paund i duhen një familje në Angli sipas përllogaritjes së shtetit që të rrisë një fëmijë deri në 18-vjeç. Ne japim bonus, shumë mirë, por unë nuk mendoj se do të marrë njeri iniciativën të bëjë fëmijë se po jep shteti 1.3 milionë lekë të vjetra”, u shpreh Beqiraj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura