Pesë kushtet politike të inflacionit

May 17, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Evidenca ishte e qartë që në fillim të muajit mars. Edhe pse, pas publikimit të Indeksit të çmimeve të  Konsumit (inflacionit) për muajin shkurt në nivelin 0.2%, ekspertët dhe analistët, të rinj e të stazhonuar, u rrekën me të madhe ta cilësonin si një shifër spontane dhe të izoluar, si dhe të sulmonin këdo që shprehej i shqetësuar.

Por respektivisht në fillim të prillit dhe në agim të majit, niveli i inflacionit ishte në rritje dy herë me nga 0.3%. Nëse me një muaj nuk hidhemi dot, atëherë me tre muaj në libër besoj se mund të bëjmë disa analiza. Pavarësisht se debati publik vlon ndërmjet përgjimeve, prangave, arratisjeve dhe akuzave, është imperative që çështjet e lidhura me zhvillimin të mos humbasin në mjedisin anormal politik shqiptar.

Nëse është e lehtë të kuptosh çfarë është inflacioni, do të thotë se është e vështirë ta përkthesh atë në vende dhe sisteme ekonomike të ndryshme. Pra, kur cilësojmë eurozonën si viktimë e vazhdueshme e një inflacioni anemik në 4 vitet e fundit dhe Japoninë si rast studimi me një deflacion 20- vjeçar, nuk mund të përdorim të njëjtat argumente edhe për Shqipërinë.

Ndërmjet debateve të liderit të opozitës, Lulzim Basha, dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, dallohen disa qëndrime që përmbajnë legjitimitetin e tyre, por janë të ndërtuara në këndvështrime të ndryshme dhe mbi të gjitha në alibi dalluese nga njëratjetra. Për të kuptuar më mirë inflacionin, këtë herë duhet të analizojmë faktet e akullta dhe jo retorikën politike. Ekzistojnë pesë arsye kryesore, por dhe shumë nën arsye pjesë të panoramës financiare.

Fillimisht, dhe në fakt e pakundërshtueshme, në nivelin e ulët të inflacionit ka ndikuar rënia e çmimit të naftës. Nën presionet ulëse nga jashtë, ndikuese në nivelin e inflacionit, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, edhe pse sasia e karburantit e konsumuar mund të jetë e njëjtë, ajo kërkon më pak para të përfshira në ekonomi.

Ky argument është përdorur rëndom nga qeveria shqiptare, por ka marrë dhe “bekimin” e Bankës së Shqipërisë. Së dyti, duke u bazuar dhe në ekspertizën e detajuar të INSTAT dhe BSH, vërehet një ndikim i çmimit të ushqimeve, i cili ka vuajtur bazën e lartë krahasuese të një viti më parë. Duke konsideruar çmimet e larta të ushqimeve në 4-mujorin e parë 2015, si pasojë e përmbytjeve të të mbjellave shqiptare në atë kohë, sigurisht që rritja e çmimeve të tyre do të ishte shumë e lehtë, pasi krahasohej me një nivel mëtë lartë se të një viti më parë.

Kujtoni që ky arsyetim bëhet dhe në rastet e shpenzimeve qeveritare në vitet me fushata elektorale. Së treti, një arsye e cila zbulohet pas hulumtimeve monetare është ajo e lidhur me forcimin e lekut në këtë periudhë. Sipas statistikave në tremujorin e parë 2016, leku është mbivlerësuar mesatarisht me 3.1% kundrejt monedhave kryesore si dollari amerikan dhe euroja.

Pavarësisht se indeksi i çmimeve të huaja deri në fund të marsit ishte në rritje me 1.4%, ai nuk ka mundur të ndikojë në inflacionin shqiptar si pasojë e këtij forcimi të lekut. Për pasojë mesatarja e inflacionit në periudhën janar-mars ishte mesatarisht 0.7%, ndërsa në prill vetëm 0.3%. Së katërti, por jo nga rëndësia, qëndron arsyeja e investimeve publike, të cilat në një ekonomi të vogël dhe pak prodhuese, ndihmojnë “me një të rënë të lapsit” shifrat e konsumit.

Sipas të dhënave fiskale të prillit 2016, për katërmujorin e parë, qeveria shpenzoi në investime publike 10.5 miliardë lekë apo 26% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Pavarësisht se korelacioni ndërmjet investimeve publike dhe inflacionit ndahet midis të ardhurave nga taksa dhe nga burime të tjera, të dyja teoritë ekonomike e konsiderojnë shpenzimin qeveritar si jetik për çmimet e konsumit.

Sigurisht që qeveria shqiptare në habi të të gjithëve ne, por jo të FMN, po shfaqet si “buxhetarisht konservatore”, por teksa janë zvogëluar hapësirat e lejueshme të manovrës nëpërmjet politikës monetare, së shpejti pashmangshmërisht do të duhet t’i drejtohet rritjes së investimeve. Së fundmi, ekziston një argument që duket më shumë se ka ndihmuar inflacionin sesa e ka dëmtuar atë, edhe pse shifra 0.3% nuk është premtuese.

Sipas publikimeve të të dhënave të sektorit bankar nga Banka e Shqipërisë, vërehet një rritje e kredisë konsumatore me 12.4% në shkurt krahasuar me një vit më parë, si dhe projektohen të njëjtat nivele dhe për periudhën mars-maj 2016. Pavarësisht se në pamje të parë duket paradoksale situata në të cilën rritet kredia konsumatore, por ulet konsumi, përsëri jemi përballë një lajmi gjysmë të mirë.

Nëse nuk do të kishte lulëzuar kredia konsumatore dhe bankat të mos ishin investuar në kredinë për individë, deflacioni do të ishte fakt dhe jo thjesht aludim apo akuzë. Këto arsye marr lirinë t’i cilësoj si politike dhe më pak ekonomike, pasi lidhen me vendime qeverish, të huaja dhe shqiptare, dhe jo shumë me ndryshime sistemike të strukturës së konsumit.

Gjithsesi, parë në spektrin politik, pavarësisht se debati aktual vendas i kushton pak kohë inflacionit, duhet të ridimensionohen ato cilësi të lidhura me vendimet kombëtare si për të rritur konsumin, ashtu dhe për të ulur ndikimin e tregjeve dhe politikave të huaja. Sovranë të jemi jo vetëm në politikë dhe diplomaci, por mbi të gjitha në ekonomi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura