Pesë gjobëvënie me foto nudo, në gjyq 19-vjeçari. Autori kurth me emër femre viktimës në Facebook

May 26, 2015 | 13:35
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundon hetimet ndaj një 19-vjeçari të akuzuar për gjobëvënie. Shtetasi Dasmir Gjomakaj, i hetuar në masën arrest me burg, akuzohet për kryerjen 5 herë të veprës penale të “shtrëngimit me anë të dhunës ose kanosjes për dhënien e pasurisë”.

Foto iluestruese

Sipas Prokurorisë, pasi ka siguruar disa foto intime të një shtetasi nga Tropoja, i pandehuri ka arritur t’i marrë shuma parash të dëmtuarit dhe telefona celularë, teksa e kërcënonte me publikimin e imazheve që dispononte. Hetimi ka nisur në datën 17 dhjetor 2014.

Sipas Prokurorisë, në këtë kohë ka bërë kallëzim shtetasi me iniciale M.M., banor në Tropojë. Ai ka shpjeguar se është shtrënguar për dhënien e shumave në para dhe telefonave përmes kërcënimeve për shfaqjen e fotove të tij në rrjetin social “Facebook”.

KËRCËNIMET NË FACEBOOK
Kërcënimet kanë nisur në vitin 2012, pasi i dëmtuari ka nisur të shkëmbejë biseda dhe foto me një person që kishte adresën në Facebook me emrin Ina A… Për shkak se fotot që ai ka nisur kanë qenë nudo, ai nga frika e publikimit të tyre është detyruar të plotësojë kërkesat që i janë bërë nga autori i ngjarjes, duke dhënë në fillim 10 000 lekë e më pas një telefon Samsung dhe një telefon Iphone.

Herën e fundit kërkesa i ka ardhur në datën 6.12.2014, nga adresa Ina A… ka qenë për 30 000 lekë. Ky person i paidentifikuar ka vazhduar me veprimet e tij kërcënuese, deri sa më 22 janar të vitit 2015, ai i ka kërkuar kallëzuesit edhe dorëzimin prej tij të gjysmë kilogrami hashash (kanabis sativa) ose të 200 eurove që i korrespondonte çmimit të gjysmë kilogrami kanabis, sërish përmes kërcënimeve për publikimin e fotove.

ARRESTIMI
Në këto kushte Prokuroria ka autorizuar kryerjen e veprimeve simuluese nga ana e Policisë Gjyqësore dhe në datën 13.2.2015, ora 15.00, shtetasi i dëmtuar M.M. ka vendosur një zarf të bardhë, brenda së cilit ndodhej shuma prej 200 eurosh, poshtë një kontenieri të ndodhur në qytetin e Bajram Currit. Vendosja e zarfit është bërë sipas kërkesës së personit që në Facebook përdorte profilin Ina A…Në orën 16.00, janë konstatuar dy persona në afërsi të kontenierit, përkatësisht Dasmir Gjomakaj dhe E.H., që vinin nga drejtime të ndryshme nga njëri-tjetri.

Njëri prej tyre, Dasmir Gjomakaj, është afruar pranë kontenierit dhe ka marrë zarfin e vendosur nga M.M. Më pas, ai ka vazhduar të ecë dhe ka takuar personin tjetër, E.H., dhe së bashku kanë ecur në drejtim të rrugës “Besëlidhja e Malësisë”. Në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e Policisë dhe kanë kryer arrestimin në flagrancë të shtetasit, i cili mori zarfin ku ishin vendosur 200 euro, i quajtur Dasmir Gjomakaj, si dhe të shtetasit tjetër që u takua më Dasmirin, i quajtur E.H..

Në momentin e arrestimit, shtetasit Dasmir Gjomakaj iu sekuestrua edhe zarfi me shumën prej 200 eurove. I arrestuari Gjomakaj ka pranuar faktin e ndodhur, por ka shpjeguar se nuk ka bashkëpunuar me njeri tjetër në kryerjen e krimit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura