Përleshje për parkingun në mes të plazhit të Spillesë, dy të plagosur

Jul 5, 2017 | 18:20
SHPËRNDAJE

Pesë persona janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm në mes të plazhit të Spillesë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, pas një debati për një parking automjetesh që përdorej nga dy lokale që ndodhen pranë zonës së plazhit, shkruan “Panorama”.

spille

 

Nga përleshjet kanë mbetur të plagosur me sende të forta dy persona, ndërsa mësohet se njëri prej tyre ka qëlluar me çifte në ajër.

Policia e Rrogozhinës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke shoqëruar 5 personat e përfshirë në konflikt, të cilët do të procedohen në gjendje të lirë. Mësohet se konflikti ka nisur nga djali i pronarit të njërit prej lokaleve, i cili ka debatuar fillimisht me rojën e parkingut.

Më pas pronarët e lokalit tjetër, që janë dy vëllezër dhe përdorin të njëjtin parking, janë përfshirë në konflikt, duke shkaktuar rrëmujë dhe panik edhe tek pushuesit që po drekonin aty.

Kanë qenë pushuesit që kanë lajmëruar Policinë rreth orës 12:00, duke telefonuar në numrin e emergjencave. Ata denonconin të shtëna me armë zjarri dhe plagosjen e dy personave.

Ndërsa burimet sqaruan se dy personat e plagosur kishin vetëm disa dëmtime të lehta me gurë, të cilët pas mjekimit u larguan për në shtëpi. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shkak i këtij konflikti ka qenë një pjesë toke në zonën e këtij plazhi, e cila është zaptuar dhe përdorur për parking nga ana e shtetasit Barush Biba”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut e markës “Bereta”, e cila ishte me leje.

KALLEZIMET

Policia e Rrogozhinës u njoftua të shtunën në mesditë për një konflikt në plazhin e fshatit Spille. Bëhet e ditur se personave të përfshirë në këtë konflikt u është marrë kallëzim pas shoqërimit në Komisariat.

Mësohet se këta persona janë: Pëllumb Kollçaku, 35 vjeç, dhe vëllai i tij, Hasan Kollçaku, 34 vjeç, të dy banues në lagjen nr.3, të Kavajës. Gjithashtu, edhe shtetasit, Latif Mosha, 20 vjeç, Fabio Biba, 16 vjeç, e babai i tij Barush Biba, 45 vjeç. Sipas Policisë, Latif Mosha, banues në fshatin Luz i Madh, ka deklaruar në Polici se është kanosur me armë gjahu dhe me fjalë nga vëllezërit Pëllumb e Hasan Kollçaku.

Por këta dy të fundit kanë deklaruar se janë vetëmbrojtur, pasi janë sulmuar e goditur me gurë nga Latif Mosha dhe Fabio Biba. Gjithashtu, policia i mori kallëzim edhe babait të dy vëllezërve, shtetasit Muharrem Kollçaku, i cili ka deklaruar se konflikti ka lindur si pasoje e pushtimit të tokës dhe përdorimit të saj për parking nga ana e shtetasit Barush Biba.

KONFLIKTI

Burime nga grupi hetimor sqaruan dje se sherri mes pronarëve të dy lokalëve ka lidhje me konkurrencën në biznes dhe faktin se të dy bizneset përdorin të njëjtën hapësirë për parkim automjetesh.

Por sipas dy vëllezërve Kollçaku, që kanë në administrim njërin lokal, roja i lokalit tjetër, të familjes Biba, i orientonte klientët drejt lokalit ku ai ishte i punësuar. Madje, në rast se ata nuk pranonin, atëherë ai nuk i lejonte që të parkonin makinat aty dhe i kthente mbrapsht.

Për këtë arsye, ata kanë debatuar me të, duke i thënë që të mos i pengonte më klientët. Ky debat është mësuar nga djali i pronarit të lokalit, i cili bashkë me rojën kanë goditur vëllezërit brenda lokalit të tyre, ku më pas është qëlluar edhe me armë gjahu në ajër.

ETLEVA DELIA/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura