Perëndimi, mbështetje Procesit të Berlinit dhe jo Open Balkans!

Aug 13, 2021 | 18:26
SHPËRNDAJE

MELAZIM KOCI

koci 2Pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës dhe mediave të afërta me të për të na shitur sapunin për djath, faktet janë kokëforta dhe dëshmojnë se Perëndimi mbështete Procesin e Berlinit dhe jo Open Balkans të Ramës dhe Vuçiçit.

Edi Rama dje manipuloj kur tha se Gjermania mbështetë Open Balkans.

Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë të ditura qëndrimet e SHBA, BE dhe Gjermanisë rreth kësaj çështje dhe askush jo që nuk mbështetë, por as nuk përmend Mini Shengenin ose Open Balkans.

Departamenti Amerikan i Shtetit: “SHBA mbështesin fuqimisht vijimin e përpjekjeve në Ballkanin Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së”.

BE:”Një proces me përfshirje të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”(Procesi i Berlinit v.j).

Gjermania: “Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik (Procesi i Berlinit) në Samitin e fundit më 5 korrik”.

Siç shihet në deklarimet e qendrave perëndimore të vendosjes potencohen Tregu i Përbashkët Rajonal, gjithëpërfshirja, dhe rregullat e standardet e BE-së, të gjitha të përfshira në Procesin e Berlinit dhe jo në Open Balkans.

Eksperti i njohur për çështjet e Ballkanit, Franz – Lothar Altman këto ditë deklaroi se Mini Shengeni ose Open Balkans, nuk ka lidhje me Procesin e Berlinit dhe shtoi: nën ombrellën e Procesit të Berlinit janë të përfshira edhe shtetet anëtare të BE-së, gjë që do të sillte vendosjen e një zone të gjerë ekonomike ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor, me lidhje ekonomike të ngjashme me ato që ka BE me Irlandën dhe Norvegjinë.

Logjikshëm shtrohet pyetja – pse Rama dhe Vuçiç anashkalojnë Procesin e Berlinit dhe avancojnë Open Balkans që nuk ka asnjë lidhje me BE?

Është hakmarrje për moshapjen e negociatave të BE me Tiranën dhe Shkupin?

A është i saktë dyshimi se Procesi i Berlinit është sabotuar nga Tirana dhe Beogradi, sepse me të Serbia obligohej të njihte segmente të caktuara të shtetësisë së Kosovës?

Pse Open Balkans pos Kosovës, refuzohet edhe nga Bosnja dhe Mali i Zi?

A është Open Balkans reinkarnim i sherreve dhe politikave të vjetra “Ballkani ballkanasve” dhe tentim për të margjinalizuar rolin e Perëndimit në këtë hapësirë?

Dhe kryesorja – a është Open Balkans tentim për të izoluar Kosovën dhe për ta goditur shtetësinë e saj?

Në vend të deshifrimit qëllimisht të gabuar të mesazhit të Gjermanisë për Open Balkans, KM i Shqipërisë Edi Rama do të bënte mirë që para opinionit të Shqipërisë, Kosovës dhe më gjerë të shpjegonte nëse këto dilema kanë bazë!

*Analist politik , ish-kryeredaktor i radios “Europa e lire” ne Pragë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura