Për një urim realist

Dec 30, 2012 | 10:37
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Rasti më i volitshëm për t’i uruar dikujt gjëra e ngjarje shumë të mira është, pa asnjë dyshim, përveç ditë-lindjes, martesës e lindjes së fëmijëve, edhe ai i festave fetare dhe, sidomos, i asaj të Vitit të Ri. Të gjithë u urojnë të gjithëve, njëkohësisht apo veç e veç, shëndet në radhë të parë, pastaj paqe, punë, begati, gëzime e lumturi në familje dhe në shoqëri. Këto lloje urimesh ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, aq sa krijohen shabllone, klishe, gati stereotipa, studimi i të cilëve, me gjasë, do të paraqiste interes nga pikëpamja psikosociologjike. (Kështu, për shembull, më kujtohet kur isha mësues në Gramsh në vitet 1976-1979, shumica e kartolinave që më vinin nga nxënësit për Vit të Ri fillonin me fjalët “Frynte era që përjashta, rrihte perdet e mëndafshta, mos kujto se të harrova, kartolinën ta dërgova” e pastaj vijonin urimet shabllon me shëndet, gëzim, lumturi e suksese të mëtejshme etj., etj.).
Sidoqoftë, më e pakta që mund të thuhet, por njëherazi edhe më e pamohueshmja, është se urimet, pavarësisht rastit në të cilin formulohen e i dërgohen dikujt, janë maksimaliste, sepse tjetrit i urohet të gëzojë shëndet të plotë, të gëzohet e të lumturohet, të ketë begati dhe, këto dy dekadat e fundit, “shuuuuuuuuuumë” para, siç e theksoja të dielën e kaluar në të njëjtën rubrikë si sot. Pra, urojmë maksimalen, më të skajshmen e gjërave të mira, çka duket krejt normale në vështrim të parë dhe të fundit.
Mirëpo, këqyrur nga një kënd tjetër, e keqja e urimeve të tilla është se ato, në jo pak raste, madje shpesh, janë zhgënjyese: njeriu kërkon përherë më të mirën si për vete, ashtu edhe për të dashurit e tij, prandaj e uron atë nganjëherë edhe me pangopësi, por ja që jeta u treguakësh e kursyer në plotësimin e dëshirave apo të urimeve të tij maksimaliste. Kalojnë vitet, festat e dehashpirti që ato sjellin, dhe njeriu, tek bëhet esëll të nesërmen e tyre duke vërejtur se zhgënjimet nuk i ndahen, konstaton gjithashtu se këto të fundit shoqërohen dora-dorës me një ndjenjë të bezdisshme që ngjason, herë më shumë e herë më pak, me neverinë.
Pikërisht në këtë kuadër, para pak ditësh, në këtë vigjilje festash të fundvitit, tek mendoja krizën botërore dhe faktin që edhe vendi im, vendi yt, vendi ynë, o lexuesi im i vëmendshëm dhe besnik, i ndien pasojat e saj, tek mendoja të sëmurët që nuk kanë para të paguajnë ato ilaçe që mungojnë në spitalet publike, tek mendoja nënat e etërit që i shohin fëmijët gjysmë të privuar nga kërkesat e tyre të ligjshme por me kosto të lartë, tek mendoja të ardhmen e vështirë të shumë prej studentëve të mi, tek mendoja papunësinë e të rinjve, shtrëngimrripin e pensionistëve, mundësinë e mundimshme për çiftet e reja për të pasur një shtëpi të denjë për ëndrrat e tyre, tek mendoja, pra, dhimbjet e popullit tim, më vetëtiu në kokë diçka e pazakontë që, ndoshta, do të më vlejë kritikat e publikut leximtar, por që nuk mund ta mbaj vetëm për vete. Po shpjegohem:
Ne kemi vite, dekada, me siguri edhe shekuj që për festat themelore të njeriut, përfshirë edhe ato të fundvitit, bëjmë urime maksimaliste, të cilat, detyrimisht, për arsye subjektive, por edhe objektive, nuk mund të realizohen të gjitha. Kjo do të thotë se nuk jemi realistë në formulimin e tyre maksimalist, veçanërisht sot në kushtet e krizës jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore që ka pllakosur mbarë planetin tonë fatkeq. Atëherë, përse të mos formulojmë, të mos u bëjmë e të mos u nisim të dashurve tanë urime minimaliste të tilla si: “Me rastin e ditëlindjes (diplomimit, martesës, emërimit në punë, festave fetare madhore, Vitit të Ri etj., etj.), të uroj me gjithë zemër që të sëmuresh e të shtrohesh në spital sa më rrallë, të kesh sa më pak andralla, telashe, hidhërime, pezmatime e zhgënjime, të të nxjerrin në pension sa më vonë të jetë e mundur, të të pushojnë sa më rrallë nga puna, të ta vjedhin me sa më pak zarar shtëpinë, dyqanin apo veturën, të ta kërkojnë sa më vonë borxhin që ke marrë (në mos ta harrojnë fare)”, e plot e përplot urime të tjera të kësaj natyre, të këtij lloji e të këtij frymëzimi, pa harruar diçka po aq thelbësore: Do të ishte mirë që, qysh nesër në mesnatë, shprehjen bombastike, maksimaliste, gati cinike “Gëzuar Vitin e Ri!” të fillojmë ta përdorim më rrallë në urimet tona, duke e zëvendësuar me shprehjen minimaliste, ndonëse dramatike – për të mos thënë tragjike –, por realiste gjithsesi: “Sa më pak hidhëruar Vitin e Ri!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura