Për 33 Kryeministrat shqiptarë

Nov 24, 2015 | 12:13
SHPËRNDAJE

apollon-baceAPOLLON BAÇE

1. Libri i Roland Qafokut, “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë, nga Ismail Qemali tek Edi Rama”, ka një formë tejet vetjake. Ai paraqet një ndërthurje të ngjarjeve politike të kohës me tabelat me gjatësinë dhe peshën e kryeministrit, rrogat e tyre me vdekjen e kryeministrave dhe shkakun e vdekjes së tyre (përjashtuar 9 kryeministrat postkomunistë, falë Zotit ende në jetë). Ndërkohë këto të dhëna tabelare, sado kurioze, mbeten ende gjeometrike, sumbulla në kostumin e kryeministrit në fjalë.

Bosht i librit, kuintesencë dhe kolonë vertebrale, janë mendimet e shkruara të kryeministrit përkatës për veten dhe Shqipërinë, miklimet e dashamirëve (jo panegjiristëve) për të, shpotitë e kundërshtarëve (jo armiqve) dhe opinionet e atyre që kanë për zanat opinionizmin. Si të tillë kryeministrat vështrohen dhe peshohen nga çdo rakurs dhe angolacion, nga çdo pikë e mundshme vlerësimi. Dhe këtu, si rrallëherë në këto raste, autori qëndron neutral, pa klasifikuar asnjërin nga këta kryeministra, as Esat Pashën, as Turhan Pashën, as Aleksandër Meksin, as Edi Ramën si të dobishëm, të padobishëm a të dëmshëm.

Ai ia lë gjykimin lexuesit, si në batutën e Putinit “falja a mosfalja e Isistëve është e drejta e Allahut, detyra ime është që t’i çoj tek ai”. Autori është i ftohët, pa parti pris: pa paragjykime, paramendime a parabindje. Me asnjanësinë pak a shumë objektive të objektivit të aparatit fotografik, i cili fikson atë që është ashtu siç është. Historinë e 33 kryeministrave dhe Shqipërisë së pavarur të qeverimit a sundimit të 33 kryeministrave, ai e shtjellon nëpërmjet seleksionimit neutral dhe aksiomës për vlerësimin e faktit, peshë ka vetëm pesha e faktit.

Ata që janë marrë me historiografi e dinë mirë se po nuk pate asnjë fakt e të dhënë, nuk ke çfarë shkruan, por ata e dinë po aq mirë se po u inondove nga të dhënat (jo rrallë edhe të kundërta) e tëra nis të notojë zigzag. Se si e ka përballuar autori këtë diluvium, ai e di. Shpjegimi se ka punuar mbi 11 vjet arkivave dhe bibliotekave nuk do të ishte bindës nëse atij nuk do t’i shtohej intuita mediatike.

2. Në vitin 1948, çmimin “Pulicer”, një nga më të lartët e letërsisë dhe gazetarisë amerikane, e fitoi seleksioni i ditarëve të nëndetëseve amerikane në luftën e 2të. Kjo pasi fakti i zhveshur është shumë më emocionues dhe bindës, sesa komenti i faktit (desnuda a vestida qoftë). Ende sot e kësaj dite vazhdon diskutimi nëse janë vepra arti gipset e Pompeut me atë çiftin e moshuar të përqafuar para vdekjes dhe skllavin dhe qenin, të cilët zinxhirët nuk i linin të largoheshin nga përcëllimi së gjalli. Dikur, nuk e di pse, pata lexuar tejet shumë për historinë e Bizantit, por e tëra (Beteja u zhvillua në rrethinat e …, në muajin… të vitit… , fillimisht supremacia…) qëndronte dyst, pa reliev dhe pa lëvizje. Rastësia e solli të lexoja një broshurë as 25- faqëshe folk poetry-je shumë të rrallë bizantine.

Dhe befas me aritmetikën (u vranë e u prenë x ushtarë në y vend) u përzien dhimbja dhe e qara, gëzimi dhe e qeshura dhe kjo lindi dimensionin e tretë dhe modelin plastik dhe bashkë me të, edhe dimensionin e katërt (kohën), e cila vuri në lëvizje modelin plastik. Pikërisht këtë arrin të krijojë edhe “Historia e 33 kryeministrave”. Nëpërmjet paradës së fakteve, vlerësime/kundërvlerësimeve, duke u shtuar atyre pak baharat ngucakeqsije dhe një çikë gossip, thashethemnajë të lehtë (prezente që nga koha e gjarprit, Adamit dhe Evës), ai i jep ngjyrë, aromë dhe vërtetësi së shkuarës. Diku edhe llahtar.

3. Libri nis me citatin e të fundmit të Rilindësve të parë, Kryeministrit Nr. 1, Ismail Qemal Bej Vlorës: “Veziri i Madh më ofroi një portofol në qeveri. Por nuk e kisha vendin aty, e kisha tek atdheu, të cilit i kisha borxh t’i shërbej deri në fund”. Penelin për portretizimin e kryeministrit Nano, autori ia lë në dorë artistit kryeministër Rama, penelata e të cilit arrin caqet e së përsosurës: “Je si fëmijë që kur pushtetin e sheh si lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kunjën tënde derisa e merr lodrën, por me ta marrë ulesh për tokë dhe e zbërthen çika-çika derisa s’të mbetet gjë.”

Sërishmi, për rastësi a simbolikë fatale, libri mbyllet me citatin e të parit të Rilindësve të fundit, Kryeministrit nr. 33, Edi Rama: “Kam një problem me vdekjen. Vjen nga fakti që jam një artist. Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk i çaj kryet për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes”.

Shprehje kjo fare e ndryshme nga e Ismail Qemalit “kam borxh t’i shërbej deri në fund atdheut”, por mjaft e ngjashme me shprehjet e quajtura Herostratic-e (sipas Websterit famë me çdo çmim), sipas emrit të Herostratus-it, i cili për t’u bërë i famshëm bleu qenin më të shtrenjtë të Hefesit dhe kur nuk po flisnin më për të, i preu bishtin qenit më të shtrenjtë të Hefesit, dhe kur qeni më i shtrenjtë bishtprerë i Hefesit, më 21 korrik 356 p.e.s. dogji tempullin e Artemisit dhe e zgjidhi problemin e pavdekësisë. Këtu, pasi autori e shpërblen lehtas veten me pak cinizëm të lehtë: “Edi Rama bëhet kryeministri i parë i Shqipërisë që flet për vdekjen”, libri mbyllet.

4. Autori kërkon dhe gjen përkufizimet (ose autopërkufizimet) më koncize dhe të sakta të mundshme. Ai nuk i hyn debatit të pavlerë për vlerat e kryeministrit Enver Hoxha, duke sjellë për ilustrim autokornizën e zdruguar nga vetë Hoxha, poezinë: “Djalo ka vdekur Stalini, mendjeholli, zemërtrimi. E kish caktuar Lenini, të forcohej komunizmi”. Brilant, askush nuk do mund ta përkufizonte kaq lakonikisht nulitetin e vetvetes. Ai nuk ndalet në shpështjelljen e “luftës së klasave”, vetëm se vë në dukje se birit të rilindasit Aqif Pashë Biçakçiu (nga rilindasit e parë dhe jo të dytë si p.sh. rilindasi Taulant Balla), kryeministrit Ibrahim Biçakçiu, dy laurat universitare nuk i mjaftonin për postin e rojtarit të varrezave, por vetëm për atë të pastruesit të banjave publike.

Gati luftën civile të piramidave, ku u vranë 2800 veta (në përqindje popullate dy herë më të madhe se humbjet e amerikanëve në Kore, Vietnam, Afganistan dhe Irak toptan bashkë), ai e ilustron me citatin lakonik të ministrit të Mbrojtjes, Zhulali: “Dosja e 97” nuk ka për t’u hapur kurrë. Për atë që ndodhi demokratët ishin përgjegjës, socialistët fajtorë”. Shkurt, në përshtatje me formulën e betimit në gjyqet amerikane “do them të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe gjithë të vërtetën (dhe kjo e fundit ka shumë rëndësi)”.

Autori synon të sjellë tërë momentet kulmore të së vërtetës. Nuk e di se çfarë e ka shtyrë, vullneti, durimi, a intuita mediatike, por mendoj së pari integriteti intelektual. Në mbyllje, duke hyrë lehtë në lojën e shifrave të emisioneve televizive të autorit, do ndalesha te numri 33 si numri atomar i helmit arsenik, numër simbol i Ku Klux Klanit dhe mosha e Krishtit të kryqëzuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura