Pensionet, deri në 20 për qind shtesa për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët

May 29, 2019 | 10:37
SHPËRNDAJE

Duke nisur nga muaji qershor, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të nisë aplikimin e shtesës për minatorët, naftëtarët dhe metalurgët.

Ligji, i cili mori dritën jeshile në seancën parlamentare të së enjtes, parashikon deri në 20 për qind rritje në masën e përfitimit për 23 400 pensionistë. Thënë kështu, pasi shtesa varet nga vitet kontributive të gjithsecilit. Që do të thotë se, për minatorët që kanë 15 vite pune në minierë, shtesa do të jetë 15 për qind, ndërsa ata që kanë 20 vite, masa e përfitimit rritet me 20 për qind e kështu me radhë.pensionet

Kjo, sepse ligji parashikon që për këtë kategori, shtesa e aplikuar të jetë 1 për qind për çdo vit pune në nëntokë. Për naftëtarët dhe metalurgët, rritja e miratuar është me 0.6 për qind, ndërkohë që kërkohet një prag minimal kontributesh me 20 vite brenda sektorit për burrat dhe 15 për gratë, në këtë mënyrë edhe rritja varion minimalisht nga 9 deri në 12 për qind.

SHTESA

Ndonëse vendimi hyn në fuqi në muajin qershor të këtij viti, Qeveria i ka bërë të qarta edhe kushtet kur mund të përfitohet. Përveç pragut kontributiv që për minatorët është 12.5 vite dhe për naftëtarët dhe metalurgët 15 vite për gratë dhe 20 vite për burrat, është caktuar edhe një kusht tjetër, mosha e daljes në pension.

Në këtë mënyrë, duhet që pensionistët që i përkasin këtyre tri kategorive të kenë mbushur moshën e daljes në pension. “Duhet të jetë e qartë që shtesa mbi pension do të përfitohet pas mbushjes së moshës normale për pension, të përcaktuar në ligjin për sigurimet shoqërore, pra, 65 vjeç për burrat dhe 61-63 vjeç për gratë.

Kjo, për faktin që këto nuk janë para kontributive, por para publike nga taksat e përgjithshme dhe nuk mund të jepen para moshës së pensionit. Me këtë ligj përfitimi është bërë duke dalë para kohe në pension”, ka pohuar ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

“Përjashtim bëjnë pensionet e lidhura pas vitit 2014, kjo sepse masa e përfitimit për ta është e ulët. Për pensionistët minatorë që kanë dalë në pension sipas ligjit 150/2014 dhe që më parë kanë marrë trajtim të veçantë, e drejta e shtesës mbi pension u lind që nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit dhe jo kur mbushin moshën 65 vjeç. Kjo, për arsyen se ata kanë dalë me më pak vjetërsi në punë në nëntokë dhe për rrjedhojë kanë pensione të ulta. Janë 1900 persona që përfitojnë”.

NDRYSHIMET

Sipas ndryshimeve të bëra në vitin 2014, minatorët dalin në pension në moshën 55 vjeç.

Ndërsa për naftëtarët dhe metalurgët, mosha e daljes në pension për gratë është 58 vjeç, ndërsa për burrat 60 vjeç. “Në vitet e përgjithshme të sigurimit, përveç punës në industrinë minerare dhe në ish-ndërmarrjet shtetërore apo në sektorin privat, janë përfshirë edhe puna në ishkooperativa, vetëpunësimi në bujqësi si dhe koha e trajtimit të tyre me pagesë papunësie, në asistencë apo në trajtim financiar të veçantë, periudha, për të cilat është paguar kontribut minimal nga vetë përfituesit ose janë mbuluar me kontribute minimale nga shteti”, thuhet në relacionin që shoqëron ligjin e ri.

STATUSI I NAFTËTARËT

Qeveria ka rrëzuar edhe statusin e naftëtarët dhe përfitimet që rridhnin prej tij. I miratuar dy vite më parë, tashmë me zyrtarizimin e këtyre ndryshimeve, naftëtarët do të trajtohen me të njëjtat kushte si minatorët dhe metalurgët. “Vendosja e një skeme të njëjtë trajtimi për të gjitha kategoritë e punëve e të pensioneve tepër të vështira është i vetmi parim që justifikon përdorimin e fondeve buxhetore për mbulimin e pagesave, për më tepër të pagesave shtesë.

Shtesat e përfituesve për industrinë mekanike të naftës si dhe ndryshimet në përcaktimin e moshës së përfitimit për disa kategori përfituesish, të evidentuar në vendimin nr.526/1958, të Këshillit të Ministrave, jo vetëm që sjellin padrejtësi, rëndojnë kostot, por janë të vendosura me mendime dhe diskutime të pabazuara në studime të mirëfillta, ashtu siç janë ndërtuar e vendosur në vendimin nr.526/ 1958, i cili është zbatuar për rreth 60 vite”, thuhet në relacion. Më herët, edhe ministrja Denaj dha këtë argument.

“Në lidhje me ndryshimin e statusit të naftëtarit, vlen argumenti i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e vendimit për kundërshtimin e ligjit për statusin e ushtarakëve. Përfitimet e premtuara në statusin e naftëtarit nuk bazohen në kontribute të paguara, por në përfitime që subvencionohen totalisht nga taksat e përgjithshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura