Pazotësia me i dalë përzot vendit përzot vendit

Aug 13, 2021 | 8:42
SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJ

Ndue-Dedaj

Ra tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ne treguam se jemi të pazotët për ta përballuar që në hapat e parë katastrofën pa ndihmën e të tjerëve, veçanërisht të vëllezërve nga Kosova. Nuk ia dalim për asgjë “me forcat tona”, jo se nuk e kemi aq forcë, po të parapërgatitemi pa ngjarë e keqja. Ka pasur aq përmbytje në zonën e Bregut të Bunës etj., por banorët kanë “notuar” me shtëpi e me kafshë për ditë të tëra mes ujërave, derisa ato janë tërhequr vetë. Ranë dhe zjarret e këtij viti, shumë më agresive se vitet e tjera, prapë e njëjta pazotësi për të (mos)vepruar shpejt dhe me efikasitet. Shkurt, nuk jemi asnjëherë në vendin dhe në kohën e duhur, në raste fatkeqësish natyrore, sidomos kur ato bien në kohë vere. Si t’ia bësh, a mund të lihet plazhi, që njëherë në vit është?! Po dhe zjarret atëherë kanë “kohën” e tyre…

Vendit tënd nuk i dilet përzot vetëm nëse sulmohesh nga kufiri. Ai është atdhe dhe kur e sulmon zjarri nga Jugu e Veriu, duke shkrumbuar mijëra ha pyje, pemëtore etj. Është e tmerrshme të shohësh për dy javë Karaburunin në flakë, duke rrezikuar seriozisht dhe Llogoranë, këtë bjeshkë të pashoqe përballë Jonit, apo malin e Rrunës mbi tunelin e Thirrës e Kalimashit etj. Duket se i sigurt nga flakët është vetëm deti, por jo dhe bregdeti i shpërdoruar dhe ndërtuar keq. Ka pasur zjarre në çdo kohë, po kurrë kaq masive. Është një temë më vete se pse dhe nga kush shkaktohen gjithë këto vatra zjarri njëherësh.

Nuk është vetëm vala e nxehtë e gushtit apo “ngrohja globale” që na vë flakën, por në radhë të parë papërgjegjshmëria jonë qytetare dhe shtetërore. Ne nuk e luajmë veshin po qe se nuk na digjet “kasollja” vetjake. Për çudi deri tani është thënë se janë disa piromanë që i vënë flakën pyllit, tash ka nisur të thuhet se pas zjarreve fshihen qëllime të tjera, për të liruar toka për ndërtime, për të zhdukur gjurmët e ngastrave të kanabisit, pas vjeljes së korës së re etj. Megjithatë, asgjë nuk është thënë deri më sot nga organet ligjzbatuese në këtë drejtim, thjesht publikut i raportohet nga Policia se është shpallur në kërkim apo është ndaluar ky apo ai fshatar i zonës, që dyshohet se ka vënë flakët këtu apo atje për të çliruar kullotat nga ferrat.

Nuk përjashtohet as pakujdesia apo abuzimi i banorëve të veçantë, por në ka njerëz që janë të interesuar vërtet për pyllin, janë pikërisht barinjtë dhe fshatarët që kanë jetesën të lidhur me natyrën. Njerëzit e maleve kanë pasur eshkë e urorë dhe në motet e largëta, por Rama e Berisha u flasin dy audiencave përjashtuese të njëra-tjetrës vijon nga faqja 1 EDUARD ZALOSHNJA Pazotësia me i dalë përzot vendit vijon nga faqja 1 NDUE DEDAJ lisat e tyre janë bërë disashekullorë, kurse “njeriu i ri” i sotëm është tjetër, mjerisht ai është zhvatësi dhe “groposësi” i natyrës, pa i hyrë ferrë në këmbë.

Kjo është njëra anë, por ka dhe problematika të tjera po aq të mprehta, që po nuk u trajtuan në harmoni, flakët zor se do të ndalen. Mali, që dikur shihej si hambar, tash jo vetëm është braktisur e lënë në mëshirë të fatit, por trajtohet si një mall pa zot për t’u zhvatur, kush çohet më herët. Në fillim pyllit iu prenë pishat dhe ahet me “leje” qeverie, pastaj po me bekimin qeveritar u lejua ndërtimi i hidrocentraleve mbi çdo përrua, mineralet po e po vijojnë të grabitën nga kapitalistët që nuk bëjnë asnjë investim për komunitetet lokale, se e kanë lidhur kalin lart në qeveri. Ndodhi ajo që kishte qenë e palejueshme më parë: u vu dorë me zjarr e pa zjarr mbi pasurinë publike, kombëtare. Ka plot që i hakërrehen kanunit si arkaik etj., por ai kishte qenë i prerë në kohën e tij: “Shkaf kanë ndreq të parët, nuk kanë tagër me e prish të mramët”. Por ajo vetëdije popullore është bjerrë, sot nuk ka vullnet dhe angazhim shtetëror, ligjor për të administruar e ruajtur çdo lis e gur të kësaj toke.

Ne pamë këto ditë vetëm ministrin e Mbrojtjes në terren, zyrtarin e lartë më të “palidhur” me pyllin për nga funksioni, por nuk pamë dhe atë të Mjedisit etj. Në të vërtetë kush i ka në “tapi” ligjërisht pyjet, ujërat, territorin? A i ka vënë ligji pikat mbi “i”, jo vetëm për rastet e emergjencave? Nuk mund të mbrohet pylli nga flakët nëse ai nuk mbrohet përditë, gjatë gjithë vitit, me strategji, logjistikë, trajnim të personelit pyjor, zjarrfikës etj. A kemi organizimin e duhur shtetëror sa u përket pyjeve, ujërave, kullotave, guroreve, minierave etj.? Në ç’standard dhe sa eficent është shërbimi pyjor? Cili është realisht vendi dhe roli i pushtetit vendor në këtë mes? Si mund të lihet gjithë hapësira pyjore pa u vrojtuar tre muajt e verës, thuhej këto ditë nga specialistë të pyjeve. Dikur pyjet i kishin stacionet pyjore në lartësi mes pishave, çka do të thotë se punonjësit pyjorë e kishin zyrën në mal dhe jo në asfalt. Ndryshe do të ishte puna nëse njerëzit e paguar të pyjeve do t’i kishim të vendosur në Llogora, Tomor, Tërbun. Por ka gjasë që dhe ato tabelat “Mbroni pyjet nga zjarri”, që kanë qenë në çdo shteg, sot t’i shkruajmë me projekte të donatorëve të huaj. Shteti shqiptar qysh në fillimet shekullit XX ka pas dërguar në Itali e Austri të rinj në kurse e shkolla pyjore, pa bërë fjalë për më vonë, me Shkollën e mesme Pyjore të Shkodrës, Fakultetin e Pyjeve etj. “Tekniku i pyjeve” si pakkush ishte me status të veçantë në popull.

Mbi të gjitha, është dëmtuar rëndë marrëdhënia e njeriut me natyrën. Sot fëmijët rriten në qytete e qendra të tjera urbane, larg shushurimës së lumit, lëndinave e krojeve, ku gjallin një botë tjetër nga ajo e bulevardeve, lulishteve dhe parqeve, edhe pse po pakësohen përherë e më shumë hapësirat e blerta, në këmbim të pallateve shumëkatëshe. Kohën e qëndrimit të përditshëm të njeriut në natyrë e kanë zënë shëtitjet familjarisht në fundjavë, shtegtimet e rralla të të apasionuarve në male dhe kaq. Me 1 janar në mesditë Tirana u shpërngul në Dajt, veç për ca larëzime dëbore, sa mezi qarkullonin veturat, kaq e kërkuar është natyra. Por ajo nuk mjafton të soditet, duhet t’i japësh që të japë. Keni dëgjuar të bëhen më punime pyjore? Jo. Duket si moralizim, por po mbolle vetë, do ta ndjesh vërtet tënden natyrën dhe “piromanët” do të duken një hiç. Çështja është se ngado që ta marrësh ka indiferencë dhe pazotësi për t’i dalë përzot pasurisë së vendit. Nëse zjarret do të shihen si ca flakë që shuhen pas ca kohësh, më shumë nga shirat sesa nga njeriu, duke lënë ato “hartat” e zeza nëpër pyje, asgjë nuk kemi zgjidhur për verën tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura