Pas Zani Çaushit, Gjykatës i drejtohet edhe kundërshtari “Gaxhai”, kërkon ulje dënimi. Kush është Gazmend Braka dhe tentativa e arratisjes nga “302”-shi

Jul 15, 2020 | 14:31
SHPËRNDAJE

gaxhai

XHENTILA GJOSHI/ Të dënuarit me burg përjetë kanë nisur të bëjnë kërkesa në gjykatat përkatëse për lirim nga qelia apo për ulje të dënimit.

Kështu, pas Zani Çaushit që kërkon lirinë në Gjykatën e Korçës, edhe kundërshtari i tij, Gazmend Brakaj, i njohur si “Gaxhai”, i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për uljen e dënimit me 90 ditë.

Kërkesa e kapobandës së Vlorës është depozituar në Gjykatë më 6 mars 2020 dhe në datën 8 korrik 2020, gjyqtarja e çështjes, Miranda Çekrezi, ka vendosur të pushojë gjykimin për uljen e dënimit të “Gaxhait”, për shkak se nuk ishte paraqitur avokati i tij mbrojtës.

Nëpërmjet këtyre kërkesave për ulje dënimi dhe nëse ato do pranohen nga Gjykata, “Gaxhait” shumë shpejt i hapet rruga për të kërkuar lirimin me kusht pasi llogaritja e dënimit fillon qysh prej datës 29 qershor 1999 kur është arrestuar në Durrës, vetëm pak momente pas vrasjes së dy shokëve të Lulzim Berishës, Ilir Paja dhe Arben Xhunga.

Kujtojmë që “Gaxhai” është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe dënimin e vuan në Burgun e Peqinit.

Ai ka dy dënime me burg përjetë, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës, dhe i dyti për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari, dhe policit Viron Rrapaj.

Të dyja këto vendime, “Gaxhai”, më datë 23 mars 2018, i ka bashkuar në një të vetëm. Duke qenë se ai ka kryer më shumë se 20 vite burg, “Gaxhai” tashmë do të nisë rrugëtimin e tij në Gjykatë deri sa përfundimi të jetë dalja e tij nga burgu.

Dhe kërkesa e tij për lirim pritet të vijë fill pasi Gjykata do të vendosë nëse do ‘ti ulë dënimin me 90 ditë apo jo, kërkesë kjo që pritet të përsëritet sërish nga i dënuari.

KUSH ËSHTË “GAXHAI”

Emri i tij i vërtetë është Gazmend Braka. Prej më shumë se 20 vitesh, një prej personazheve të njohur të botës së krimit qëndron i mbyllur në qeli. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh në qytetin e Vlorës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Po ashtu, është një nga të dënuarit, i cili ka tentuar të paktën tri herë të arratiset nga burgu. Hera e fundit është ajo e vitit 2005, ku tentoi të largohej nga Burgu 302 përmes një tuneli. Që prej atij momenti, duket se një prej të fortëve të qytetit bregdetar të Vlorës është pajtuar me fatin e tij. Ndërkohë që, familja e tij mësohet se nuk jeton në Shqipëri, por në Gjermani. Gazmend Braka është babai i tre fëmijëve, një vajzë 19 vjeçe dhe dy djem, njëri 13 dhe tjetri 17 vjeç.

ARRESTIMI

Gazmend Braka u arrestua në vitin 1997 për kryerjen e një sërë krimesh në emër të organizatave kriminale, me bazë në qytetin Vlorës. Banda e drejtuar prej tij ishte me qendër në Cerkovinë, ndërsa krimet kryheshin në mënyrë të organizuar në të gjithë qytetin. Në Vlorë u krijuan disa grupe kriminale, me të cilat Gaxhai ishte në rivalitet. Kundërshtari më i madh për të ishte banda e ngritur dhe drejtuar nga Zani Çaushi.

Është dënuar nga të gjitha shkallët e gjykimit me burgim të përjetshëm. Këtij dënimi, në vitin 2005 iu shtua edhe ai për tentativë arratisje.

Në grupin e Gaxhait bënin pjesë: Armando Sulejmani, Sokol Sinomati, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu. Këta të fundit morën të gjithë nga një dënim me 25 vite burg. Që nga momenti kur Gaxhai u dënua me vendim të formës së prerë, emri i tij është përmendur shumë rrallë në media./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura