“Pas sediljes pashë një këmishë të gjakosur”- Rudina Hajdari tregon episodin me të atin e ndjerë: Edhe sot si në diktaturë shqiptarët punojnë për një grusht njerëzish

Sep 12, 2022 | 19:04
SHPËRNDAJE

Nga sheshi “Demokracia” në qytetin Studenti në Tiranë, Rudina Hajdari kujtoi të atin e ndjerë Azem Hajdari duke i dhënë një vend të veçantë rolit të Besim Çerës pranë tij.

Ajo ndau një kujtim nga fëmijëria kur i ati e merrte çdo ditë nga shkolla. Rudina Hajdari tha se një ditë në vend të të atit e mori nga shkolla një makinë pasi i ati ishte plagosur në parlament.

“Besimi ishte një njeri fjalë pak. Udhëtonte me babin kudo. Kur vinte në shtëpi i thoshte mamasë të lutem mos shtro, mos bëj asgjë. E dinte që në shtëpinë tonë vinin shumë njerëz dhe nuk donte që ta lodhte mamin më tepër. Besimi do mbetet njeri më i pandashëm për Azem Hajdarin. Një kujtim tjetër që dua të ndaj me ju është nga fëmijëria ime.

Kur isha fare e vogël ndoshta në moshën e Sihanës babi më merrte nga shkolla dhe donte që të isha më e mira me mësime. Vinte dhe më merrte nga shkolla. Një ditë ai nuk erdhi. Prita gjatë në oborrin e shkollës. Erdhi një makinë. Pas sediljes pashë një këmishë të plagosur. Babin e kishin plagosur në parlament. Shkova dhe e vizitova. Babi më tha çfarë note more sot. Mendova si në atë gjendje mund të kujdesej akoma për mua. I tillë ishte ai. Kujdesej për të gjithë që kishte përreth.

Asgjë nuk mund ta ndalte atë ndaj përkujdesit që kishte për njerëzit. Në udhëtimet e mia në Shqipëri kudo i kam gjetur gjurmët e tij. Ka lënë shenjë me forcën e logjikës së tij, me guximin që e karakterizonte. Në çdo cep të Shqipërisë më kanë treguar një kujtim. Për këtë jam shumë krenare. Disa këtu janë të rinj. Ai ishte fare i ri kur ngriti krye ndaj regjimit më të egër. Kush e ka jetuar atë kohë e di mirë se çfarë guximin duhet për t’u përballur me regjimin. E di shumë mirë çfarë do të thotë të organizoje studentët. Ai sakrifikoi kaq shumë nga vetja e tij. Çfarë e motivonte?

Çfarë mund të bëjmë ne sot që të ecim në atë rrugë. Në jetën time kam menduar që Azemi jetonte për tre gjëra, familjen, atdheun dhe lirinë. E urrente komunizmin mbi çdo gjë tjetër. Sepse përdhosi familjen duke i vendosur anëtarët e saj kundër njëri tjetrit. Komunizmi e përdori atdheun për të jetuar mirë vetëm një grusht njerëzish në bllok dhe duke zhdukur pjesën tjetër në varfëri”, tha ajo.

Rudina Hajdari tha se edhe sot po rrënjoset i njëjti regjim si në kohën e diktaturës ku punohet për një grusht njerëzish ndërsa pjesa tjetër jetojnë në mjerim.

“Edhe këta sot jetojnë si në Bllok vetëm se kanë ndryshuar vendin dhe kanë lëvizur në kodra. Po privojnë lirinë e shqiptarëve duke i përndjekur me patronazhista. Jepni vlerë moshës, energjisë, rinisë që keni brenda jush. Nuk ka pushtet që ka fuqi të përballet me rininë. Nëse doni një model ja ku e keni Azemin. Nëse ai mundi atëherë,ju mundeni sot. Ne mundemi sot. Ky ishte një mesazh që unë doja ta ndaja me ju”, tha Rudina Hajdari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura