Pas luftës me sëmundjen, Hajrie Rondo rikthehet në teatër

Jun 2, 2015 | 11:48
SHPËRNDAJE

Hajrie Rondo gjatë një interviste të dhënë vitet e fundit, pas rikthimit
Çfarëdo të kalojë në jetën e tij, aktori nuk mund t’i ndahet asnjëherë skenës, së paku jo shpirtërisht. Aktoren Hajrie Rondo, në këto vite që qëndroi e larguar prej saj, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, e mbajti të gjallë, përveç dashurisë së familjarëve, ideja se një ditë do të ishte sërish në skenë. Është një forcë që ndofta pak prej nesh mund ta kuptojnë. Deri pak kohë më parë, rikthimi në profesion, mund t’i dukej ëndërr, por ja ku është sot, përpara publikut, nën petkat e një personazhi të ri. “Seks vetëm për festa” quhet komedia që e risolli Rondon përgjatë gjithë kësaj fundjave në “Teatrin Eksperimental” Kujtim Spahivogli, me regji të Leka Bungos. Një histori shqiptare shkruar gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku ndan jetën regjisori, do të sjellë paradokset e një jete për mbijetesë. Vepra është ngjitur fillimisht në skenën e teatrit “Bylis” në Fier. Ngjarjet e komedisë ndodhin në një familje emigrantësh shqiptarë, e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miss Keth dhe familja e saj sigurojnë jetesën falë një biznesi të veçantë.
Hajrie Rondo në shfaqjen “Seks vetëm për festa”
Duke shfrytëzuar nënshtetësinë amerikane, Keth është martuar dhjetëra herë me emigrantë ilegalë, të cilët kanë paguar shuma të majme. “Viktimat” e fundit, dhëndri nga Kina, Afrika dhe ai nga Lazarati i Shqipërisë, janë protagonistë të kësaj komedie plot humor dhe mesazhe ndërgjegjësuese për krizën që po kalon shoqëria. Në komedi interpretojnë aktorët Miola Sitaj, Astrit Hasani, Ilirjan Ali, Shpëtim Shehu, Brikena Sinanaj, Vasil Vaso dhe Edmond Halilaj, nën skenografinë e Pano Kondo dhe as/regjisorit Astrit Hasanaj. Regjisori Bunga e ka shkruar komedinë në Nju Jork. Dhe pse ngjarjet trajtohen me humor, pjesa tregon një të vërtetë të jetës në emigracion, ku halli shpesh i shtyn njerëzit të bëjnë sakrifica të tilla vetëm për shkak të dokumentacioneve. Titulli i komedisë “Seks vetëm për festa” është dhe një ndër pikat e kontratës të kësaj martese të sajuar. Për regjisorin, kjo nuk është një ngjarje vetëm shqiptare, por një ngjarje ku e kanë gjetur veten emigrantë të kombësive të ndryshme, që kërkojnë të mbijetojnë në një vend ku ligjet e emigracionit nuk janë të lehta. Vetë regjisori interpreton rolin e kinezit në këtë komedi, i cili martohet vetëm për letrat. Komedia është bazuar në një ngjarje reale dhe është shkruar nga Bungo në vitin 2004.   an.ja

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura