Paranoja e një lideri përballë frymëzimit dhe shpresës

Nov 1, 2012 | 13:04
SHPËRNDAJE

NDRIÇIM KULLA

Për vite me radhë, njëra nga akuzat kryesore që i është drejtuar Partisë Demokratike dhe në përgjithësi kësaj maxhorance qeverisëse, është mungesa e demokracisë së brendshme dhe transparencës në forumet partiake. Është një temë e gjerë dhe mjaft delikate edhe në pikëpamjen e filozofisë politike, e aq më shumë në metodat dhe skemat që zbatohen nëpër strukturat partiake të partive tona politike. Është më se e qartë që ka vend për të ndryshuar, hapur dhe përmirësuar skemat organizative, veçanërisht për të lejuar jo vetëm karrierën brenda klasës politike, por sidomos për të përthithur njerëz cilësorë në radhët partiake, që do t’ia përmirësonin shumë perfomancën e dëmtuar rëndë nga tendenca plutokraciste e përzgjedhjes së parlamentarëve dhe politikanëve të shumtë. Dhe kështu do të përmirësohej në të ardhmen, ose edhe të mund të zëvendësohej kjo tendencë me njerëz të ditur e të moralshëm, të cilët mund të vijnë e të plotësojnë shembuj referimi për t’u prurë atë besim të humbur votuesve, por sidomos atyre të lëkundurve. Janë të gjitha tema, në brendësi të të cilave ka nevojë për më shumë thellim dhe autokritikë reale, ripërtëritje, dhe jo për mballoma. Por, kur marrim për bazë një episod të paprecedent të ndodhur, jo më në një parti qeveritare, por në një mbledhje të zakonshme opozitare, siç qe ai i shuarjes apo pengimit të valëve të celularëve, apo mosshpërndarjes së asnjë kopjeje të vetme të draftit të paraqitur ndaj pjesëmarrësve të saj, të gjitha përpjekjet që prej kohësh kërkohen nga shoqëria civile për të rritur demokracinë e brendshme të partive, marrin një goditje të rëndë dhe, për më tepër, të rrezikshme. Nuk kemi të bëjmë aspak me një lojë të thjeshtë që opozita i luan maxhorancës për të mos i treguar taktikën e saj elektorale. Edhe kështu, foshnjëriteti ngrihet në shkallën e marrëzisë, që është një cilësor i dëmshëm për çdo forcë dhe strategji politike. Por këtu problem nuk shtrohet me kundërshtarin, por me vetë anëtarët e partisë opozitare, të zgjedhurit e saj, e sidomos popullin e tërë opozitar që e përkrah. Kur një lider nuk ka besim te bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, si mund të pretendojë t’i besojnë një ditë qeverisjen dhe fatet e mëdha të një vendi të tillë si Shqipëria për t’u qeverisur? Kur një lider jo vetëm nuk zbaton një praktikë të thjeshtë, por edhe dhunon një të drejtë elementare njerëzore, si mund të kemi besim që të mos dhunojë aq shumë të drejta që i jep në dorë posti i një Kryeministri? Nëse besimi dhe shembulli i mirë janë e vetmja gjë që sot mund t’i japë shpresë dhe frymëzim popullit shqiptar, jo vetëm opozitar, për t’u përballur me detyrat e mëdha që i shtron integrimi, atëherë veprime të tilla janë më të rrezikshmet për t’i shuar shpresën dhe hequr valët rrezatuese të frymëzimit një mase të tërë njerëzish, që mund të besonin se në atë mbledhje flitej vërtet për një Rilindje Kombëtare. Ndoshta strategjia elektorale që u paraqit në atë mbledhje qe mjaft sekrete dhe kreative, deri në atë shkallë sa të qe vendimtare për rezultatin, ndaj fshehtësia ishte rruga më e mirë e paraqitjes. Ky qe mendimi i parë foshnjarak që mund ta mbronte këtë veprim. Por kur, vallë, forma ka fituar mbi përmbajtjen, sidomos në politikë, ku kërkohet shpirt praktik dhe entuziazëm idesh? Janë pikërisht këta cilësorë të fundit që goditen drejt e në zemër nga ky veprim. Por deri këtu dëmi do t’i përkiste vetëm rilindjes imagjinare që hamendëson lideri i opozitës, e derisa jemi në kufijtë e hamendësimit, edhe paranoja lejohet. Problemi qëndron në faktet që kanë të bëjnë me traditën e demokracisë së brendshme që Partia Socialiste në historinë e saj 20-vjeçare ka valëvitur gjithmonë, e në episode të caktuara edhe me të drejtë, si shembujt më të mirë të funksionimit të një partie demokratike dhe jo autoritare. Të shuash valët rrezatuese të një trashëgimie dhe shembulli të tillë të mirë për gjeneratën e sotme dhe të nesërme, është marrëzia më e madhe që mund t’i bësh një brezi. E gjitha kjo i hap rrugën një marshimi për së mbrapshti në drejtimin jo vetëm autoritar, por paranojak të partisë. Po kur mëson më vonë që gjithçka e thënë dhe e paraqitur në atë mbledhje nuk qe as e re, as kreative, as e jashtëzakonshme, por një program i paraqitur edhe më parë, atëherë paranoja s’është më lojë, tipar apo episod. Ajo është sy hihedhëse, mballoma-vënëse e qasjes më të dukshme tallëse dhe autoritare, të rrezikshme dhe dëmtuese njëherësh. E kush mund të na garantojë, vallë, që ky shembull i dëmshëm i një mbledhjeje kaq të rëndësishme për një opozitë, si hartimi i strategjisë elektorale, nesër, kur ajo të jetë në qeverisje, të mos e shtrijë paranojën e vet në sistem, në pushtet. Aq më tepër që tipare dhe karakteristika të tilla në një lider janë qenësore dhe shumë të vështira për t’u shuar menjëherë, siç mund të shuhen disa valë celularësh. Në një sfond të tillë, ku paranoja valëvitet mbi besimin, ku marrëzia fryn më shumë se sa shpresa dhe frymëzimi, duket se do të jetë e vështirë të gjejë rrugën e vet për të ngritur kokë ndjenja e përgjegjësisë kombëtare në plotësimin e tri kushteve të integrimit, që do ta shpinte opozitën jo kah pozitës për t’i bërë asaj një favor, por kah pikëtakimit me historinë shqiptare. Mirëpo edhe këtu, lojëra fjalësh për hatërmbetje të tilla si “pse nuk u diskutua ligji me ne?”, apo “pse s’është diskutuar më parë me opozitën në Komisionin e Ligjeve?”, duken thjesht të drejtuara nga inati dhe kryeneçësia, dhe jo nga kthjelltësia dhe guximi. Shqipëria ende pret, populli shqiptar nuk e meriton në këtë qindvjetor një dështim të tillë, që duket sa i pakuptueshëm, aq dhe i paarsyeshëm, pasi nuk ka asgjë të rëndësishme që ta pengojë. Mirëpo, dihet se marrëzia dhe mendjekthjelltësia janë shumë pranë njëra-tjetrës, mjafton që kahu i së mirës në një moment të caktuar të peshojë më shumë se sa i së keqes. Qoftë edhe si padashur apo pa e kuptuar, ky baraspeshim le të prishet e të anojë kah zgjidhjes. Tek e fundit, ne na duhet që Shqipëria të mos dështojë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura