Pandemia, Sejko: Ekonomia shqiptare e përballoi mirë, tani presim ringritje. Ja parashikimet

Jun 18, 2021 | 8:21
SHPËRNDAJE

gent sejkoERJOLA JATA/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për “News24” ka folur për pandeminë, ekonominë shqiptare dhe politikat lehtësuese monetare.

Sipas Guvernatorit, ekonomia shqiptare tashmë e përballoi pandeminë dhe shenjat janë për ringritje ekonomike. Për vitin 2021 është parashikuar rritje ekonomike me 5.3%, kurse për 2022 rritje me 4.1%. Për Sejkon, gjithsesi sfida e parë e Shqipërisë është sistemi shëndetësor, kurse për Bankën e Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe ruajtja e nivelit të targetuar të inflacionit.

Do flasim në lidhje me dy kartëmonedhat e reja që do hidhen në qarkullim në 30 qershor. Mund të na thoni se cilat janë këto prerje dhe çfarë do të sjellë kjo për qytetarët?

Prerjet e reja që u prezantuan të martën në ambientet e Bankës së Shqipërisë janë ato me vlerë 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, e cila është një prerje tërësisht e re. Në fakt, në vitin 2019 ne kemi prezantuar serinë e re të kartëmonedhës. Në këtë seri nuk kanë ndryshuar tematika, por ka ndryshuar përmasa, dizenjimi dhe janë shtuar elementet e sigurisë në kartëmonedhë. Qëllimi dhe synimi ka qenë për të përmirësuar kartëmonedhën, të përshtatemi me standardet ndërkombëtare të kartëmonedhave duke iu referuar kryesisht euros, por dhe kartëmonedhave të vendeve të zhvilluara, dhe njëkohësisht për të pasur një kartëmonedhë më të sigurt, më cilësore në duart e agjentëve ekonomikë dhe qytetarëve shqiptarë. Prerja më e lartë e kartëmonedhës, prerja 10000 Lekë, është një prerje tërësisht e re, e cila ka si tematikë himnin e flamurit dhe poetin e rilindjes kombëtare, Asdreni, i cili ka bërë dhe tekstin e himnit të flamurit. Këto dy prerje të reja, pjesë e serisë së re, do të marrin kurs ligjor, pra, do të jenë në përdorim si mjet pagese në tregun shqiptar në datën 30 qershor. Ne jemi aktualisht në ditët e komunikimit, prezantimit, informimit të publikut për këto dy kartëmonedha të reja.

Qëndrojmë pak tek elementët, meqenëse kemi një kartëmonedhë të re, e cila do të hidhet në 30 qershor. Ndalemi te kartëmonedha 10000-Lekëshe, është një prerje reje e re që do të përdoret për monedhën shqiptare. Ku bazohet Banka e Shqipërisë kur merr vendime të tilla ? Dhe a i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe?

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për këtë prerje është marrë në mos gaboj 9 apo 10 vite më parë. Thjesht gjatë këtyre viteve është elaboruar dhe projekti i ri për dizenjimin në kuadër të rishikimit të serisë së kartëmonedhës projekt, i cili ka marrë kohën e tij dhe po materializohet duke hedhur prerjet e reja në qarkullim sipas njoftimeve që ne kemi bërë. Sigurisht që kishte ardhur momenti që tregu shqiptar, sistemi financiar, sistemi bankar, agjentët ekonomikë dhe përdoruesit të kishin nevojë për një prerje më të lartë. Ne e dimë që prerja më e lartë e kartëmonedhës shqiptare ka qenë ajo prej 5000 Lekë, e cila është pjesë e emisionit të vitit 1996. Po të kemi parasysh sa vite kanë kaluar dhe ku kanë qenë pagat dhe niveli i çmimeve në Shqipëri, krahasuar me vitin 1996, kuptojmë se sa herë janë rritur dhe nevojën për një prerje më të lartë. Kjo prerje vjen si një nevojë e tregut shqiptar dhe ekonomisë shqiptare, por njëkohësisht ndihmon dhe Bankën Qendrore për një miradministrim në rezervën e parasë, ndihmon sistemin bankar për një miradministrim të stokut të parasë ose sasitë e tyre që kanë në thesar në ambientet e administrimit të parasë, por gjithashtu dhe bizneset dhe individët shqiptarë. Mund të kishte qenë dhe më herët, por themi që jemi në kohë për një prerje më të lartë në serinë e kartëmonedhës shqiptare.

A i duhet ekonomisë shqiptare një kartëmonedhë me prerje kaq të madhe? Kush janë përfituesit më të mëdhenj nga kjo?

Patjetër që vendimi i Këshillit Mbikëqyrës ka qenë më herët, por ka një procedurë ligjore jo vetëm për prerjen, por edhe për tematikë, sasinë e kartëmonedhës dhe elementë të tjera të saj. Në serinë e re të kartëmonedhës, ne nuk kemi ndryshuar tematikat për prerjet, simbolet e të gjitha kartëmonedhave janë ato që kanë qenë, të cilat pasqyrojnë historinë e kombit shqiptar që nga lashtësia deri në ditët e sotme, përpjekjet e tij për liri dhe prosperitet dhe kartëmonedha e fundit përfaqëson himnin e flamurit. Sigurisht që përcaktimi i tematikës së kartëmonedhës nuk është atribut i vetëm i Bankës së Shqipërisë, por është rezultat i punës së një komisioni që përbëhet nga historianë, numizmatë, albanologë, ekspertë të fushës dhe sigurisht të Bankës së Shqipërisë. Është pikërisht ky komision që ka zgjedhur tematikën për prerjen e kartëmonedhës 10000 Lekë me himnin e flamurit dhe më pas janë ndjekur të gjithë hapat ligjorë dhe proceset për të përcaktuar tematikën. Pas përcaktimit të tematikës, ekspertët vendosin elementët e sigurisë dhe formatimin e kartëmonedhës, e cila ka të bëjë me dukjen e kartëmonedhës.

Kartëmonedha 10 mijë lekëshe ka si tematikë simbolet e flamurit dhe himnit kombëtar, ndërsa në pjesën e përparme poetin rilindës, Asdreni, njëkohësisht autor i himnit të Shqipërisë. Kjo foto e Asdrenit që ju keni zgjedhur ka shkaktuar debat në rrjetet sociale për ngjashmëri me politikanë të sotshëm. Keni një koment për këtë?

Nuk i kam lexuar në fakt, s’i kam parë komentet në rrjetet sociale, mund të ketë komente nga më të ndryshmet. Poeti Asdreni është një poet i shquar i rilindjes kombëtare, është autori i tekstit të himnit të flamurit kombëtar. Komisioni që unë përmenda ka zgjedhur si tematikë për prerjen 10000-Lekëshe që ne po hedhim në qarkullim himnin e flamurit kombëtar. Meqenëse secila nga kartëmonedhat e serisë kanë një portret, në rastin konkret lidhur me tematikën e himnit të flamurit, portreti përkatës përkon portretin e rilindësit të shquar Asdreni. Komentet pastaj me ngjashmërinë e politikanëve shqiptarë mund të jenë nga më të ndryshmet. Nuk i kam parë komentet, megjithatë edhe për ne të dy mund të gjejnë ngjashmëri nga më të ndryshmet, mund të jenë të mira apo të këqija, rëndësi ka sa serioze janë komentet dhe sa qëndrojnë. Unë mendoj që tematika e zgjedhur nga komisioni me ekspertë përkatës në detyrim të ligjit, në funksion të kartëmonedhës 10000- Lekëshe, pra, që është himni i flamurit ka qenë një tematikë e zgjedhur me seriozitet me prudencë dhe është e saktë. Pastaj, komentet janë komente.

Po prerjet 500 dhe 2 mijë Lekë kur hidhen në treg?

Seria e rishikuar e kartëmonedhave tona ka dhe dy prerje të tjera, të cilat nuk janë përfunduar, janë në proces prodhimi. Ne kemi nxjerrë nga seria e re e rishikuar që prezantuam në shtator të 2019 fillimisht prerjen 200 Lekë polimer dhe 5000 Lekë, të cilat janë në qarkullim sot në duart e përdoruesve dhe qytetarëve shqiptarë, dhe janë mirëpritur nga publiku. Tani po hedhim prerjen 1000 Lekë dhe 10000 Lekë, që janë dy prerjet e tjera të serisë. Seria përbëhet nga 6 prerje. Seria jonë e kartëmonedhave dhe prerja prej 500 Lekë dhe ajo 2000 Lekë janë në proces prodhimi. Pritet të vijnë në muajin nëntor ose dhjetor, por varet nga situata që do të ketë fabrika e prodhimit dhe parashikimi është që në fillim të vitit tjetër të hidhen në qarkullim. Dhe atëherë do të jetë e kompletuar e gjithë seria e re e kartëmonedhës shqiptare. Edhe një herë e ritheksoj që prerjet e reja do të jenë në qarkullim paralelisht me prerjet ekzistuese. Pra, prerjet ekzistuese do të jenë në qarkullim për publikun dhe agjentët ekonomikë paralelisht me prerjet e reja, gradualisht në kohë do të tërhiqen nga qarkullimi prerjet ekzistuese dhe vendin e tyre do ta zënë tërësisht prerjet e reja, por për një periudhë të gjatë kohe, ne do të kemi të dyja llojet e kartëmonedhave në qarkullim me kurs ligjor.

Guvernator, kur ka kaluar më shumë se një vit nga përhapja e pandemisë covid-19 në vendin tonë, si e përballoi ekonomia shqiptare krizën e shkaktuar dhe kur pritet që ekonomia të ketë rimëkëmbje të plotë?

Ekonomia shqiptare e ka përballuar mirë, është treguar fleksibël dhe rezistente mjaftueshëm. Rezultatet e treguesve ekonomikë vërtetojnë që ne kemi pasur një tkurrje ekonomike më të vogël se ajo që kishim parashikuar. Po të kthehemi në kohë, vitin e kaluar institucionet ndërkombëtare që japin vlerësime për ekonominë si FMN, BB, ne pastaj si Bankë Shqipërie kemi pasur disa vlerësime më pesimiste. Parashikohej 7.5% rënia ekonomike, ndoshta dhe më shumë në momente të caktuara, tremujorin e dytë të vitit të kaluar rënia ekonomike në nivelin 12.5 për qind dhe frika ishte e madhe. Frika ishte në të gjithë botën se si do të reagonin ekonomitë e shteteve shumë më të mëdha ndaj goditjes nga pandemia. Por, fatmirësisht, dhe si pasojë e masave të marra si nga qeveria shqiptare, ashtu dhe nga Banka e Shqipërisë dhe e vetë agjentëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, ekonomia u tregua më rezistente dhe rënia ekonomike rezultoi në nivelin 3.3%. Parashikimi i Bankës së Shqipërisë është në linjë me FMN për këtë vit që ne do të kemi një rritje ekonomike në nivelin 5.3%. Parashikimet rishikohen, por ne aktualisht jemi në këtë nivel. Pra, ne presim që të kemi një ringritje të mire ekonomike duke filluar nga ky vit dhe pastaj viti në vijim rritja ekonomike është parashikuar të jetë në nivelin 4.1% e me radhë. Gjithsesi është shume e rëndësishme që pandemia është mirëmenaxhuar dhe po shohim numra në rënie të infektuarve nga pandemia të shpresojmë që sezoni i verës jo vetëm do të ketë një ringritje në sektorin e turizmit që ka një impakt të fuqishëm në ekonominë shqiptare, por do të shkojë paralelisht me rënien e numrave. Dhe nëse në vjeshtë e më pas ne do të kemi një mirëmenaxhim të krizës nga pandemia, të pjesës shëndetësore sigurisht që do të materializohen dhe shifrat për ringritjen ekonomike. Shenjat janë pozitive, patjetër që ne presim ringritje ekonomike këtë vit dhe vitin që vjen. Është lajm shumë i mirë që ekonomia shqiptare ka rezistuar tregjet financiare kanë qenë të qeta, kursi i këmbimit ka qenë stabël, sistemi bankar ka reaguar dhe ka qëndruar rezistent ndaj goditjes dhe ka reaguar mjaft mire, ka qenë mjaft flekësibël gjithashtu. Ka një rritje të kredisë dhe në periudhë krize, kemi pasur rritje të kredisë. Kredia është rritur në nivelin 7.5 për qind që është një tregues mjaft i mirë në një vit kaq të vështirë si pandemie. Kemi pasur parashikime më pesimiste dhe vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm në drejtim të kredisë së keqe, kredisë me probleme, e cila nuk u rrit përkundrazi pari rënie edhe gjatë periudhës së krizës. Nëse nuk do të kishim pasur krizën ose goditjen e pandemisë, do të kishim pasur një rënie më sinjifikante për kredinë me probleme. Ndërkohë që kredia me problem nga niveli 8.1 në nivelin 2020 ka vajtur në nivelin 7.8 për qind. Dhe nga komunikimi dhe bisedimet që kemi me bankat e nivelit të dytë pasi ato janë në kontakt direkt më të përafërt me klientët, marrim informacion që nuk presim të kemi rritje të kredisë së keqe. Në analizën tonë ne kemi parashikuar që mund të ketë rritje të kredisë me probleme, por dhe në parashikimin më pesimist që ne do të kishim si bankë qendrore prapë sistemi bankar është mirëkapitalizuar dhe me një gjendje shumë të mirë likuiditeti.

Cilat janë sfidat, me të cilat përballet ekonomia në rimëkëmbjen pas pandemisë dhe çfarë duhet bërë në mënyrë që të nxitet një zhvillim i qëndrueshëm?

Sfidat janë të shumta për çdo ekonomi, veçanërisht për ekonominë tonë. Ka jashtëzakonisht shumë sfida dhe nuk do të mjaftonte një intervistë për t’i përmbledhur, por do përpiqem të jem sa më konciz. Në radhë të parë, sfida kryesore ishte sistemi shëndetësor, menaxhimi i numrave dhe shifra, i cili për fat të mirë falë vaksinimit të popullatës po ecën në drejtimin e duhur dhe po jep sinjale optimiste. Pastaj për ekonominë, ne jemi institucion financiar mbikëqyrës dhe rregullator të përcaktuara me ligj që janë stabiliteti i çmimeve, stabiliteti financiar. Për ne si bankë qendrore sfidë kryesore është të ruajmë stabilitetin e çmimeve, të arrijmë nivelin e targetuar të inflacionit, por njëkohësisht të kemi dhe një sistem bankar dhe sistem financiar të qëndrueshëm, për të ndihmuar ekonominë në financim për një ringritje në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Ne kemi theksuar se do të vazhdojmë të ndjekim politikën tonë monetare lehtësuese. Politika jonë monetare lehtësuese do të vazhdojë me këtë normë interesi që është në minimumin e saj historik që shërben për të stimuluar konsumin, investimet dhe kreditimin. Njëkohësisht dhe politika fiskale do të duhet për njëfarë kohe të mbetet lehtësuese, por pasi situata të jetë kapërcyer, politika fiskale sigurisht që duhet të shkojë drejt konsolidimit fiskal për uljen e borxhit dhe politika monetare kur të arrijë nivelin e synuar të inflacionit prej 3%, atëherë do të duhet të kthehet në shtrënguese, por kjo nuk do të ndodhë para vitit 2022. Këto dy politika të koordinuara, pra, politika fiskale me politikën monetare, do të duhet të vazhdojnë të jenë lehtësuese. Dhe ne si Bankë e Shqipërisë që jemi direkt përgjegjës për politikën monetare, e kemi komunikuar që do të vazhdojmë të ndjekim politikën monetare lehtësuese, nuk kemi pasur nevojë dhe nuk parashikojmë që të përdorur planin e kontigjencës, pra lehtësimin sasior pasi ekonomia ka reaguar mirë, pra, nuk na është dashur që të aktivizojmë këto plane kontigjence. Pastaj sfidat e tjera kanë të bëjnë më reforma strukturore, ka një set me reforma strukturore që duhen ndërmarrë në ekonominë shqiptare, që fillojnë që nga niveli i përsosjes së infrastrukturës, në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e nivelit të informalitetit, me implementimin e një konkurrencë të ndershme në treg, me prekjen e sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare, por edhe pjesës të jetës ekonomike dhe sociale shqiptare, reforma në arsim dhe reforma në shëndetësi është shumë e rëndësishme pasi nga arsimi varet gjithçka, varet e ardhmja. Shëndetësia u provua sa e rëndësishme ishte, pra, ka një set me reforma që do të ndërmerren dhe duhen vazhduar. Shqipëria është në procesin e integrimit europian dhe sigurisht që këto reforma janë të koordinuara dhe të mbikëqyrura, por dhe të konsultuara me partnerët tanë ndërkombëtarë. Banka Qendrore është një institucion financiar ka setin e saj të reformave strukturore, në koordinim dhe në harmonizim pastaj dhe me reformat e tjera se te gjitha janë të harmonizuara, të ndërtuara. Unë do të thosha se sfida kryesore për ne është që të arrijmë objektivin tonë. Të ruajmë stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Fatmirësisht edhe në këtë periudhë krize e kemi mirëmenaxhuar dhe situata nuk ka dalë jashtë kontrollit, përkundrazi ka qenë në kontroll dhe objektivat janë realizuar. Paralelisht pastaj të gjitha sfidat do të vazhdojnë të menaxhohen dhe të progresojnë.

Ju, zoti Guvernator, folët për sfidat e për reformat që janë ndërmarrë, por në këto kushte që ne jemi, të flasim pak edhe për sistemin bankar pas pandemisë COVID-19, si paraqitet aktualisht?

Sistemi bankar, sikurse thashë, paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me një gjendje shumë të mirë likuiditeti. Sistemi bankar jo vetëm gjatë krizës së pandemisë, por dhe gjatë gjithë viteve të fundit, ka kaluar disa sfida. Ne kemi pasur një proces konsolidimi ne sistemin bankar, si pasojë e ndryshimeve strukturore në sistemin bankar, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon dhe më gjerë, në Evropë dhe në botë sistemet bankare kanë pasur ndryshime strukturore esenciale, ka pasur shumë bashkime me përthithje të shumë bankave të mëdha ndërkombëtare, të cilat pastaj janë reflektuar dhe me filialet e tyre në rajon dhe në Shqipëri, ne kemi parë që disa banka shumë të rëndësishme të tregut shqiptar të rajonit, banka evropiane janë tërhequr, bankat franceze u tërhoqën në fillim, pastaj bankat greke dhe kjo ka qenë një sfidë për bankën qendrore për të menaxhuar ketë proces, i cila tani që jemi në mbyllje ka rezultuar i mirëmenaxhuar. Sistemi bankar ka 12 banka aktualisht nga 16 banka dhe ky ka qenë një objektiv i Bankës Qendrore, konsolidimi i sistemit bankar. Kredia e keqe është ulur nga niveli i 25% që ka ishte në pikun e saj në vitin 2015, në nivelin 7.8% me gjithë goditjet që kemi pasur si nga tërmeti ashtu edhe nga pandemia. Parashikojmë që ta menaxhojmë kredinë e keqe dhe të vazhdojmë ta mbajmë në kontroll. Kreditimi për ekonominë është rritur, është rritur edhe në periudhën e krizës ne nivelin 7.7% dhe parashikojmë që do të ketë një kreditim në rritje, kjo sigurisht që është e ndërlidhur pastaj edhe me kërkesën, sepse sistemi bankar ka ofertën për financim por kërkesa lidhet me ekonominë. Tregjet financiare kanë qenë të qeta, kursi i këmbimit ka qenë stabël, nuk ka pasur luhatje. Pra, sistemi bankar ka rezistuar mirë dhe ka një tepricë likuiditeti. Ne akoma jemi në nivele të larta likuiditeti, kjo është një shenjë e mirë pasi tregon garanci dhe siguri për depozituesit, por nga ana tjetër përfaqëson kosto për bankat, por sigurisht që këto fonde të lira duhen përkthyer në kredi për ekonominë ne mënyrë që edhe bankat të rrisin përfitueshmërinë dhe ekonomia të përfitojë, por dhe klientët e bankave të jenë të sigurt për investimet e tyre. Do të shohim, shenjat janë të mira, pritshmëritë unë thashë që janë për ringritje ekonomike, për rritje ekonomike. Sistemi bankar rezistoi dhe gjatë vitit të kaluar që ishte viti dhe më i vështirë, këtu ndikuan patjetër dhe masat e marra nga ana jonë për shtyrjen e me moratorium për dy tremujorë të kësteve të kredive për të ndihmuar bizneset dhe individët, por njëkohësisht dhe proaktiviteti i vetë bankave në funksion të ndryshimeve rregullative që ne bëmë për të bërë ristrukturime proaktive për t’iu përshtatur situatës së pandemisë. Tashmë, këto masa kanë kaluar, bankat nuk kanë më nevojë për ndihmesa të tilla, kanë një situatë të mirë, por dhe klientët nga ana tjetër nëpërmjet shoqatave, ne shohim që nuk kërkojnë më, pra, janë përshtatur me situatën. Kjo është një gjendje optimizmi dhe në treg, në industri të ndryshme që presin ringritje. Problematika sigurisht që ekziston dhe pandemia do të lërë shenjat e saj, por besojmë se do të kemi ringritje dhe sistemi bankar është në gjendje shumë të mirë për të ndikuar në ringritjen e ekonomisë shqiptare.

Së fundmi keni pasur takim online me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ky institucion ndërkombëtar financiar ka rekomanduar vijimin e politikave monetare lehtësuese për të rritur stimulin në ekonomi. Keni një koment për këtë?

Po, ne kishim javën e kaluar mbylljen e misionit të radhës me FMN-në. FMN komunikon, vlerëson, bën ndjekjen e zhvillimeve ekonomike si pjesë të marrëveshjes që ne kemi me ta për ndjekjen, pasi është postmonitoring. Pra, nuk jemi në llojin e marrëveshjes që kemi qenë, por ata vazhdojnë monitorimin e tyre dhe vlerësimet e FMN dhe rekomandimet nga misioni i fundit janë plotësisht në linjë dhe në përputhje me konkluzionet dhe analizat e BSH-së. FMN ka rekomanduar që ne të vazhdojmë politikën tonë monetare lehtësuese, njëlloj sikurse dhe Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka gjykuar dhe ka vlerësuar, pra, ka konfirmuar qëndrimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për të vazhduar politikën monetare lehtësuese. Për të vazhduar për të mbajtur normën e interesit në nivelin minimal historik, në funksion të ringritjes ekonomike, pra, të nxitjes së konsumit, investimeve, kreditimit dhe për një periudhë kohe deri sa ekonomia të forcuar mjaftueshëm dhe objektivi ynë i inflacionit të jetë arritur. Gjithashtu, FMN në misionin e fundit vlerësoi qëndrueshmërinë e sistemit bankar që unë sapo e thashë, sigurisht që rekomandoi që ne të jemi alert dhe vigjilent për të monitoruar situatën. Pasi situatat gjatë krizës ose post-krizës mbartin rreziqe të mjaftueshme. Ka vlerësuar punën e BSH në lidhje me këto aspekte dhe praktikisht ne jemi plotësisht në linjë. Kemi një koordinim në fakt mjaft të mirë me FMN, pasi jo vetëm me misionin me vlerësimin, por institucioni i Bankës Qendrore merr asistencë të vazhdueshme nga FMN. Kemi pasur konsulentë, të cilët janë permanentë rezidentë këtu, por ka dhe konsulentë të tjerë nga Uashingtoni dhe të gjithë projektet tona kryesore qe ndërmarrim si Bankë Qendrore, janë të koordinuara, të konsultuara dhe të mbikëqyrura nga FMN.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura