Pandemia që lamë pas, por që s’duhet harruar

May 29, 2023 | 8:14
SHPËRNDAJE

AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI

-800-0-fea712dc4675a1030f6b8da3e25e3d9e

Pandemisë së koronavirusit, Covid19(19-ta simbolizon fundvitin e vitit 2019, kur kjo pandemi u shfaq)duket se i erdhi fundi.

Një njoftim zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e konfirmoi këtë. Sipas këtij njoftimi, data 11 maj 2023 u shpall data zyrtare e fundit të kësaj pandemie. Kjo është një thirrje për të shikuar përpara por, të mos harrojmë çfarë ndodhi… Sepse vetëm dhjetë ditë më pas nga ky njoftim, përsëri OBSH-ja tërhoqi vëmendjen që të jemi të përgatitur për pandemitë e tjera(edhe pse urojmë që të mos ketë më).

Cilat ishim pasojat humane që bota pësoi në këto tre vite e gjysmë, nga kjo pandemi. Çfarë ndodhi me ekonominë globale, cilat ishin pasojat e recensionit ekonomik që shoqëroi këtë pandemi, dhe ndryshimet dhe zhvillimet edhe në mendimin ekonomik, si dhe çfarë masash(paketat e ndihmës) që u ndërmorën për përballimin e krizës, pasojë e kësaj pandemie? Cilat ishin ndryshimet që përjetuam në të gjitha dimensionet, në kërkimin shkencor në këtë fushë, në organizimin institucional të sistemit shëndetësor, në vëmendjen që qeveritë duhet të tregojnë për të, në ndërgjegjësimin dhe shtimin e edukimit shëndetësor të qytetarëve, në të bërit biznes, në mënyrën e të punuarit ku teknologjia avancoi dhe ndikoj në mënyrë të paimagjinueshme, në shuarjen dhe lindjen e bizneseve dhe profesioneve te reja, e shumë e shumë drejtime ndryshimesh.

Gjithashtu, ajo që spikati dukshëm ishte shumëfishimi i ndjenjës së solidaritetit, në gjithë popullsinë e globit, ajo midis vendeve të zhvilluara e më pak të zhvilluara dhe të varfra, liderëve politikë dhe institucioneve ndërkombëtare etj., kapërceu çdo kufi individual. Prandaj duhet dhe të mos harrojmë, të kujtojmë, analizojmë atë që ndodhi dhe të përgatitemi për pandemitë e ardhshme, për t’i përballuar më mirë dhe në kohë, se ato nuk do mungojnë, edhe pse si dëshirojmë.

ÇFARË KALUAM,PËRJETUAM E PËSUAM?

Ajo që ndodhi me pandeminë e Covid-19 nuk duhet harruar, Prej saj duhen nxjerrë mësime shumëplanëshe me reflektime të nevojshme. A ju kujtohet? Le ta zgjojmë kujtesën tonë, duke iu referuar disa informacioneve të shkurtra:

– TEDROS ADHANOM GHEBREYESU, drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së theksonte në fillimet e pandemisë: Jemi thellësisht të shqetësuar për nivelet alarmante të përhapjes, agresivitetit dhe gjithashtu mosveprimit në shumë vende. Vlerësojmë se Covid-19 mund të karakterizohet si pandemi. Prandaj, po shpall emergjencën shëndetësore ndërkombëtare. Shqetësimi kryesor, nuk ka të bëjë me atë që po ndodh në Kinë, por për mundësinë e deportimit të virusit në vende më sisteme më të dobëta shëndetësore, të pa përgatitura për të përballuar një situatë të ngjashme. Dhe menjëherë pas kësaj…

-Giuseppe Conti, ish-Kryeministri i Italisë në fillimet e pandemisë: “Do të firmos një dekret, të cili mund të përshkruaj si qëndro në shtëpi”. Nuk do të ketë më një zonë apo dyzona të kuqe, por e gjithë Italia do të jetë e tillë. Të gjitha lëvizjet rreth vendit duhet shmangen, përveçse në tre rrethana specifike: për punë, për nevoja të caktuara apo për arsye shëndetësore…Imazhet drithëruese të asaj që po ndodhte brenda dyerve të spitaleve ku beteja me koronavirusin ishte më e ashpër, u bënë fillimisht publike nga televizionit La7.

Pamjet treguan stafin mjekësor me pajisjet mbrojtëse teksa trajtonin pacientët e lidhur me respiratorët, disa prej të cilëve të kthyer përmbys për të ndihmuar oksigjenimin. Italia u bë simbol i përballjes së pamëshirshme me virusin, por gjithashtu shpresës dhe vlerësimit të atyre që luftonin në vijën e parë….mjekët ishin heronjtë e rinj..-Dhe ndërkaq, italianët refuzonin të gjunjëzoheshin para armikut të ri të pamëshirshëm I cili I kishte marrë përkohësisht lirinë, por kurrsesi dëshirën për jetën. Ballkonet e mbushur plot me njerëz që këndonin e kërcenin, bënë xhiron e botës, dhe u bënë simbol i rezistencës dhe ringritjes.

Ndërsa, Emanuel Macron, në mars 2020, theksonte: Jemi në luftë. Kjo krizë që prek të gjitha kontinentet dhe të gjitha shtetet evropiane është kriza më e rëndë që Franca ka njohur në një shekull, duke nisur nga nisur nga 13 marsi e deri në një afat të pacaktuar, të gjitha institucionet arsimore do të mbyllen. Covid-19, siç u quajt sëmundja që shkaktonte virusi respirator, po përhapej me ritme gjithmonë e më të shpejta, po aq sa frika dhe pasiguria që po mbillte në planetin e papërgatitur për një sfidë të tillë. 77 ditë pasi ju prezantua njerëzimit për herë të parë, armiku I padukshëm, siç e cilësuan rëndom, e çoi botën drejt një mbyllje të paprecedentë.

Presidenti francez Emanuel Macron e cilësoi pandeminë, si krizën më të rëndë shëndetësore në një shekull, teksa njoftoi kufizimet më strikte të jetës publike që prej luftës së dytë botërore. Kufijtë rreth Evropës dhe përtej po blindoheshin, por virusi nuk njihte barriera, duke hyrë i paftuar në çdo kontinent, në çdo vend perfshirë edhe Shqipërinë. Agresiviteti dhe shpejtësia me të cilën po përhapej anë e kënd globit, bindi edhe më skeptikët për nevojën e masave drastike. Ndërsa kishte hezituar të sakrifikonte ekonominë për atë që fillimisht e shihte si një grip të zakonshëm, ish-Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të njoftonte shumë shpejt izolimin e vendit. E pra, ndërsa po gjunjëzonte, një e nga një, shtetet e evropiane, Italinë, Spanjën e Britaninë e Madhe, më pas Gjermaninë e Francën, shënjestra kryesore, Covid-19 kishte hedhur farën edhe përtej oqeanit, me Nju Jorkun që u bë baza e tij e parë në Shtetet e Bashkuara… Bill De Blasio, kryebashkiaku i Nju Jorkut, do të deklaronte: Ne jemi tani epiqendra e krizës.

Edhe qyteti që nuk fle kurrë, ra shpejt në gjumë. Pamjet e morgjeve të improvizuara jashtë spitaleve dhe ato të varrezave masive e bënë situatën edhe më të zymtë…. Në këtë periudhë, bota kishte hyrë në një epokë të re të përballjes më një sëmundje që shumë pak e kuptonte, dhe të implementimit të politikave që do të ishin të paimagjinueshme ndonjëherë. Nga muzeu i “Luvrit” në Paris, te “La scala” në Milano, nga “Brodway” në Nju Jork, te parqet “Dinsey” në Tokio, Paris, Shangai e Florida, të gjitha muzetë, teatrot dhe parqet argëtuese rreth globit mbyllën dyert për herë të parë në dekada, duke e zhytur jetën sociale-kulturore në kllapi. Çdo aktivitet sportiv u pezullua e në stadiumet gumëzhitëse, pllakosi heshtja.

Meka u zbraz nga ithtarët besnikë, e Papa lutej i vetëm në Bazilikën e Shën Pjetrit… Jeta u ndal kudo! Nga Parisi në Sidney, nga Madridi në Nju Jork, kryeqytetet e botës ranë në gjumë. Heshtja në rrugë thyhej nga sirenat e ambulancave, që transportonin pa pushim të sëmurët, ndërsa bilanci i humbjeve bëhej gjithmonë më I pamëshirshëm. Në 27 mars, Italia shënoi ditën më të zezë që prej shpërthimit të pandemisë, me 919 jetë të humbura në vetëm 24 orë. Bilance të ngjashme raportonte edhe Spanja e Britania e Madhe. Dhe bilanci përfundimtar, sipas OBSH-së, deri ne 24 maj 2023, dy javë pas ditës së shpalljes së përfundimit të pandemisë, Covid-19, bota kishte humbur 6.935.899 jetë njerëzish, ndërkohë prej kësaj u prekën 766 milionë e 895 mijë, me mijëra e mijëra, biznese u mbyllën, profesione u zhdukën etj.

E kështu, me “hapje dhe mbyllje”, me shtime dhe pakësime të rasteve të kësaj pandemie, drita jeshile në fund të tunelit u duk kur gjigandi amerikan i farmaceutikës, “Pfizer” dhe kompania gjermane “Biontech”, e me pas “Moderna” etj., njoftuan suksesin e testimit të vaksinave të tyre, më të shpejtën në kohë në histori, të cilat krijuan mundësinë e administrimit të 13 miliardë e 355 milionë e 264 mijë vaksina të u shpërndanë për t’u aplikuar në shumicën e botës. Masat e paprecedente “që vendosën nën zinxhirë” gjysmën e njerëzimit kishin funksionuar. Infektimet dhe vdekjet po binin rreth Evropës, Azia kishte arritur ta mundte virusin, ndërsa frika e një shpërthimi të pakontrollueshëm në Afrikë, nuk ishte materializuar… Një nga një, shtetet filluan të lehtësojnë kufizimet ndaj bizneseve dhe udhëtimeve.

Terminalet e Nju Jorkut, Londrës dhe Parisit u rihapën, dhe pati parashikime optimiste se më e keqja e pandemisë ishte tanimë pas krahëve edhe pse vaksinat mund të ishin ende disa muaj, e mbase 1 vit larg. Në këtë moment, vëmendja kaloi te dëmet ekonomike, me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara që flisnin për krizën më të rëndë që prej depresionit të madh! Euroja filloi të rizgjohej gradualisht, e shtete si Spanja e Italia që ndërmorën masat më strikte kundër koronavirusit, po lejonin lëvizjet në ajër të pastër. Pas 7 javësh në izolim total, fëmijët spanjollë i rikthyen sërish jetën rrugëve të përgjumura. Me masa dhe situatë thuajse të ngjashme, kështu u përjetua kjo pandemi dhe në vendin tonë.

BOTA NDRYSHOI ME SHPEJTËSI. NJË REND I RI SHOQËROR U DUK NË HORIZONT

Krahas pasojave humane, sociale e psikologjike dhe ato ekonomike, ndryshimet që solli pandemia ishin të shumta, shumëdimensionale dhe të shpejta, që po çonin me shpejtësi botën në një ndryshim të madh. Prandaj, ish-Kancelarja Merkel do të theksonte: Bota po shkon drejt një rendi të ri shoqëror. Gjatë kësaj pandemie, njerëzimi filloi t’i përshtatej realitetit të ri, duke i kthyer sallonet e ndenjes në zyra dhe dhomat e gjumit në klasa. Shtrëngimi i duarve u bë i ndaluar, e po ashtu përqafimet; pikërisht në një momentin kur na duheshin më shumë. Dashuria filloi të barazohej me distancimin, e sa ma larg t’i mbanim personat e afërm, aq më shumë afeksion tregonim. Maskat u bënë jo vetëm emblema e vitit, por gjithashtu e një epoke të re, e të frikshme. Teknologjia u bë shpejt, boshti i jetës sonë të re; atje ku do të mbanim gjallë lidhjet sociale, ku do të punonim, e do të mësonim.

Artistët i kthyen shtëpitë në skenë, pedagoget dhe mësuesit i kthyen tryezat dhe kompjuterët në shtëpitë e tyre në foltore lektoriumesh për studentët dhe nxënësit, si dhe e gjithë bota jonë u kufizua në ekranin e një kompjuteri. Ndërkaq, shkenca dhe politika nuk e gjetën dot gjuhën e përbashkët, me të parën që kërkonte respektim rigoroz të masave kundër Covid-19, dhe të dytë që i nënvlerësonte ato, dhe përpiqej me çdo kusht të mbante ndezur motorët e ekonomisë. Sikurse kjo pandemi të mos mjaftonte, në mesin e saj, filloi sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, një luftë që vazhdon, e që pasojat humane dhe ekonomike e sociale morën përmasa të jashtëzakonshme, të shoqëruara me humbje jete njerëzish, me ndërprerje të zinxhirit të furnizimit me lëndë të para e produkte ushqimore, me rritje të çmimeve e inflacionit, me rënie ekonomike në vendet e BE-së dhe ekonominë globale, me sinjale recensioni në vendet kryesore(Gjermani). Të gjitha këto me ndikime të dukshme dhe ndryshime gjeopolitike e gjeoekonomike. Dhe në këtë mori ndikimesh u përfshi, padyshim, edhe vendi ynë.

EDHE NE MËSUAM DHE NDRYSHUAM

Pandemia, pasojat e saj, kriza ekonomike që ajo solli, pasojat e krizës nga lufta RusiUkrainë, implikuan edhe jetën socialekonomike në vendin tonë. Pandemia na detyroi të përfshiheshim në një revolucion të vërtetë shëndetësor. Prej saj, u mësua si të reagohet në raste të tilla të emergjencave pandemike, pasojave humane, ekonomike e financiare, mënyrën e shërbimit shëndetësor, duke rritur cilësinë, kujdesin, intensitetin; profesionalizmin e standardet, mënyrat dhe teknikat e mjekimit, menaxhimit shëndetësor kombinimin efecient të shërbimit publik dhe privat shëndetësor; përdorimin e teknologjisë së re të munguar deri më sot në sektorin shëndetësor; si të aplikojmë paketat e ndihmave, sigurimin e rezervave materiale shëndetësore medikamenteve etj.

Jo pak u ndryshua dhe u përmirësua edukimi dhe kultura shëndetësore, vaksinimin e mbajtjen e maskave; shtimi i vëmendjes dhe mbështetjen për kujdesin shëndetësor, kujdesin social, etj. U përfitua një përvojë në bashkëpunimin e brendshëm, atë rajonal, e sidomos bashkëpunimin ndërkombëtar me institucionet ndërkombëtare dhe vendet e tjera, për të luftuar kundër pandemive dhe sigurimin e mbështetjes shëndetësore prej tyre, mbështetjes financiare, teknologjike, laboratorë e medikamente, më e rëndësishme në sigurimin e vaksinave dhe realizimin e procesit të vaksinimit, etj. Kërkimi shkencor shëndetësor u nxit për njohjen me të rejat e shkencës shëndetësore në fushën e pandemive, duke thelluar punën shkencore dhe studimet në këtë drejtim. Por, jo vetëm kjo…

Ne fituam përvojë në përballjen me pasojat e pandemisë dhe të luftës në vazhdim në Ukrainë në përballjen me krizën ekonomike, atë financiare, inflacioniste dhe të rritjes së çmimeve, etj. U ndërtuan politika dhe paketa mbështetëse efikase për përballje e tyre. Ndryshoi mënyra e të punuarit dhe përshtatje me të rejat dhe ndryshimet e tregut të punës, me profesione dhe biznese të reja, puna nga shtëpia nuk shihet më si herezi, shtimi i përdorimit të teknologjisë u bë i pranishëm kudo, shërbimet dhe tregtia “online” zgjeruan praninë e tyre, në administratë, në shërbimet financiare bankare(fintech); shfrytëzimi i teknologjisë për punë, për mësim, tregtia “online”, shërbimet financiare, bankare “fintech” etj.

Sot pra, ne jemi pjesë e këtij ndryshimi të madh. Prandaj, jo vetëm nuk duhet të harrojmë atë që kaluam, por duhet të vazhdojmë të reagojmë dhe të përgatitemi për ndryshimet, por dhe të “papriturat” e ardhshme, rrjedhojë e çdolloj goditjeje nga pandemitë e mundshme, por dhe nga zhvillimi dhe ndryshimi i gjithanshëm që po ndodh, me më shume mbështetje në shëndetësi, në politika të reja sociale, në edukim, teknologji, kërkim shkencor, krahas politikave të tjera sektoriale të zhvillimit. Këto, në vëmendje të rialokimeve buxhetore të sivjetme dhe të mbështetjeve buxhetore në vitet në vazhdim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura