Pandemia po vret akoma, rriten të sëmurët me zemër dhe trajtimet me radioterapi. Mjekët parashikojnë se…

May 17, 2022 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në 2021 periudhë në të cilën kulmoi pandemia nga covid-19 në spitalet publike numri i pacientëve të shtruar u rrit 17% më shumë se 2020. Nga 220,325 pacientë të shtruar në spitale në 2020, vitin e kaluar u shtruan 257,829 pacientë sipas treguesve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

zemra

Në 2021 ka pasur shitim të rasteve të trajtuara me sëmundje kardiologjie 25% më shumë se 2020. Nga 6,197 pacientë të trajtuar në 2020 7,756 pacientë të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në 2021 numri i tyre arriti në 7,756 pacientë. Shtim ka pasur edhe për pacientët e trajtuar me radioterapi. Në 2021 numri i tyre u rrit 20% më shumë në raport me 2020.

Mjekët parashikojnë se do të këtë edhe këtë vit shtim të rritjeve të rasteve të sëmundjeve kardiake, sëmundjeve tumorale, sëmundjeve metabolike e të tjera edhe për 2022 pas epidemisë së Covid-19. Mjeku i urgjencës Ilir Allkja tha për “Monitor” se shtimi i patologjive do të ndikohet nga dëmet e covid-19, mungesës së mjekëve specialistë në rrethe dhe faktorë të jashtëm si ndotja ambientale dhe kequshqyerja.

“Së pari dëmet nga infeksioni i koronavirusit janë të njohura e të panjohura. Në shumicën e individëve që kalojnë infeksionin viral, shfaqen çrregullime në koagulimin e gjakut, endotelin e enëve të qarkullimit të gjakut, metabolizmin e yndyrave, sheqernave etj, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut. Kjo sjell pasojë rritjen në numër të pacientëve kardiakë e jo vetëm.

Së dyti në Shqipëri ka mangësi themelore mjekësh e sidomos mjekësh specialistë. Sot ka plot qytete pa kardiologë, pa onkologë, pa endokrinologë, si dhe fshatra të tërë pa mjekë e infermier. Suksesi i kurimit të çdo sëmundjeje qëndron tek ndjekja e rregullt tek mjeku specialist dhe ai i familjes, tek ekzaminimet frekunente laboratorike etj. Si mund ta ndjekë sëmundjen e tij një pacient që jeton 50, 100 apo 200 km larg kryeqytetit apo një qyteti që ka specialist.

Nëse shtojmë edhe kufizimet dhe pamundësitë për ekzaminime laboratorike për shkak të dhënies me koncesion të laboratorëve, ndjekja adekuate e shëndetit të zemrës kthehet në mision tejet të vështirë.

Arsye të tjera mund të numërojmë shumë, të tilla si ndotja ambientale, ushqyerja e keqe, zbatimi i alternativës më të lirë në barnat që jepen nga shteti me rimbursim, (barna që janë tej të dyshimta) stresi, pasiguria etj”, veçon ai.

Në 2021 është shënuar rënie 3% e pacientëve të trajtuar nga spitalet psikiatrike dhe 20% rënie të rasteve të trajtuara nga urgjencat.

Pandemia po vret akoma, direkt dhe indirekt

INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3% më i ulët.

Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3%, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale.

Mjeku pneumolog Petrit Malaj thotë se në tremujorin e parë 2022 ka pasur valë të Covid në vend, që është një fakt që ka shkaktuar rritje të vdekjeve shtesë. Ndërkohë ai pohon se Covid-19 ka shtuar barrën e sëmundjeve në vend, duke përshpejtuar humbjet e jetëve te personat që e kanë kaluar më herët atë.

Në total, që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor.

© Panorama.al

Te lidhura