Padi e re për Shullazin, kamerat s’filmuan gjobën ndaj biznesmenit

May 12, 2016 | 8:25
SHPËRNDAJE

Një kallëzim i ri është administruar në dosjen e Emiljano Shullazit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka nisur verifikimet, pasi dëshmitë nuk përputhen me provat.

shullazi arrestim

Burimet e Prokurorisë thonë se tregtari Adriatik Kërçuku ka bërë denoncim në Policinë e Fierit se grupi i Shullazit (persona që kanë folur në emër të tij) i ka bërë presion për përfitim shumash monetare dhe i ka vendosur lëndë plasëse në pronat e tij.

Sipas Prokurorisë, në sistemin TIMS ka rezultuar se Shullazi ka qenë jashtë shtetit në ditën kur biznesmeni pretendon se ka ndodhur ngjarja pranë biznesit të tij. Po kështu edhe nga kamerat e sigurisë nuk është arritur të gjenden pamje që të tregojnë prezencën e Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit në vendin e ngjarjes.

Kallëzimi i biznesmenit është bërë në Policinë e Fierit më parë, ndërsa dosja në fjalë i është bashkuar hetimit që po zhvillohet te Krimet e Rënda ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij.

TËRHIQEN BIZNESMENËT

Pas arrestimit të Emiljano Shullazit, e vetmja që ka bërë denoncim ka qenë një grua rreth të pesëdhjetave nga Tirana. Ajo ka denoncuar se grupi i Emiljano Shullazit i ka marrë asaj një pronë rreth 1 milion euro në Tiranë.

Prona, sipas gruas, është regjistruar në Hipotekë në emër të Gilmando Danit përmes kërcënimeve dhe presioneve që i janë bërë gjyqtares që ka shqyrtuar çështjen në Gjykatën Administrative.

Pronarja e kësaj pasurie ka pretenduar se ka qenë në proces gjyqësor me Hipotekën në Gjykatën Administrative, kur ka ndodhur ndërhyrja e Shullazit dhe grupit të tij. Sipas gruas, prona në fjalë është hedhur në Hipotekë në emër të bashkëpunëtorit të Emiljano Shullazit. Por duke qenë se avokati i 38-vjeçarit të akuzuar për gjobëvënie e ka hedhur poshtë pretendimin e gruas, Prokuroria ka vendosur të verifikojë rastin.

Krimet e Rënda i kanë kërkuar Hipotekës me shkresë zyrtare informacion në lidhje me rastin dhe me pronat që janë regjistruar në emër të Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij. Ndërkohë katër biznesmenë të tjerë, për të cilët Prokuroria dhe SHISH kanë dyshuar se janë kërcënuar e gjobitur nga Shullazi, nuk janë paraqitur për të dhënë deklarime. Prokuroria ka kontaktuar me këta sipërmarrës dhe i ka ftuar të dëshmojnë, por ata kanë mohuar të kenë njohje me personat në hetim apo t’i kenë njohur më parë ata.

HETIMI

Sipas Prokurorisë, nga hetimet e nisura në shkurt të këtij viti, ka dalë se një grup personash me rrezikshmëri të lartë shoqërore, identifikuar më parë si persona me precedentë të ndryshëm kriminalë, disa prej tyre të dënuar dhe konkretisht, shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi etj., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, persona të cilët njihen si biznesmenë të njohur të vendit dhe konkretisht shtetasin Xh.T., aksioner të shoqërisë “E…”, me aktivitet biznesi në Durrës, shtetasin A.B., pronar i disa lokaleve në qytetin e Durrësit, po ashtu përfaqësues i kafes “P…”, si dhe shtetasin Sh.K., administrator i shoqërisë “K…”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura