“Ora policore është penalizuese”- Ekspertët e ekonomisë ngrenë alarmin për dëmtim serioz të biznesit nga pandemia

Feb 27, 2021 | 8:29
SHPËRNDAJE

Me lënien në fuqi të masave kufizuese për frenimin e Covid-19, biznesi prodhues në vend, që vazhdon të jetë i dëmtuar, kërkon një mbështetje të re nga qeveria. Prodhuesit shqiptarë shprehen se po përballen me vështirësi serioze, ndërsa nuk po gjejnë mundësi financimi për të vijuar aktivitetin.

Adrian Civici

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, thotë se tashmë biznesi vendas po përballet me sfida të shumta.

“Prodhimi vendas po vuan nga disa sëmundje të cilat kanë filluar dhe kanë lindur në 2020-ën dhe vazhdojnë të trashëgohen në 2021-shin. Sëmundja e parë është që ne sot kemi problem likuiditeti. Kompanitë janë drenuar, janë boshatisur nga likuiditeti. Kemi një ulje të produktivitetit dhe kjo vjen edhe për shkak të mungesës së porosive dhe kontratave nga jashtë. Kemi një problem shumë të madh, i cili do të kthehet në emergjencë kombëtare: ikja e punonjësve të aftësuar dhe problem tjetër që kemi ne prodhuesit është garantimi i eksporteve sot. Ne nuk kemi të garantuara eksportet”, tha Arben Shkodra.

Edhe eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i sugjeron qeverisë që të reagojë sa më shpejt në mbështetje të biznesit prodhues vendas.

Sipas profesor Civicit, të gjendur në një vit elektoral dhe me sfidën e rimëkëmbjes, qeveria duhet të mbështesë prodhimin vendas dhe të krijojë lehtësi fiskale për ta.

“Nuk mund të flitet në të njëjtin sens për paketa ndihmëse dhe mbështetëse siç ndodhi në muajin mars-korrik dhe shtator të vitit të kaluar, por duhet të kalojmë në një nivel më cilësor me politika të rëndësishme ekonomike dhe strukturore që lehtësojnë aktivitetin e biznesit, që e çlirojnë nga disa detyrime që janë të lidhura me aktivitetin e tij që janë kryesisht lehtësi të natyrës fiskale tatimore, shtyrje detyrimesh të ndryshme që ato kanë apo detyrimesh të prapambetura që ato kanë në këtë periudhë të vështirë”, tha Civici.

Që nga nisja e pandemisë së koronavirusit biznesi prodhues vendas është penalizuar nga kufizimet e orarit të punës, prej orës 20:00 deri në 06.00, ku ndalohet aktiviteti në të gjitha lokalet dhe njësitë e shërbimit.

Masa të këtilla, të cilat nuk po japin efekt, po na vështirësojnë mënyrën e të bërit biznes pa ndonjë qëllim afatgjatë dhe ne po e shohim këtë gjë sepse ndërkohë që kërkohen maskat në rrugë nuk kërkohet distancimi fizik brenda në ambiente. Mos themi që vetë politika po i heq këto masa për fushatën e vet elektorale”, u shpreh Shkodra.

Edhe për ekspertin e ekonomisë Adrian Civici masat kufizuese të vendosura nga qeveria penalizojnë disa sektorë të ekonomisë.

“Për një kategori biznesesh ky orar është penalizues për faktin se duke ditur edhe peshën e lartë që zë sektori i shërbimeve në ekonominë shqiptare, është sektori më i prekur bashkë me sektorin e transportit”, sqaroi Civici.

Pavarësisht se pritshmëritë janë që 2021-shi të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike, numri i lartë i të prekurve me Covid-19 ka shtuar vështirësitë për bizneset në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura