Nxënësit e “Turgut Ozal”, një libër dashurie për nënat

Mar 9, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

E bukur si një ditë vere, diell, hënë, dritë, dashuri… e gjithë bota. Kur vjen fjala te nëna, fjalët asnjëherë nuk do të mjaftonin. Por ata kanë zgjedhur më të bukurat, për t’ua thënë nënave në ditën e 8 Marsit, përmes faqeve të një libri. Ai nuk është libër si gjithë të tjerët. Së pari sepse nuk ka autor; të paktën jo një të vetëm.

Nxënësit e klasës së III G të kolegjit “Turgut Ozal”

Janë qindra fëmijë që me emrin e ndjenjat e tyre janë mbledhur në një libër të botuar nga Kolegji “Turgut Ozal”. Secili prej fëmijëve nga klasa e parë deri në të pestën, ka zgjedhur o krijuar vargjet e tij për nënën, dritën e jetës. “Nëna, engjëlli mbrojtës” është titulluar kjo përmbledhje dashurie, e cila vjen si një dhuratë festash.

“Pranova me ngazëllimin që të jep ndjesia se, ky rol prej udhërrëfyesi shkrimesh kushtuar nënës nga nxënësit e Kolegjit, më takonte natyrshëm nga lidhja akoma më magjike që kam me Marinin”, shkruan Mira Meksi në parathënien e kësaj antologjie të një lloji krejt të veçantë, teksa shton se shkrimet e përfshira në të “mbajnë një intensitet kaq të madh dashurie dhe dëlirësie për krijuesen e botës, sa nuk ka penë shkrimtari ta ketë arritur ndonjëherë…”.

Mundet të jetë ndër rastet e vetme ku, për të vendosur titullin, nuk janë shtruar më shumë se një ide, të cilën fëmijët e kanë përqafuar menjëherë. Përveç fëmijëve, i janë bashkuar këtij botimi edhe njerëz të njohur të artit. Vihet re menjëherë, në faqet e para, dedikimi që këngëtarja Aurela Gaçe ka bërë për nënën e saj.

“Nuk e imagjinoj dot jetën e askujt që rritet pa dorën e nënës”, shkruan këngëtarja. Përveç gjithë nxënësve të vegjël, vend të posaçëm në këtë libër zënë edhe mësuesit e shkollës “Turgut Ozal”. Secili prej tyre, si një udhërrëfyes për fëmijët, ka shkruar mesazhin e tij për të lënë më pas rrugën e hapur për të gjithë ata që kanë mbushur me dashuri këtë libër prej më shumë se 200 faqesh.

Kopertina e librit

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura