Nuk zbatuan procedurat për arrestimin e një personi në kërkim, pezullohet nga detyra Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan

Sep 12, 2022 | 20:11
SHPËRNDAJE

Agjencia e Mbikqyrjes Policore në Elbasan ka vendosur të zbatojë vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të nënkomisarit me inicialet Ulian Shpataraku, me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, si dhe nënkomisaren Sovjana Kapllanaj, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve.

Policia-e-Elbasanit3

Këta dy punonjës së Drejtorisë së Policisë në Elbasan u proceduan penalisht për Shpërdorim detyre pasi nuk kanë zbatuar procedurat për ndalimin e një shtetasi në kërkim.

NJOFTIMI I PLOTË

Elbasan – Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan ka ekzekutuar vendimin penal dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan, datë 11.09.2022, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” në ngarkim të punonjësve të policisë:

– Nënkomisar U.SH, 37 vjeç, me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan;

– Nënkomisare S.K., 45 vjeçe, me detyrë Specialiste pranë Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan.

Ata janë pezulluar në kuadër të procedimit penal nr.1200, viti 2022, të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e kësaj Prokurorie. Dyshohet se në shpërdorim të detyrës, këta punonjës policie nuk kanë zbatuar procedurat standarde për ndalimin e një shtetasi në kërkim policor.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura