Një ushtarak i lartë në krye të shtetit! Bajram Begaj, propozim nga PS-ja, i treti gjeneral në Presidencë

Jun 4, 2022 | 7:28
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Bajram Begaj, i cili prej korrikut të 2020-s mban postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pritet të jetë Presidenti i ardhshëm i Republikës.

bajram begaj ilir meta president

Mëdyshja për të zgjedhur Presidentin e ri në raundin e katërt tashmë nuk ekziston. Socialistët zotërojnë më shumë se 71 votat e nevojshme dhe të gjitha do të jenë sot për gjeneralin Bajram Bega. Gjenerali Bajram Begaj është zyrtarisht kandidati i propozuar nga PS-ja për postin e Presidentit të Republikës.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, ka pranuar propozimin e Kryeministrit Edi Rama për të marrë postin e Presidentit të ri të vendit.

Ai mban gradën gjeneralmajor, vendim të cilën e ka dekretuar Presidenti Ilir Meta në 3 korrik të vitit 2020.

Presidenti Ilir Meta dekretoi asokohe dhënien e gradës madhore gjeneralmajor për gjeneral brigade Bajram Rushit Begaj, me detyrë komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë.

Gjeneralmajor Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar Doktoraturën në fushën e Mjekësisë, në Shqipëri si dhe mban titullin profesor i asociuar në Mjekësi. Begaj, veç karrierës ushtarake ka dhe një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë, ku dhe ka mbaruar studime universitare, për Mjekësi të Përgjithshme.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë 3-vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit.

Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu, ka ndjekur Kursin e Menaxhimit Spitalor dhe Kursin e Lidershipit Mjekësor Strategjik në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar Doktoratën në fushën e Mjekësisë, pranë Fakultetit të Mjekësisë, si dhe mban titullin profesor i asociuar në Mjekësi.

Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura