“Një natë jetë”- Flamur Topi tregim homazh për vajzën që u vra barbarisht nga babai

Aug 5, 2019 | 19:42
SHPËRNDAJE

Flamur-Topi-Libri-vrasja-baballaretNë verën e vitit 2004, një baba i prapambetur dhe fanatik, në periferi të Tiranës, qëlloi me pushkë vajzën e tij 18 vjeçare, vetëm se vonoi të kthehej në shtëpi në kohën e premtuar!

Për të mos e besuar…e njëjta histori dramatike në Adelaiden e Australisë së largët!

Babai, gjithashtu fanatik e xheloz i sëmurë, goditi për vdekje vajzën e tij 20 vjeçare që, për shkak të mbrëmjes festive të shkollës, u kthye vonë në shtëpi…

Tregimi “Një natë jetë” i autorit Flamur Topi, është shkëputur nga libri me novela dhe tregime me të njëjtin titull.

Tregimi është një homazh dridhërues për vajzat adoleshente, viktima të tërbimit inatçor e krejt të pakontrolluar të “burrave”, që as edhe një vend i qytetëruar si Australia, nuk mbrrin t’ua dominojë…

 

Nga Flamur Topi

Tregim

Një natë jetë…(1)

“O Zot, unë s’paskam jetue deri tash!” – thuajse thirri ajo, tek vështronte si e magjepsur fashat shumëngjyrëshe të shatërvanit, që sipas ritmit muzikor, herë ngriheshin përpjetë të gazmenda e herë uleshin butësisht, si të lodhura.

Ai e shihte ngrohtësisht vajzën dhe vetëm buzëqeshte.

-A bajmë nji fotografi së bashku?

-Po, po e bajmë! – pranoi ajo me dëshirë e, po atë çast, (si të kujtohej dhe si e zënë në faj) i tha se s’ishte e veshur mirë atë mbrëmje e ndoshta…

-Ah, jo, jo, s’ka problem! Fotografinë e bajmë për vehten tonë e jo për të tjerët! – ia priti ai, me një gjest shpërfillës.

Fotografi i basenit, vetëm pas disa minutash, ia dha në dorë pozimin në të cilin djali ia kish hedhur krahun në sup dhe ajo qe mënjanuar lehtësisht për nga ai.

Ajo e mbante në duar fotografinë e vetëm qeshte, qeshte, sa e mrekulluar (me e marr në çast foton në dorë) aq edhe e lumtur.

-U bamë nji orë këtu tek shatërvani! – i tha ai, ndërsa fuste fotografinë në portofolin e fryrë të emigrantit me lloj-lloj dokumentash të huaja, por edhe me para, natyrisht. Një muaj pushim, në vend të vet, përpiqej ta kalonte sa më mirë të qe e mundur e, për këtë shkak, s’kursehej për asgjë.

-A ulemi në ndonji lokal, tek Blloku? – e pyeti ai, i bindur se këtë mbrëmje të rrallë, ajo s’mund të përgjigjej ndryshe përveçse me një “po” të gëzuar, tërë shend e verë…

Tek ura e vogël metalike, mbi Lanë, i kaluan në brinjë, fare pranë, vajza tiranase të parfumuara e të veshura bukur. Mbaheshin me të madh e as që ia hidhnin, një çast të vetëm e të shkurtër, sytë. Por ajo s’dëshpërohej për këtë! I shihte me admirim, a thua se qenë perëndesha, të zbritura befas nga qielli gjysmë i errësuar i asaj mbrëmjeje të vakët vere…Madje, nuk u mërzit edhe kur (kokëkthyer një çast, për nga ndriçimet e largëta blu të Lanës) u përplas padashur me një bjondinë të gjatë e ajo, me inat, e shau nëpër dhëmbë, me do fjalë përçmuese për të ardhurit…

***

Veshja e vajzës s’qe e përshtatshme për lokalin e shtrenjtë, që zgjodhi djali dhe kamarieri, një djalë i ri (mbase student), u mat diç t’i thoshte, ose të paktën kështu u kuptua, por u steps e s’u ndje, kur ndeshi në vështrimin e egër e krenar të shoqëruesit.

-Çfarë dëshiron? – pyeti djali, akoma i skuqur në fytyrë e nervoz.

-Çfarë të duesh ti! – foli vajza, me gjysmë zëri, gjithnjë e druajtur.

-Nji uiski dhe nji lang frutash! – foli prerë djali, ndërsa kamarieri shënonte kokulur mbi bllok, pa guxuar ta shihte në sy.

E mrekulluar, e magjepsur, si një kukull e habitur, me një shprehje të dukshme inferioriteti, ajo përpiqej të kapte, të rrokte, të fiksonte, kuptonte e çmonte, çdo fjalë, gjest a veprim e çdo tjetër detaj, të vajzave moderne të Bllokut…

Të kuqtë e shpërndarë me kujdes tej kufirit natyror, që i bënte buzët të dukeshin më të mëdha, më joshëse e më seksi; të ziun e lehtë a të mëshuar fort mbi bregun e ngushtë të qepallave, që të llastuarat, duke pozuar kastile, i përpëlisnin dhe i përplasnin enkas, herë pas here, tek ndiqnin kinse mjaft të vëmendëshme e të përqëndruara, bashkëbiseduesit; cigaret, që i mbanin tërë delikatesë midis gishtërinjve të lyer me llak; shtëllungat e hirta të duhanit, që lëshonin, pa u kujdesur aspak, në drejtim të bashkëbiseduesit (riti i fundit shpërfillës dhe i lirë i “modernëve”…); fundet e shkurtëra, grisur aty-këtu (moda më e mbrame) a pantallonat xhins, ulur pa drojë gjer afër pubisit; shalët e nxira, të bukura, që i zbulonin serbese, tek qëndronin krejt të çkujdesura, këmbë përmbi këmbë, gjer perçinat në kërthizë, që herë pas here, në një pozicion të caktuar ndaj ndriçuesve, që rrotulloheshin parreshtur, vezullonin tërë shkëlqim, si diej të vegjël, të largët…

-A je e lumtun sonte? – e pyeti papritur djali, teksa buzëqeshte dhe e vështronte thellësisht në sy, si ta depërtonte tej për tej.

-Shumë! Shumë e lumtun jam! – tha ajo, duke iu futur befas në gji, ndërsa qeshte ndën zë.

-Por s’duhet me u vonue! – tha djali, si të kujtohej. Kanë me të kërkue tek daja, s’do të gjejnë e kanë me u ba merak! Unë s’të due veç për nji natë!…

Ajo buzëqeshi ëmbëlsisht dhe iu ngjesh edhe më fort në gjoks. Puthi lehtë këmishën e hapur të djalit, por jo gjoksin e tij.

-A ngrehemi? Nuk due me të humb! Nuk due të kujtojnë se jam ndonji mashtrues femnash!…

Por vajza ia shtrëngoi krahun muskuloz.

-Të keqen Sokol! – iu lut. Rrijmë edhe pak, edhe pak…

***

Ishte aq e lumtur sa lutej, vetëm lutej, të qëndronin edhe pak, gjithnjë edhe pak. Fundit do t’u thoshte prindërve, se Koli qe një djalë shumë i mirë, shumë i mirë. Punonte në Itali, si picier, ishte nga anët e tyre e ç’qe më e rëndësishme, do ta merrte për nuse!…E, pas këtyre shpjegimeve, a mund t’i zemëroheshin vallë? Kish gjetur shokun e jetës e kjo duhej doemos t’i gëzonte të vetët. Do të bëhej dasëm në vjeshtë! E para në familjen e tyre. 18 vjeçarja, Valbona Imeraj, do të martohej! Lajmi do të mirrte dhenë në malësi e njerëzit do të gëzonin…

***

Ora 23.00?!…Të dy panë njëri-tjetrin në sy. Oh, por tash qe krejt njëlloj! Ktheheshin në atë kohë, apo në mëngjesin e hertë, njerëzit njësoj do të dyshonin! Por, të bëhej ç’të bëhej! Le të gëzonin çastet e lumtura të jetës…

Pijet e forta alkolike po ia turbullonin mendjen djalit…

***

Po gdhihej. Makinën me targa të huaja ai e ndali disi larg banesës. Zemërmardhur, teksa dridhej nga të ftohtët e mëngjesit të hertë, vajza mori drejtimin e shtëpisë-bunker…Njëqind metra më tutje, shqoi turbull siluetën e një burri, ulur në prag. Dukej krejt i palëvizshëm, si të qe murosur.

Si një zogth i trembur, zemra nisi t’i rrahë fort, brenda gjoksit të mbushur e të kërcyer të adoleshentes.

Një çast të shkurtër ktheu kokën për nga i dashuri, si të mirrte zemër. Ai e përshëndeti me dorën e ngritur lart, që ajo ta shihte e të mos ndjehej e vetme…

***

Të atin e kish zënë gjumi mbështetur mbi pushkë. Edhe tek flinte, dukej i rraskapitur, i zymtë, i dëshpëruar…

E frikësuar, vajza u mat të kthehej, t’ia kriste vrapit, por u druajt.

-Babë! Babë!…

Malësori u zgjua dhe hop në këmbë! I egër, kërcënues, turfullues, si një luan, që e kanë ngacmuar e provokuar atje, në strofkë të vet.

-E korite babën, o cucë!…I tanë katundi të ka kërkue gjithë natën!…E ti…

Një çast të hidhur, plaku nguliti vështrimin e mprehtë si të shqiponjës, tutje larg. Shqoi turbull siluetën gjysmë të ndriçuar prej agut të një makine të zezë dhe të një burri pranë saj…

Malësori mbushi pushkën.

-Mos! Mos babë! Jam e pastër. E virgjën si nana më ka lind! Mos babë! S’më ka prek me dorë, babë! Don me më marrë për nus…

***

Tri krisma oshëtuan fort në luginë. Duke krokatur, një tufë korbash të trembur, u shpërndanë në panik, andej-këtej…

Si t’i qenë këputur në mes gishtërinjtë, djalit i ranë prej duarve paketa dhe cigarja e porsa ndezur.

-Oh, jo! – thirri plot dhëmbje. Joooooo!…

Shqoi së largu, siluetën e vajzës, që rrëzohej si një lis i këputur. Klithmën e saj, të fortë e të dhëmbshme, jehona e solli frikshëm e të shumëfishuar tek ai.

I zbehtë, sy përlotur, u fut vrullshëm në makinë. Me gjithë shpejtësinë u lëshua tatëpjetë rrugës së rrëpirë. Dëneste parreshtur dhe me dy grushtet i binte fort, egërsisht, timonit të makinës që, e çoroditur tani, shkonte kuturu, nëpër udhëzën me gropëza, tërë pluhur të periferisë…

***

-Po ç’bane, o Nue?! Ç’bane kështu, që t’u thaftë ajo dorë! Si vritet cuca, o gjaksor?! Si vritet! – thirri me kujë e plot dëshpërim e ëma, ndërsa ia mirrte kokën në prehër, së mjerës vajzë!…

Një vazhdë gjaku i rridhte në cep të buzëve të njoma, ende rozë, që e gjora, kish ëndërruar ato orë të mbrame, t’i lyente me të kuqin e nusërisë…

-O nanë! – mezi foli vajza. E ndjej se po vdes! Po më ftohet i tanë trupi…Nji amanet due me të lanë!…Mos më varrosni pa më pa doktoresha…S’më ka prek nanë! Nuk më ka prek! As përqafue s’ka!…Donte me më marrë për nuse…Për grue, nanë!…E babën rueje! Mos e kallxo!…Janë gjashtë frymë për t’u mbajt, nanë…Gjashtë frymë…Ah…

Krejt e pafuqi, e këputur, e akulltë, vështroi një çast qiellin. Hëna iu duk më e zbehtë, më e verdhë, a thua se edhe ajo qe tmerruar e mpirë. Yjet po ashtu. Më të largët, më të turbullt. Gjithnjë e më të turbullt…

Si në një film, me pamje të ngadalësuara, nisën t’i faniteshin, shatërvani shumëngjyrësh i Parkut, ura e hekurt e Lanës, vajza perri e djem simpatikë, që shkonin e vinin parreshtur mbi të. Diskoteka! Zhurmë, ritëm, muzikë, kërcime të çmendura, thirrje të hareshme…Sytë e kaltër të Sokolit, gjoksi i tij i ngrohtë, aroma e veçantë e mashkullit, buzët, që dëshironte t’i puthte. Këmisha e bardhë e djalit, që desh të hapte një çast të shkurtër e të drojtur…

E pastaj, përzishëm, iu shfaq krejt i gjallë, fshati i largët malor. Kulla prej guri e, brenda saj, qoshja e errët e bagëtisë. Ngarkesa e rëndë me drunj në kurrizin e njomë. Bucela e ujit, që ajo (më e madhja fëmijë) e mbushte në kroin, gjysmë ore larg, të katundit. E vetmja lopë e shtëpisë. Trarët e nxirë të dhomës së ndejtjes pa oxhak e përsëri lokali gjysmë i ndriçuar i natës, tek Blloku, diskoteka e zhurmshme e plot vezullime e, në fund, një ujvarë e çuditshme…

Ujrat e kthjellëta, nuk binin natyrshëm nga lart poshtë, si çdo ujvarë, por ngriheshin tronditshëm nga poshtë lart e derdheshin me rropamë në grykë të një mali hënor, tërë gropa, si i bombarduar rëndë kohë më parë…

Stërkala shumëngjyrëshe, që vezullonin një hop ndritshëm si rubinë, binin parreshtur mbi të dhe ia njomnin trupin imcak, por ajo s’bënte përpjekjen më të vogël për t’ju shmangur. Flokët e lagur, të zinj, i lëshoheshin supeve të brishta lakuriqe e ajo vetëm qeshte, qeshte pa pushim, e lumtur…

Befas, një çast të hidhur, si në një film të ndërprerë, gjithçka u bë e errët, e errët si nata dhe e ftohtë kallkan…

-Oh, Zot! – tha me vehte vajza, plot dëshpërim. Jetova vetëm nji natë!? Vetëm nji!…

Dhe mori frymë thellë, shumë thellë, si të mos ngopej e s’mundi, s’pat më forcë, ta nxirrte sërishmi jashtë…

Ngriu, mbeti ashtu, gojë hapur, gjoks ngritur, si e habitur, e marramendur, si të mos i besohej ende për atë çfarë i kishte ngjarë aq papritur, aq padrejtësisht, aq dhunshëm…Mizorisht dhunshëm…

Shtator 2005

1) Kujtimit të vajzave, vrarë barbarisht nga injoranca, paragjykimet e sëmura, xhelozia e zakonet e vjetra prapanike. Autori

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura