Nishani: Kosova do të jetë kryefjalë e mandatit tim

Aug 31, 2012 | 11:54
SHPËRNDAJE

Presidenti Nishani me homologen Jahjaga, dje në Kosovë

Presidenti shqiptar pritet nga krerët e lartë të shtetit kosovar.

“Mbështesim bisedimet Kosovë-Serbi dhe vijat e kuqe”

Në vizitën e parë në shtetin e Kosovës, Presidenti Bujar Nishani ka premtuar se gjatë mandatit të tij si kreu i shtetit shqiptar do të angazhohet që Kosova të jetë prioriteti kryesor për shtimin e njohjeve. Gjatë fjalës së mbajtur në Parlamentin e Kosovës, kreu i shtetit shqiptar u zotua se do të mbështesë fuqimisht perspektivën europiane të Kosovës. “Angazhohem solemnisht, para jush dhe popullit të Kosovës, se gjatë mandatit tim presidencial, Kosova do të jetë kryefjala e aktivitetit tim, në përpjekjet për shtimin e njohjeve ndërkombëtare, pjesëmarrjen në nismat dhe forumet rajonale, mbështetjen e saj në rrugën e integrimit euroatlantik”, theksoi Nishani. Presidenti Nishani ka përkrahur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dy vende sovrane për të zgjidhur çështje të caktuara, ndërkohë ka rikonfirmuar edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë, se çështja e kufijve të Kosovës është çështje e mbyllur. “Shqipëria mbështet bisedimet Kosovë-Serbi për çështje praktike, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, mbështet vijat e kuqe të qeverisë së Kosovës. Marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen qartë, pa ekuivokë, sa më shpejt, me garanci ndërkombëtare, që të sigurojnë pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale e më gjerë. Më lejoni të rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë se çështja e statusit të Kosovës dhe kufijve të saj është një çështje e mbyllur. Shqipëria mbështet plotësisht tërësinë territoriale të Kosovës në kufijtë e saj aktualë, të njohur ndërkombëtarisht”, deklaro Nishani.
Takimi me Jahjagën
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka deklaruar dje se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, Kosova është edhe një faktor i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Këto komente ai i bëri pas takimit që pati me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Ndërkohë, të dy presidentët, Nishani dhe Jahjaga, në një konferencë për media pas takimit, janë shprehur pro dialogut me Serbinë, ngase, sipas tyre, është mjeti më i mirë për të zgjidhur problemet që ekzistojnë ndërmjet shteteve.
“ Kosova e lirë, e pavarur, demokratike dhe sovrane, është sot jo vetëm një realitet i pakthyeshëm, por një faktor i domosdoshëm për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në gjithë rajonin e Ballkanit”, ka thënë ai.

Krasniqi: Respektojmë pakicat
Presidenti Nishani zhvilloi dje një takim me kreun e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Gjatë takimit, Nishani theksoi se forcimi, zgjerimi dhe thellimi i pandalshëm i këtyre marrëdhënieve në nivel dypalësh, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës së jashtme të institucioneve shqiptare. Nga ana tij, Krasniqi, duke u ndalur te zhvillimet në vend, tha se Kosova është e ndërtuar dhe ka bërë shumë përpara në vendosjen e standardeve të reja për respektimin e pakicave kombëtare që jetojnë në Kosovë.

Nishani takon Thaçin
Kreu i shtetit shqiptar dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë, u prit dje dhe nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Gjatë bisedës, Nishani, pasi uroi për vendimin e marrë për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur, theksoi se kjo arritje historike i atribuohet popullit të Kosovës. Kryeministri Thaçi, teksa u ndal në procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë, garantoi se institucionet e Kosovës po bëjnë gjithçka për të përmbushur në kohë standardet, në mënyrë që ky proces të mbyllet më 10 shtator.

100-vjetori, festë e përbashkët
Në kuadër të vizitës në Kosovë, Presidenti Bujar Nishani pati dje një takim të veçantë edhe me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, të zhvilluar në mjediset e Bashkisë së Prishtinës. Gjatë bisedës, Nishani theksoi se 100-vjetori i Pavarësisë së shtetit shqiptar është një festë e përbashkët me shtetin e Kosovës. Nga ana e tij, Mustafa shprehu vlerësimin e lartë dhe nderimin që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i bën Komunës së kryeqytetit përmes kësaj vizite të shumëpritur dhe të dëshiruar për qytetarët prishtinas.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura