Nga plagosja te masakra, zbulohet e shkuara e biznesmenit lushnjar ‘rivali’ i Aldo Bares që sfidoi policinë me BMW të blinduar

Mar 19, 2018 | 20:25
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ Po udhëtonte i armatosur me makinë të blinduar, nuk i bindet urdhrit të policisë dhe tenton të largohet.

30bd5892-c7a0-44da-9a62-09198693eabc-933x445

Një aksion si në filma është realizuar nga Policia e Lushnjës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për arrestimin e një 37- vjeçari, pasi udhëtonte me armë dhe nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar.

Në pranga përfundoi Julian Sulo, banues në Karbunarë, Lushnjë, i njohur ndryshe dhe si “Juli i Pashakos”. I riu u kap nga Policia e Lushnjës në bashkëpunim me FNSH-në e Fierit, ku në momentin e arrestimit u bë dhe sekuestrimi i armës së zjarrit tip “Grand Power” dhe një krehër me 15 fishekë.

Gjithçka ka nisur kur gjatë një kontrolli të ushtruar nga policia në lagjen “Gafur Muço”, Julian Sulo, duke udhëtuar me mjetin tip BMW të blinduar, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Pas kësaj, forcat e policisë kërkuan përforcime dhe u vunë në ndjekje të 37- vjeçarit. Në tentativë për t’i shpëtuar kapjes, Julian Sulo braktis makinën e blinduar dhe gjatë largimit në këmbë ka mundur të hedhë disa metra larg automjetit armën që mbante me vete.

I riu nga Lushnja ka mundur të largohet disa metra nga automjeti, duke tentuar të fshihet në rrugicat e qytetit, por përpjekjet e tij morën fund pas ndë- rhyrjes së shpejtë të forcave të policisë. “Falë veprimeve të shpejta të Policisë së Lushnjës dhe FNSH-së Fier, u bë e mundur kapja e këtij shtetasi në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë”, sqaron Policia.

Nga kontrolli, në afërsi të mjetit është gjetur një pistoletë tip “Grand Power” Q 100, një krehër me 15 fishekë dhe një fishek në folenë e armës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Julian Sulo, biznesmen nga Lushnja, nuk është një emër i panjohur nga Policia. Paraprakisht, gjatë marrjes në pyetje, mësohet se 37-vjeçari nuk ka pranuar të flasë, përveçse ka thënë se udhëtonte i armatosur për vetëmbrojtje.

Kjo pasi pak kohë më parë është tentuar të vritet nga disa persona, që e sulmuan me sende të forta, por ngjarja nuk u zbardh asnjëherë. Pavarësisht kësaj, ndaj tij do të rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mosbindje e punonjësit të policisë së rendit publik”.

37-vjeçari i arrestuar ka në pronësi të tij një lokal dhe një lavazh në qytetin e Lushnjës. Ndryshe ai njihet edhe si “Juli i Pashakos” dhe si rival i Aldo Bares, pasi është një nga personat e shoqëruar si të dyshuar për masakrën në Lushnjë të ndodhur në tetor të vitit të kaluar, ku mbetën të vrarë dy persona, miq të nipit të Bares, por u la i lirë për mungesë provash.

Ndërsa më 11 qershor 2016, Julian Sulo u plagos pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër në një pikë bastesh nga Arjan Aliço, anëtar i bandës së Aldo Bares, i njohur si “Arti i Braçes”. Ky i fundit është dënuar dhe më parë si i përfshirë në vrasje.

NJOFTIMI

Nuk i bindet urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar pasi qarkullonte me armë zjarri në automjet, policia e Lushnjes në bashkëpunim me FNSH Fier arrestojnë në flagrancë autorin.

7a2df245-911b-4c35-81a0-fe90f7b61966

Sekuestrohet arma e zjarrit tip “Grand Power” dhe një krëhër me 15 fishekë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje në vijim të kontrolleve të ushtruara me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve, arrestuan në flagrancë shtetasin:

-Julian Sulo, 37 vjeç, banues në Karbunarë, Lushnje.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në lagjen “Gafur Muço”, shtetasi Julian Sulo duke udhëtuar me mjetin tip B.M.V të blinduar, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar.

Policia iu vu në ndjekje shtetasit të lartëpërmendur i cili pasi braktis makinën, hedh armën që mbante në mjet dhe largohet me vrap në rrugicat e qytetit.
Falë veprimeve të shpejta të policisë së Lushnjes dhe FNSH Fier, u bë e mundur kapja e këtij shtetasi në lagjen “18 Tetori”, Lushnje.

Në afërsi të mjetit është gjetur një pistoletë tip “Grand Power” Q 100, një krëhër me 15 fishekë dhe një fishek në folen e fishekut, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Prodhimi dhe shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Mosbindje e punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 278 dhe 242 të Kodit Penal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura