Nga përplasja me Mehmetin te debati me Fadil Paçramin, për Xhaminë e Et’hem Beut, dëshmia e Aleksandër Meksit: Ish-kreu i Institutit të Monumenteve ndërhyri te ministri për…

May 28, 2020 | 19:00
SHPËRNDAJE

pjimage (3)Dashnor Kaloçi/ Kjo eshte historia e panjohur e arkitekt Gani Strazimirit me origjinë nga rrethi i Dibrës, i cili në periudhën e Monarkisë së Zogut studioi në Universitetin Politeknik të Torinos në degën e Arkitekturës, por i ndërperu studimet dhe u kthye në atdhe, për t’u angazhuar në Lëvizjen Antifashiste, fillimisht me njësiet guerile të Tiranës dhe më pas në rrethin e Dibrës.

Shtëpia e tyre ishte një nga bazat më të mëdha të Luftës dhe babai i tij, Ismail Strazimiri, u vra nga gjermanët që bombarduan shtëpinë e tyre me artileri. Dërgimi i Ganiut për studime në Bashkimin Sovjetik menjeherë pas mbarimit të Luftës dhe diplomimi i tij në vitin 1950 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Moskës, në degën e Arkitekturës dhe kthimi në Tiranë duke u emëruar si kryearkitekt i Zyrës së Urbanistikës, ku ai u mor me planin rregullues të kryeqytetit, gjë të cilën ai e kishte filluar që në periudhën e studimeve në Moskë, ku kishte konsulencën e dy arkitëktëve të njohur rus, Kratjuk dhe Polyakov, të cilët erdhën edhe vetë në Tiranë duke studjuar nga afër terrenin. Përplasja e Strazimirit më pas me specialistët rusë për vëndin se ku do ndërtohej Pallati i madh i Kulturës, dhe tërheqja e tij më pas nga ajo punë, duke kaluar te Instituti i Monumenteve të Kulturës, të cilin ai e themeloi vetë dhe përplasja më pas me autoritetet partiake e shtetërore, deri në rangjet më të larta, si ajo me kryeministrin Mehmet Shehu, për prishjen e Bezistanit të Shkodrës, apo Kishës së Shën Mërisë, ku ai bëri denoncimet në Prokurori, duke i konsideruar ato si krime të rënda që duheshin ndëshkuar penalisht.

Në krye të Institutit të Monumenteve të Kulturës

Pas tërheqjes nga Zyra Urbanistike e Tiranës, Ganiu filloi të hapë një rrugë të re, atë të zbulimit, ruajtjes dhe restaurimit të kulturës materiale. Ky grup i krijuar prej tij varej nga Instituti i Historisë në varësi të Universitetit të Tiranës. Ky pozicionim i ri, i lejoi atij të krijonte përmes rilevimeve, vizatimeve, fotove, etj., bazën arkivore të monumenteve të kulturës të popullit shqiptar. Pas pesë vitesh, në 1965-ën, me propozimin e tij, u krijua Instituti për Ruajtjen dhe Restaurimin e Monumenteve të Kulturës, ku ai ishte drejtori i parë i tij. Ark. Gani Strazimiri është themeluesi i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe “motorri” i përgatitjes profesionale të shumë specialistëve, si: Aleksandër Meksi, Emin Riza, Pirro Thomo, Apollon Baçe, Gjerak Karaiskaj, Valter Shtylla, Buron Kaceli, etj., të cilët që nga ajo kohë e më pas, do të bënin një emër të madh jo vetëm në fushën ku ishin specializuar. Gani Strazimiri u angazhua dhe punoi shumë në fushën e historisë të arkitekturës shqiptare dhe veçanërisht për përcaktimin e zonave historike të arkitekturës popullore. Ai bëri zonimin e qytetit muze të Beratit dhe rregulloren e veçantë të saj (1961) si dhe të njëjtën gjë për qytetin e Gjirokastrës në vitin 1973. Këto konsiderohen veprat më të mëdha të kërkimeve shkencore për respektimin e zonave historike të arkitekturës popullore shqiptare. Po kështu evidentimi dhe më pas ruajtja e restaurimi i vlerave monumentale, u bë si objektiv parësor në punën e atij instituti që drejtonte Gani Strazimiri. Në këtë kontekst, ai krijoi atelietë e restaurimit në qytetet kryesore të vëndit, si dhe vendosjen e sistemin e kujdestarëve, kudo në të gjitha fshatrat e Shqipërisë ku kishte monumente kulture që ishin nën mbrotjen e shtetit. Në vitin 1964, Arkitekt Gani Strazimiri së bashkë me ing. Aleksandër Meksin, morën pjesë në Kongresin e Venecias në Itali, dhe si përfaqësues i Shqipërisë, Ganiu u zgjodh anëtar i Asamblesë për aprovimin e Kartës të Restaurimit të Venecias.

Lufta e ashpër me autoritetet partiake e shtetërore për mbrojtjen e monumenteve

Lidhur me punën e madhe që ka bërë arkitekt Gani Strazimiri gjatë gjithë asaj periudhe që ishte në drejtimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, veç të tjerash flasin me një konsideratë dhe veneracion të madh edhe ish-bashkëpunëtorët dhe vartësit e tij. Një ndër ata është dhe profesor Emin Riza, i cili mes të tjerash shprehet: “Nën drejtimin e Gani Strazimirit, bashkë me bashkëpunëtorët, hartuam tekstin e parë të Historisë të Artit të Arkitekturës Shqiptare dhe kjo hyri si lëndë në Fakultetin e Arkitekturës. Ndërsa sipas, mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, arkitektit, Koço Miho, idea e arkitekt Gani Strazimirit për përcaktimin e “vijave të verdha” për ndarjen e qyteteve nga zonat rurale, si dhe përcaktimi i zonave të banuara nga ato industrial, qenë një koncept madhor për kohën”. Gjithashtu në memorien e ish-vartësëve të tij në Institutin e Monumenteve, mbetën të paharruara përplasjet e përditëshme të drejtorit Strazimiri, me autoritetet partiake dhe shtëtërore të asaj kohe, për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Gjë e cila u acarua së tepërmi pas vitit 1965, kur regjimi komunist filloi luftën kundër besimeve fetare dhe nisi aksionin e madh për prishjen dhe shkatërrimin e objekteve të kultit, ku pothuaj pjesa më e madhe e tyre ishin monumente kulture dhe thesare të trashëgimisë kultorore të popullit shqiptar. Vlen për t’u përmëndur vandalizmi i regjimit komunist ndaj disa objekteve të rralla dhe unikale të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, si: Kisha e Shën Mërisë, në Qyrsaq të Vaut të Dejës në Qarkun e Shkodrës, Bezistani (Pazari vjetër) në hyrje të qytetit të Shkodrës afër bregut të Bunës dhe liqenit, Hamami etj., të cilat u shkatërruan plotësisht. Kjo gjë e irritoi pa masë Gani Strazimirin dhe ai përdori të gjithë fuqitë e mundësitë e tij, duke denoncuar në Prokurori dhe duke hedhur në gjyq autoritetet shtetërore që kishin kryer atë “vepër kriminale” siç e cilësonte ai, por megjithë përpjekjet e tij të jashtëzakonëshme, shumë monumente të pakthyeshëm u shkatërruan plotësisht.

Përplasja me Mehmet Shehun për Bezistenin e Shkodrës

Vlen të theksohet kurajo qyetare e Gani Strazimirit në mbrojtjen e monumenteve të kulturës duke u përplasur me udhëheqësit kryesorë të regjimit komunist të asaj kohe, siç ishte kryeministri Mehmet Shehu. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij, Sul Baholli, sekretar i parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Shkodrës, midis të tjerash shkruan: “Po bisedinim me shokun Mehmet Shehu për të prishur Bezistanin dhe Hamamin e vjetër, kur në ato momente vjen ark. Gani Strazimiri, i cili ndërhyri fort dhe Mehmeti, u bind dhe i tha që: ‘Gani fitove, Bezistani dhe ‘Pazari i vjetër’ nuk do prishen. Të nesërmen shkuam në Koplik dhe unë rrija si hatërmbetur, sa Mehmeti me tha: Ç’ke Sulë që je buzëvarur’?! I thashë që: ‘Ju vetëm inxhinjerin dëgjuat dhe jo ne’. Pasi u mendua ca, me tha: ‘Prishini sonte për gjithë natën, që kur ta mësojë nesër Ganiu, të mos ketë ç’të bëjë’. I prishëm natën dhe të nesërmen Ganiu përgatiti dokumentat të denonconte në prokurori Bilal Parrucën që ishte Kryetar i Komitetit Ezekutiv i Shkodrës. Njoftuam kryeministrin Mehmet Shehu, i cili e thirri dhe i tha: ‘Gani, më vjen keq për monumentet, por dhe Kryetarin e Komitetit do të na e fusësh në burg’?! Ganiu i’u përgjigj: ‘Ky është ligji që kemi bërë bashkë, nëse nuk doni që kryetari të shkojë në burg, ndryshoni ligjin. Para ligjit të gjithë jemi njëlloj”.

Aleksanër Meksi: Ganiu ndërhyri te Thoma Deljana

Krahas vandalizmave që ndodhën me disa monumente të rralla në Qarkun e Shkodrës, ishin edhe ato me xhaminë e Kavajës, për të cilën, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, kujton se: “Sapo u mësua ajo gjë, drejtori Strazimiri na nisi urgjent për në atë qytet, por që ne nuk mundëm të bënim dot gjë, pasi me atë “punë” ishte marrë vetë (shoku Rita Marko), Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Durrësit, prej nga varej qyteti i Kavajës asokohe. Sipas Prof. dr. Meksit, një nga vartësit dhe njëkohësisht miqtë më të ngushtë të Strazimirit, ai bëri një punë të jashtëzakonëshme duke reduktuar në maksimum listën e objekteve të kultit që ishin planifikuar për t’u prishur, duke debatuar me ministrin e Arsimit dhe Kulturës, Thoma Deljana, (në mbledhjen e kolegjumit të asaj ministrie) dhe për atë gjë ai pati edhe ndihmën e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të asaj kohe, Dhimitër Shuteriqi. Ministri Deljana i’u bind arsyetimit të tyre dhe kështu mundën që të shpëtonin një sërë monumentesh me vlera të rralla arkitekurore, siç ishte dhe xhamia e Et’hem Beut në qëndër të Tiranës, tyrbja e Qorehasanëve pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, “Xhamia e Beqarëve”, në Berat e shumë e shumë të tjera. “Në flamën kundër zakoneve fetare, u krijua një grup pune apo më saktë një komision i atashuar në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës që drejtonte Thoma Deljana, i cili do merrej me shqyrtimin e listës së monumenteve të kulturës. Kryetar i atij komisjoni u caktua Koço Bihiku, ndërsa anëtarë ishte: Aleks Buda, Gani Strazimirin, Dhorka Dhamo dhe unë (Aleksandër Meksi). Bëhej fjalë për nxjerrjen nga lista të shumë monumenteve të kulturës. Para se të shkonim në ministri, uleshim me Ganiun dhe Emin Rizën e Pirro Thomon, e diskutonim. Aty vendosej që çdo shpëtohej dhe gjatë mbledhjes, bënim sikur grindeshim me Ganiun, jo ky monument, jo ky tjetri, e kështu shpëtonim aq sa mundëm”, kujton prof. Aleksandër Meksi, atë periudhë kohe kur ai me shefin e tij, Gani Strazimiri dhe disa kolegë të tjerë, bënë përpjekjet maksimale për të shpëtuar nga shkatërrimi shumë monumente të trashëgimisë kulturore.

Neritan Ceka: “Për Pazarin e Korçës, Enveri u tha: flisni me Ganiun”

Lidhur me punën kolosale të Gani Strazimirit në mbrojtje të monumenteve të trashëgimisë kulturore, Prof. Dr. Neritan Ceka, midis të tjerash dëshmon: “Në fundin e viteve ’60-të, kur sapo kishte filluar puna për restaurimin e monumenteve kulturore në qytetet e Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës, gjatë një vizite që bëri Enver Hoxha në rrethin e Korçës, ata të Komitetit të Partisë i thanë se donin të prishnin ‘Pazarin e vjetër’ në qëndër të qytetit dhe Enveri i’u përgjigj i prerë: ‘Për këto gjëra, duhet të pyesni vetëm Gani Strazimirin, çfarë do u thotë Ganiu do bëni’. Dhe kështu shpëtoi pa u prishur jo vetëm ‘Pazari i vjetër’ i Korçës, por prej Gani Strazimirit, sot ne kemi Gjirokastrën, Beratin, Krujën etj., ku ka me dhjetra monumente kulture që u morrën në mbrojtje nga shteti, vetëm në sajë të insistimit dhe ndërhyrjes së Gani Strazimirit”.

Në vitin 1968, me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në të gjithë vendin filluan veç të tjerash punimet e fortifikimeve ushtarake. Në mjediset e Parkut Arkeologjik të Apollonisë, ishte menduar vendosja dhe instalimi e një baterie kundër ajrore, bashkë me radarin përkatës, pa harruar kapanonin e ushtarëve, mencën e anekset e tjera për një repart ushtarak. Ndërhyrja e fuqishme e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gani Strazimiri, pas përplasjeve me Komandantin e Korpusit të Fierit, e ngriti problemin deri në organet më të larta  partisë-shtet dhe çdo gjë u anullua. Kjo gjë flet për peshën e Institutit të Monumenteve të Kulturës së asaj kohe dhe autoritetit të drejtorit të saj, Gani Strazimirit, i cili me kurajo intelektuale dhe qytetare, mbronte me xhelozi çdo monument kulture. Po kështu u mbrojt prej tij edhe qyteti antik i Butrintit, Parku i Bylysit, të cilat së bashku edhe me atë të Apollonisë, falë insistimit dhe ndërhyrjes së Gani Strazimirit deri në Byronë Politike dhe Këshillin e Mbrojtjes, sot e kësaj dite nuk kanë ansnjë qëndër zjarri apo objeket tjetër ushtarak në territoret e tyre .

Debati me Fadil Paçramin, për Xhaminë e Et’hem Beut

Lidhur me përplasjet e Gani Strazimirit me autoritetet e larta partiake dhe shtetërore në mbrotje të monumenteve të kulturës, ish-bashkëpunëtori dhe miku i tij, Prof. Dr. Emin Riza, kujton “Po ecnim me Ganiun për të shkuar në Bibliotekën e Pallatit të Kulturës, dhe aty ku është xhamia e Et’hem Beut, na doli përpara Sekretari i Partisë të rrethit Tiranës, Fadil Paçrami dhe pas përshëndetjeve të rastit, ai na tha: “Gani edhe nja dy ditë dhe do ta prishim këtë plerën”, dhe na tregoi xhaminë. Por Ganiu i tha drejt përdrejt: “Këtë nuk e prish dot, as ti dhe as zoti vetë”. U kthye dhe mësova që kish takuar Hysni Kapon që me siguri foli me Enver Hoxhën dhe kështu xhamia shpëtoi dhe e kemi sot e kësaj dite vetëm në sajë të Gani Strazimirit. Po kështu, më mori me vete një ditë dhe rrugës për në Berat, me tha: që sot do shohësh si mbrohen monumentet e kulturës. Mbrritëm në Komitetin e Partisë dhe shkuam direkt te Pirro Gusho, Sekretari i Partisë të rrethit dhe pas përshendetjeve, Pirro i tha: “Do prishim ‘Xhaminë e pederastëve’, bëhej fjalë për ‘Xhaminë e Beqarëve’. Ganiu e pyeti: ‘Ç’punë bën ti Pirro këtu’?! ‘Jam Sekretari i Partisë të rrethit’ qe përgjigja. Ganiu vazhdoi, ‘Ti e di, që unë jam Sekretari i Parë i Monumenteve të Kulturës’?! Falë kësaj ndërhyrje, kemi ‘Xhaminë e Beqarëve’, sot e kësaj dite. Por jo gjithmonë arrinte të shpëtojë monumentet. Kujtoj që Kavaja kishte dy xhami. Njëra e vjetër dhe më e vogël, por plot me afreske floreale, dhe tjetra e re, por jo në cilësinë e të parës. Në Institut erdhi njoftimi që do prisheshin të dyja. Ganiu u nis me nxitim për në Durrës, për të takuar Rita Markon anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Partisë për rrethin e Durrësit. Ai me prepotencë i tha: ‘Gani, do t’i prishim të dyja xhamitë. T’ja thyejmë hundët kavajasve’. Megjithë përpjekjet e Ganiut, u arrit të shpëtohej ‘Xhamia e Re’ dhe për të vjetrën, më të bukurën, mori 24 orë leje dhe punonjësit e Institutit e fotografuan dhe dokumentuan çdo gjë”.

“Vlen të theksohet’ tregon Prof. Dr. Emin Riza ‘përkrahja dhe ndihma që ai u jepte punonjësve të Institutit, për çdo hall apo problem familjar që ata kishin edhe jashtë punës së atij institucioni. Kujtoj që kur babain tim, Selman Riza, e dërguan në Berat edhe për mua njoftuan që dosjen time e kishin dërguar në Kukës. Ato ditë Ganiu mori takim me Manush Myftiyn, anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës dhe kërkoi që dosja ime të kthehej, e unë të vazhdoja punën në Institut. Pasi e mori fjalën që dosja do kthehej, i kërkoi të shkoja në Itali, për një specializim 8 mujor. Manushi i tha: “Shoku Gani, mos e teprojmë, tani e shpëtove nga Kukësi dhe do menjëherë ta dërgosh në Romë”?!

Në vitin 1976, del në pension

Në vitin 1976, arkitekti i njohur, Gani Strazimiri doli në pension dhe drejtuesit e lartë i lanë një zyrë të vogël në ambientet e Institutit, ku ai do të vazhdonte punën studimor me projektet që kishte nisur prej kohësh. Disa kohë më pas, ai botoi një album (katallog) që i kushtohej qytetit muze të Beratit. Në vitet që pasuan, ai u tërhoq dalë ngadalë nga puna dhe projektet e tij studimore, pasi gjithnjë e më shumë po ndeshte në indiferencën e madhe të institucioneve përkaëse partiake e shtetërore, të cilat, për shkak edhe të gëjndjes tejet të vështirë ekonomike që po kalonte vëndi, pothuaj e kishin larguar fare vëmëndjen nga monumentet e kulturës dhe objektet që përbënin pasurinë e madhe të trashëgimisë kulturore. Gani Strazimiri ndërroi jetë në 3 maj të vitit 1993 në Torino të Italisë, pas një sëmundje (alzaimer) të rëndë që e preku vitet e fundit të jetës. Në vitin 1998, ish-Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve të asaj kohe, Edi Rama, pas një kërkesë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili vlersonte punën dhe kontributin e madh të arkitektit të njohur, Gani Strazimiri, me datën 23.7.1998, i propozuan Presidencës për dekorimin e Gani Strazimirit me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës” (shiko faksimilen përkatëse), gjë e cila i’u akoruda nga Presidenca.

Reagimi për heqjen e emrit “Gani Strazimir”, Institutit të Monumenteve

Po kështu me propozimin e ish-bashkëpunëtorëve të tij, Prof. Dr. Emin Riza, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. Dr. Apollon Baçe, etj., qeveria e Partisë Demokratike e kryeministrit Sali Berisha, (shiko faksimilen përkatëse) i dha emrin ark. Gani Strazimiri, Institutit të Monumenteve të Kulturës, por dy viteve, qeveria aktuale, (e kryeministrit Edi Rama), bëri bashkimin e Institutit të Monumenteve, si pjesë të Qëndrës Arkeologjike, duke “humbur” kështu emrin e krijuesit të Institutit të Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Lidhur me këtë, veç të tjerash reagoi edhe intelektuali i njohur, Piro Thomo, (ish-bashkëpunëtor i Gani Strazimirit), me anë të një letre, ku ai shkruan:

Të nderuara Zonja Ministre dhe Drejtoreshë,

Dy fjalë dhe për logon e re të Institutit.

Para një viti e gjysmë hapët një konkurs për formulimin e logos së Institutit (së bashku me çmimin fitues), të cilin çuditërisht e anuluat.

Megjithatë arrita të dërgoj dy variante, të cilat jua dërgova së bashku me argumentimin përkatës.

Shoh që logo e publikuar është e njëjtë me idenë që kam paraqitur, por që ende mban një formë kapiteli jo të saktë, gjë që nuk e nderon Institutin.

Lidhur me emrin e themeluesit të Institutit, Gani Strazimiri, ky emërtim i është vënë këtij Instituti me një V.K.M. Mendoj se heqja e emrit nuk mund të bëhet në mënyrë arbitrare, por do të duhet një tjetër V.K.M. që ta anulojë”.

Me nderime

Pirro Thomo  

Por atë që nuk po e bën dot shteti dhe qeveria aktuale, e kanë ndërrmarë një grup ish-bashkëpunëtorësh të tij, të cilët me nisiativën e tyre do bëjnë një bust bronxi për arkitekt  Gani Strazimirin dhe do t’u kërkojnë autoriteteve shtetërore lejen për ta vënë para Institutit të Monumenteve të Kulturës, pasi historia e atij institucioni, ka në themel punën dhe veprën madhore të tij. “Memorja e popujve nuk vdes kurrë dhe gjithëseicili nderohet me punën e vet”./Memorie.al

meksi 20200523_000649 20200524_185758 07011951020-10723-Pamje-nga-Tirana-Lulishte-Skenderbeu 20200523_000636 20200523_000649 20200524_185758 20200525_003637 20200526_233554a p

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura