Nga ngrirja e pagave te shtesa për pensionistët, hyn në fuqi buxheti. Sa do përfitohet sipas kategorive

Aug 1, 2018 | 19:14
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Hyjnë në fuqi ndryshimet e buxhetit të vitit 2018, që anulon rritjen e pagave për administratën, ndërsa parashikohet një fond për shpërblimet e fundvitit për pensionistët.

pensioniste1

Akti Normativ i Buxhetit u miratua dje në Fletoren Zyrtare, ndërsa me nisjen e sezonit të ri parlamentar do të miratohet edhe nga Kuvendi. Në Aktin Normativ që do t’i dërgohet për miratim në muajin shtator Kuvendit, qeveria ka anuluar rritjen e pagave, ku në buxhetin fillestar të miratuar ishte parashikuar fondi prej 10 milionë dollarësh.

Përfitues të rritjes së pagave do të ishin punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë. Rritja e pagave parashikohet të kryhet me buxhetin e vitit 2019. Nga ana tjetër, qeveria miratoi 30 milionë dollarë fondin për shpërblimet e pensionistëve me rastin e festave të fundvitit. Pensionistët parashikohet të përfitojnë 5 mijë lekë bonus me rastin e festave të fundvitit. Përfitues do të jenë 650 mijë pensionistë të ndarë në 6 kategori në të gjithë vendin.

Po ashtu, me Aktin Normativ qeveria nuk ka shkurtuar fondin e investimeve publike. Akti Normativ do të sjellë shtim të fondeve të investimeve me 300 milionë lekë apo 3 milionë dollarë nga buxheti fillestar. Po ashtu me ndryshimet e buxhetit qeveria do të realizojë rialokime në investimet publike, pra, nga projektet që kanë pasur ecuri më të ngadaltë drejt atyre me ecuri më të shpejtë.

Më herët, Ministria e Financave shpjegoi se nga ndryshimet e buxhetit, treguesit makroekonomikë dhe performanca e ekonomisë gjatë 6-mujorit është plotësisht në linjë me parashikimet fillestare dhe objektivat e buxhetit 2018.

“Niveli i deficitit të përgjithshëm fiskal mbetet i pandryshuar në nivelin prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, sikurse ishte programuar në ligjin fillestar të buxhetit; Balanca primare pozitive mbahet e pandryshuar (pra, me suficit), ekzaktësisht sa niveli i programuar në ligjin fillestar të buxhetit”, sqaruan Financat.

KATEGORITË QË PËRFITOJNË SHPËRBLIMIN

Pensionistët që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar, qyteti. Pensionistët që marrin pension, sipas “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.

Personat që marrin trajtim të veçantë financiar, që kanë punuar në miniera, në nëntokë dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake.

Personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.

Personat që marrin pension pleqërie sipas ligjit “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, si dhe ata që marrin pension social.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura