Nënë Rukija: Si i shpëtoi shkatërrimit Teqeja e Dervish Hatixhesë në komunizëm

Mar 30, 2015 | 13:22
SHPËRNDAJE

Ajo është pasardhësja e njërës prej grave të pakta që mori të drejtën të quhej Dervish. Tashmë në moshën 85-vjeçare, nënë Rukija pret e përcjell njerëz që shkojnë të kryejnë ritet fetare në një prej teqeve më të njohura në Shqipëri. Bashkë me historinë e nënë Rukijes, vjen edhe ajo e paraardhëses së saj, Hatixhesë, që fitoi famë si bamirëse e shenjtore gjatë epidemisë së kolerës në shek. XVIII

Vite më parë, në atë rrugicë jo dhe aq të fshehtë të Rrugës së Barrikadave, njerëzit planifikoheshin sa e sa ditë më parë përpara se të hynin. Këtë, jo pse nuk ishin të bindur në atë që ishin duke bërë, por sepse sytë e botës ishin gjithnjë në gatishmëri për t’i kallëzuar. Aty ishte Teqeja e Dervish Hatixhesë, të parës grua (Hatixhe Skënderi) që mori titullin “Dervish”. Vizitorët e dinin që nëse hynin në atë shtëpi, rrezikonin veten, e megjithatë kjo nuk i pengonte t’u shkonin në fund riteve fetare të bektashinjve. Sot, ajo shtëpi është e hapur për të gjithë e askush nuk sheh majtas-djathtas përpara se të hyjë. Vizitat nisin që në orët e para të mëngjesit për të vijuar gjatë gjithë ditës. E zonja e shtëpisë, e disata trashëgimtare në krye të teqesë, nënë Rukija, është aty për të pritur e përcjellë gjithnjë me një fjalë të mirë në gojë. E gjen të ulur në kolltukun e saj, në dhomën me varre, ku njerëzit hyjnë e dalin për të kryer ritet fetare. Dikur, pasi regjimi komunist e mbylli këtë teqe, sikundër bëri me të gjitha institucionet e tjera fetare, dhoma mund të hapej vetëm nga të zotët e shtëpisë. “Sa jam munduar t’i ruaj e t’i trashëgoj këto rite fetare e këtë besim. Kam rrezikuar veten sa e sa herë. Kam qenë në prag të internimit, por nuk di se si, ndoshta diçka në momentet e fundit që nuk arrinin të më merrnin. Unë gjithnjë e kam shpjeguar këtë gjë me fuqinë e besimit dhe mirësisë së paraardhësve të mi”, tregon nënë Rukija sot që sapo ka lënë pas 85 vite jetë e përvojë. Tani, për shkak të moshës e peripecive të shëndetit, nëna që i priste të gjithë, nuk ka më energjinë e mëparshme, megjithatë, çdo ditë, prej orës 7 të mëngjesit është aty. Qëndron aq sa ka fuqi, pastaj tërhiqet në dhomën e saj, që është vetëm një derë larg dhomës ku njerëzit hyjnë e dalin deri në pasditen e vonë. As legjendat nuk arrijnë të shpjegojnë deri në fund, mënyrën se si është trashëguar vijimësia për “kreun” e kësaj shtëpie. Nënë Rukija, ajo që ca ditë më parë ka marrë mijëra urime nga të gjitha vendet e botës për ditëlindjen e saj, erdhi nuse në atë shtëpi. Siç udhëzonte tradita, nuses së madhe të shtëpisë do t’i kalonte e drejta për t’u kujdesur. Nënë Hakja, vjehrra e nënë Rukijes, ishte paraardhësja e kësaj të fundit ndërsa pritet, sipas radhës, që Eva Peza, nusja e nënë Rukijes, të jetë administratorja në vazhdim. Por si është historia e hershme e kësaj shtëpie? Si u bë Dervish Hatixheja, gruaja më e famshme në radhët e administratoreve të kësaj teqeje. Ndihmuar nga gojëdhënat, rrëfim pas rrëfimi, familjarët e nënë Rukijes dinë t’i japin shpjegimin e mëposhtëm…

Nënë Rukija kur erdhi nuse në familje
Kush ishte Dervish Hatixheja, gruaja e kohërave të kolerës
Sipas historikut të familjes, Hatixheja ishte një nuse e re tiranase me dy fëmijë dhe si shumë gra të tjera të kohës, jetonte nën prangat e një realiteti të ashpër, ku shoqëria e quante normë abuzimin e grave.
Gratë nuk kishin të drejtë, si qenie humane, të mendonin, të ndjenin, të shpreheshin apo të vepronin në drejtim të pasioneve dhe ëndrrave të tyre në jetë. Çdo zgjedhje bëhej për to nga burrat, familja, apo shoqëria që komandoheshin nga burrat. Dhe për më tepër, burrat kishin të drejtë të ishin të pasjellshëm dhe jo vlerësues ndaj grave.
Por Dervish Hatixheja do ta ndryshonte këtë shoqëri dhe mentalitet të kohës me veprën e saj humanitare ndaj njerëzimit. Fati do donte që shumë nga ata njerëz që nuk e respektonin gruan, do kishin nevojë pikërisht për ndihmën e një gruaje. Që kjo grua do ishte shpëtimtare e jetës së tyre apo do t’i qetësonte shpirtërisht gjatë vdekjes së tyre.
Hatixheja do t’i bënte njerëzit ta shihnin gruan me një sy tjetër, madje dhe ta përgëzonin për ato që ajo ishte e aftë të bënte dhe për më tej edhe ta bënin atë shenjtoren e tyre dhe të faleshin në gjunjë përpara saj.
Hatixheja jetoi gjatë viteve 1700, kur Ballkanin e pllakosi epidemia e kolerës. Njerëzit vdisnin rrugëve të pandihmuar dhe mbeteshin dhe të pavarrosur, gjë që kanoste akoma më shumë rrezik për përhapjen e sëmundjes në pjesën e shëndoshë të popullatës.
Hatixheja e humbi familjen e saj nga kolera. Por ajo diti që ta kthente këtë dhimbje në diçka pozitive. Ajo nuk u largua për t’i shpëtuar kolerës, përkundrazi, shpirti i saj e kërkonte që dhimbja e saj shpirtërore të bëhej forca për të ndihmuar të sëmurët me kolerë.
Ajo, me shumë kurajë, me gjithë rrezikun që mund të sëmurej vetë nga kolera dhe duke hedhur tej tabutë e shoqërisë, mori iniciativa dhe u vu në shërbim të njerëzve.
Ajo i ktheu pronat e saj në varrezë dhe shtëpinë e saj në spital për t’u kujdesur për të sëmurët me kolerë. Të paktën njerëzit me kolerë të kishin një vend ku të kërkonin ndihmë.
Aktiviteti humanitar i Hatixhesë u dha kurajë shumë grave të tjera, për të tejkaluar limitet e kohës dhe për t’u bashkuar me Hatixhenë për t’u shërbyer njerëzve. Ato, si Hatixheja kishin dëshirë t’u vinin në ndihmë njerëzve. Kështu, Hatixheja nuk ishte më vetëm. Ajo udhëhiqte një grup pune.
Në këtë mënyrë, përveç se u vu në shërbim të njerëzimit, në një nga kohët më të vështira, krijoi gjithashtu një lëvizje pavarësie për gratë.
Edhe më interesant është fakti që ajo vetë, edhe pse në kontakt të vazhdueshëm me të sëmurët me kolerë, nuk po prekej vetë. Pra njerëzit shikonin që një mrekulli po ndodhte me të. Hatixheja gjithashtu filloi të shëronte të sëmuret me kolerë, çka u konsiderua një mrekulli tjetër e saj. Dervish Hatixheja ishte dhe një mjeke popullore e aftë për të shëruar disa lloj sëmundjesh, sidomos të plagëve të rënda. Ajo jo vetëm përgatiste vetë ilaçe me bimë medicinale, por i ofronte ato falas.
Nga këto ngjarje, Hatixheja tashmë nuk shihej vetëm si një njeri i zakonshëm, duke u kthyer kështu në fenomen. Ajo jetoi në një realitet spiritual, për këtë arsye nuk u sëmur dhe diti ta përdorë ndërgjegjen e saj për të shëruar njerëzit.
Hatixheja fitoi titullin “Dervish” për impaktin e aktivitetit të saj humanitar në ndihmë të të sëmurëve me kolerë, për dedikimin e saj ndaj njerëzve, e për të gjitha veçoritë mbinjerëzore që e karakterizuan. Titulli “Dervish” është një titull shenjtor që u jepet shumë rrallë grave.
Nënë Lakja (Sulltana), ishte paraardhësja e nënë Rukijes. Ajo është kujdesur fshehtas për Teqenë, përpara saj.
Nënë Rukija, trashëgimtarja që luftoi për të rihapur teqenë
Dervish Hatixheja ishte nusja e shtëpisë ku është teqeja dhe tradita familjare vendosi që do të ishte gjithnjë një nuse që do të vijonte me shërbesat shpirtërore që do t’u bëheshin njerëzve në Teqen e Dervish Hatixhesë.
Nënë Rukija është njeriu që sot është përgjegjës për shërbimet shpirtërore në teqe. Ka qenë ajo që e ka rikonstruktuar këtë teqe pas viteve ’90 dhe që e ka mirëmbajtur deri në ditët e sotme.
I ka dedikuar jetën këtij misioni hyjnor. Nënë Rukija vjen nga një familje e njohur tregtarësh të Tiranës. Në moshën 20-vjeçare u martua me Abdylin, trashëgimtarin e familjes së Dervish Hatixhesë. Nënë Rukijes, që në kohët e para të martesës iu desh të përshtatej me mënyrën e jetesës së shtëpisë së Dervish Hatixhesë, çka ajo e bëri me shumë dëshirë e bujari.
Eva Peza, sipas traditës së familjes, do të ketë kujdestarinë për Teqenë, pas nënë Rukijes, si nusja e parë në radhë në familje.
“E gjithë jeta ime i është dedikuar kësaj teqeje. Sa herë është diskutuar nëpër mbledhje plenumi për prishjen e kësaj shtëpie, por besimi ynë e shpëtoi”, tregon nënë Rukija.  
Ajo e mban përherë derën hapur për të gjithë besimtarët. “Disa prej këtyre njerëzve që po shihni e që kanë ardhur të më vizitojnë në gjithë këto vite, kanë trokitur edhe dikur në mënyrë të fshehtë. Nuk i janë ndarë asnjëherë besimit, me gjithë frikërat që mund t’u shkaktonte sistemi”. Pikërisht prej sistemit, teqeja u mbyll në vitin 1969. Në atë kohë, nënë Lakja, e ëma e Abdylit, ishte personi në radhë që i shërbente teqesë. Ramë Dervishi ishte bashkëshorti i saj. Rama dhe Lakja, të kushtëzuar nga situata dhe e ardhmja e errët që parashikonin, në mënyrë që të mbronin teqenë nga prishja, vendosën që ta mbyllin vetë. Por, kuptohet, kjo ndodhi vetëm për sytë e botës. Kjo ishte arsyeja pse 5 trupat që preheshin në teqe, për të cilët ata thanë se ishin në varrezat e Shish Tufinës nuk u zhvendosën.
Pas vdekjes së Ramës, edhe djali i tij Abdyli, vdiq, duke lënë kështu pas vetes nënë Rukijen në moshën 50-vjeçare me 6 fëmijë nga mosha 13-23 vjeç, bashkë me të ëmën, nënë Laken, e cila ishte tashmë e sëmurë.
Prej kësaj kohe, e gjithë ngarkesa e shtëpisë, pesha e kujdesit e rritjes së fëmijëve, por edhe e ruajtjes së teqesë, i kaloi nënë Rukijes. Vendosmëria e saj ishte absolute; do ta vazhdonte me doemos traditën e asaj shtëpie. “Edhe pse tashmë isha fillikat e vetme dhe pa mbështetje, vazhdova t’i lejoja besimtarët të hynin në mënyrë klandestine në teqe. Shumë njerëz, sado që nuk mund të hynin brenda në teqe, kalonin aty te muri i shtëpisë dhe hidhnin nga çatia, të holla, në teqe. Çdo ritual shpirtëror e bënin sipas kodit, në heshtje të plotë”.
Në vitin 1989, si kudo në Europën Lindore, edhe në Shqipëri sistemi komunist ra. Me iniciativën e saj, nënë Rukoja rihapi zyrtarisht Teqenë e Dervish Hatixhesë. Për të gjithë besimtarët, ky ishte një lajm jashtëzakonisht i gëzueshëm, prandaj edhe pas kësaj dite, turmat e njerëzve nuk pushuan më…

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura