Nën kontratë me Teutën, Rubin Hebaj i lumtur në Durrës: Jam gati për një sezon super!

Jun 26, 2022 | 8:58
SHPËRNDAJE

Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, e mbylli kampionatin me 10 gola, në një kohë që u rikthye në Durrës në janar, duke luajtur vetëm në fazën e tretë dhe të katërt. 23- vjeçari është në kontratë me klubin dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e durrsakëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai theksoi se Teuta do të rikthehet më e fortë.

TEUTA KUKESI HEBAJ NDRECA

Rubin, mbyllët një sezon mjaft të mirë në aspektin individual, duke shënuar 10 gola, ndërsa Teuta nuk arriti asnjë nga objektivat si ekip…

Natyrisht në aspektin personal jam i lumtur, pasi shënova më shumë se çdo kampionat tjetër. Megjithatë, më vjen shumë keq që skuadra nuk arriti objektivat. E kam shumë të vështirë që ta pranoj se nuk jemi as në Europë, por ky është fakt. Jam i bindur që do të rikthehemi akoma më të fortë dhe do të jemi konkurrues në sezonin e ardhshëm.

Nga skuadra janë larguar shumë lojtarë, ndërsa ju jeni nën kontratë me klubin. Çfarë prisni nga sezoni i ri?

Të them të drejtën unë jam shumë i lumtur këtu, pasi drejtuesit e mi i kanë plotësuar të gjitha kërkesat. Teuta ia ka dalë të fitojë të gjithë trofetë në këto dy vitet e fundit. Unë i jam mirënjohës presidentit, sepse e vlerëson ata që po bëj. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Shpresoj që kampionati tjetër të na gjejë më të fortë.

Keni një synim që ia keni vënë vetes sa u përket golave në kampionatin e ardhshëm?

Objektivi im është që të ndihmoj sa më shumë ekipin me performancën time dhe të shënoj akoma më tepër gola se sezoni i fundit.

Klubi është fokusuar te të rinjtë, deri ku mund të arrini?

Normalisht që synimet e Teutës janë të larta. Për momentin unë nuk mund të them diçka, por duke ditur ambiciet e drejtuesve, natyrisht që objektivi do të jetë që të jemi sa më lart në tabelë.

Keni një mesazh për tifozët durrsakë?

Do të jap gjithmonë maksimumin në fushë dhe shpresojmë që t’i bëjmë të lumtur pas çdo fitoreje që do të arrijmë. Gjithashtu, mezi po presim që t’i kemi afër në stadium.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura