Në testim 80 për qind e infermierëve, mundësi e dytë për 300 që nuk morën pjesë në provim

Jul 28, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

Rreth 80% e infermierëve të spitaleve universitare iu përgjigjën urdhrit të ministrit Beqaj për testimin e zhvilluar këtë fundjavë. Zv.ministrja e Shëndetë- sisë, Milva Ekonomi, bën me dije se rezultatet e testit do të shpallen brenda kësaj jave. Ekonomi sqaron po ashtu se ata infermierë të cilët nuk morën pjesë në këtë fazë, do të kenë një mundësi të dytë për t’u testuar.

largea_milva1434194072

PROVIMI

Të parët që u testuan, në datën 24 korrik, ishin infermierët e Spitalit të Traumës, Senatoriumit, Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koço Gliozheni”. Ndërsa një ditë më vonë, provimit iu nënshtruan edhe infermierët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në total bëhej fjalë për 1450 infermierë, nga të cilët 1150 iu përgjigjën urdhrit për testim. Pjesa tjetër nuk mori pjesë. Mungesa e tyre mund të lidhet sa prej sezonit të pushimeve, aq edhe prej refuzimit që i është bërë hapur këtij testimi nga bluzat e bardha. Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur të mos penalizojë askënd, duke u dhënë në këtë mënyrë një shans të dytë atyre që nuk morën pjesë në provim. Publikimi i datave pritet të bëhet në ditët në vijim.

REZULTATET

Korrigjimi i tezave duket se nuk do të marrë shumë kohë. Zv.ministrja e Shëndetësisë bën me dije se brenda kësaj jave infermierët do të kenë mundësi të njihen me rezultatet. Ekonomi thekson edhe një herë se nuk do të penalizohet asnjë infermier, as ata të cilët nuk do të mund të kapërcejnë pragun e kalueshmërisë. Qëllimi i këtij testimi është për të parë se në cilin nivel janë infermierët sot dhe mbi të gjitha, me çfarë kushtesh dhe kriteresh do të bëhet integrimi i tyre në ciklin e dytë të programit për edukimin në vazhdim. Sipas saj, rezultatet e dala nga ky provim do të shërbejnë për të qartësuar se çfarë do të kërkohet nga infermierët në përfundim të programit 5-vjeçar për edukimin në vijimësi.

INFERMIERËT NË RRETHE

Pas testimit të infermierëve të spitaleve universitare në kryeqytet, do të vijohet me ata që punojnë në spitalet rajonale dhe ato bashkiake. “Për infermierët e spitaleve rajonale dhe bashkiake ende nuk është hartuar kalendari i datave për kryerjen e provimit. Por, me shumë mundësi, pritet që ky testim për ta të zhvillohet në fund të muajit gusht”, bën me dije Ekonomi. Ndërkohë, edhe më e largët duket dita për testimin e mjekëve. Për këta të fundit, ndonëse u tha paraprakisht që datat do të ishin në shtator, ende nuk ka asnjë sinjal.

NGA ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura