Në Teatër…

Aug 9, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

N’kryeqytet tonë asht nji qendër historike. Bri saj asht nji zon’ e mbrojtun. E n’at zonë asht nji Teatër. Brenda në Teatër asht fut nji K/M, të cilit i buron nji dëshirë: me fitue do miliona euro. “Ejani këtu e rrëmbeni ju të paftyrt e maskarenjt e ktij vendi, – ka than dikur nji personazh i ktij Teatri – se ktu do ngopni ujen e pashueme për pasuni…” K/M ka ardh. Dhe me të vërtetë ka gjet prehje. Hapsina për ndërtim e ca kullave prralluere ngjit me Teatrin, e fashiti të nxehtin e nervozizmin e mendjes së tij, qi gati e përvëloi.

Jashtë asht zheg. Dielli asht marrisht i nxehtë dhe aq egër t’lëmon, saqë të rrahin tamthat, si të rrahunat e farktarit mbi hekurin e kuqun. Sa mund hoqi K/M derisa mbrrijti n’Teatër? Si për sherr opozita, por dhe të vetët s’e lanë të ecte ma shpejt se 20 vite. Kollaj mujshin dhe me xane, po tani kishte dhe gurin dhe arrën, por njikohsisht edhe ligjin.

Por dhe vapa e sosja e durimit e shpëtoi. Se artistët që e përndiqnin ishin aq shumë, sa rrezikonin me ia shkri andrrën e tij si dhjami në fultere, po qe se do vazhdonin përndjekjen e tij bashkë, por u përçanë.

“T’i hajë dreqi ato qindra miliona euro dhe ato kulla, ne duam Teatër të ri!, – mendonte nji pjesë e artistëve. T’i hajë dreqi. Ndoshta na del ma mirë kështu e K/M nuk i merr të gjitha milionat për vete”.

Po K/M nuk donte ta përgënjeshtrojë at dyshim. Jo për gja tjetër, por pse si njeri i çndershëm , nuk ka qejf të dali para gjyqit. A nuk bajn njashtu dhe tregtart, miqt e K/M, qi u turrën të parët me e marrë tokën e Teatrit të kryeqytetit tonë për kulla? – E kush mund të dyshojë në nderen e tyne? Me dalë para gjyqit edhe si i pafajshëm – asht turp në sy të popullit tonë.

E K/M në Teatër…rrin në bankë dhe kënaqet në freski. Oh sa mirë asht me e shembë, pastaj me ba kullat dhe atë Teatrin e ri e të rrejshëm, pastaj me u shplodhë e me kenë i siguruem shtatë breznish..

205 milionë euro! Edhe tre vite nuk të dalin me i numërue nji për nji. Nji milion, dy , tri, njëqind, dyqind, dyqind e pesë. Tik-tiktik-tik!

Nji artist drejtor, në thellësi të shenjt mbas skene, trazohet me kët vetfolje shifrash marramendëse. E qet kryet mbrapa perdes. Por asgja. Shef vetëm nji K/M, i cili me shuplaka të hapuna e syt drejtue kah qielli ban sikur të ishte vetë Zoti. Dhe K/M, i hutuem shikon mjekrën e drejtorit. Trimnohet. Gadi asht të besojë se po ngjet nji mrekulli. Por jo. Ishte mjekra e drejtorit. U diktue, por nuk e trazue, sepse kët drejtor e kish van me dorën e vet. Kur u zhduk mjekra, K/M vazhdoi të ledhatojë eurot dhe t’andarrojë ma tepër dhe t’knaqet ma tepër se Neroni, që dogji Romën, pa marrë asnji lek.

Dalngadalë, n’andrrim e sipërm, K/M e zuni gjumi në bankën e mbrapme të Teatrit, – gjumi i tij ishte i qetë, si gjumi i njerzve pa kujdes jete.

Qetësia e Teatrit filloi të trazohet… kapele të kuqe e të zeza, petka të bardha e bojëqielli , çarapë të mëndafshtë e pambuku, ftyra me mustakë dhe pa mustakë, të qeshuna e të ngërdheshuna – besnikët e shfaqjeve protestuese vijnë të ndëgjojnë oratorin e mbasdrekes. Bankat janë mbushë. Dhe në bankën e mbrame asht çuditshëm dhe K/M.

“Vërtet, me të vërtetë po ju tham, – bumbullon aktori prej së nalti dhe shi e breshën lshon mbi përkrahësit e shembjes së Teatrit”. Të gjithë të pranishmit i kanë la dhe dlirë veshët e ndigjojnë fare mirë. Ma t‘vjetrit habiten se si mundet me u shemb ky Teatër historik. Nji i ri nënqeshet simbolikisht me dëshirën e marre të K/M. Dy të reja, nga mesi i sallës, grinden me shejat e duerve: “A asht rrue K/M sot, a dje?” Një vajzë knaqet me drita t’ylberta, qi kanë ra n’ zhgun të aktorit tue përshkue nëpër gjatsinë e sallës… Dhe oratoria shkon krejt mirë.

Por kur aktori filloi t’u kërcnohej atyne qi vjedhin e grabisin, dhe n’atë mënyrë e preku n’intimitet K/M-in , ky u çue, duel jashtë, e te dera, mbasi plot mni e nderoi Aktorin, me nji të shame, duke pëshpërit : “Po si do t’fitoj unë?… Këtë kurr s’ma the. E pra, unë du me fitue sa ma shumë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura