Në Kukel, mbrëmë u dha koncert me piano

Aug 18, 2021 | 9:06
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli

FRANO KULLI

Robert Bisha dha koncert me piano mbrëmë, në patalogun përpara qelës e Kishës së Kuklit. Bukur sa s’ka. Roberti, i shkolluar mirë në Itali, po edhe me karrierë të lavdërueshme e të shënuar artistike atje, vinte për koncert me piano këtu, në vijim të një turneu që sa e kish mbyllur në Italinë e Jugut.

Parmbrëmë, në oborrin e Katedrales së Rrëshenit, pastaj këtu… E të fundit pasnesër në Shirokën piktoreske. Me një repertor krejt të zgjedhur, me pjesë simfonike klasike po dhe me krijime të vetat muzikore, të improvizuara; një ngjizje e bukur e folkut të veriut kryesisht, me muzikën klasike.

Një teknikë krijuese artistike, të cilën tashmë e ai ka konsoliduar dhe jo pa sukses. Pjesë të luajtura më parë edhe në të tjera koncerte në Itali e gjetkë. Pianist, por edhe mjeshtër interpret në shumë instrumente të tjerë, Roberti, përpos se tashma është i njohur në mjaft qytete të Europës, sidomos të Italisë, ka shënuar koncerte tepër të mirëpritura edhe në Shqipërinë e tij.

Një vit më parë, në këtë situatë të pazakontë që ka imponuar epidemia e përbotshme e Covid19, qe rikthyer në Shkodër në një koncert të veçantë. Në përshtatje me të, jashtë sallave të mbyllura.

Në “Piacen” e famshme, në pedonale, pati sjellë “home neverland” po edhe këngë të vjetra të oborreve shkodrane. Rikthimi në rrugicat tradicionale të Shkodrës dhe performimi përpara artdashësve të këtij qyteti pati qenë për të i një emocion veçantë, siç shprehej ai.

Atëherë, koncerti pati ardh nga qendra rinore Arka në kuadër të projektit “Arti bashkëkohor për modelimin e periferive në qytete të jetueshme” që shtrihej ne Shqipëri, Itali dhe Mal të Zi”. Edhe koncerti i kësaj mbrëmje ka për organizatorë të njëjtët protagonistë…

Nën zë, si mos me dashtë me zhurmue sado lehtë tingujt e pjesëve simfonike, njeri prej organizatorëve të koncertit, Marjani, megjithatë nuk e la pa e përcjellë te shikuesit e vëmendshëm e seriozë të koncertit se, kur kishin shkuar të kërkonin pianon në Shkodër për koncertin, dikush nga zyrat përgjegjëse atje u kishte thanë se pianoja nuk mund të nxirrej prej institucionit… Në Shkodër sot kështu…

Në Shkodër, në vitin 1835, kemi dokumente që provojnë blerjen e 28 pianove, ashtu siç kemi informacion se në fshatin Bërdicë [5-6 km nga Shkodra] në vitin 1842 kishte rreth 30 violina që përdoreshin në muzikën popullore- kumton akademik Vaso Tole.(https:// ëëëkultplus.com/trashegimia/ishte-viti-1845- kur-shkodra-blinte-28-piano-e-30-violina 14 dhjetor, 2017) Duke dëgjuar kumtin e pakëndëshëm, sesi m’u përzie ajo shija e athtë që vjen nga vitet tridhjetë prej koncertit asokohe të dy zonjushave artiste; Tefta Tashko Koço e Lola Gjoka, përmes filmit “Koncert në vitin 1936”.

Edhe atëherë, atje, në njërën prej qyteteve baltovike të Myzeqesë, ku artistet e kultivuara, kthyer nga Parisi, kishin shkuar për të dhënë koncert, njeriu i zyrës, komik po i dëmshëm sa s’ka, u fut “stërkëmbësha”, duke zhurmuar me ca çengie të porositura tingujt e meloditë oksidentale të artisteve idealiste.

Ngjashëm shumë me atmosferën konsumiste muzikore sot, ku “tallavaja” çan turrin. Në dasma e në zijafete, në rrugë në plazhe e nëpër hotele, në pritje e në synetllëqe…dhe një pakicë e njerëzve detyrohen ose të ndryhen në shtëpi, ose të vënë pambuk në veshë, kur “per forza” ndodhen aty pranë.

Nejse… Kukli, një fshat mbështetur në faqen lindore të Malit të ultë të Kakarriqit, ndërmjet Shkodrës e Lezhës, prej ku kundrohet si prej një ballkoni të gjatë natyror krejt fusha e Zadrimës deri në Kallmet, me kund njëqind shtëpi, po a jo, zor se do të njihej më përtej kufirit sa të kap rrethi i syrit, sikur aty të mos kishte jetuar gati gjysmën e jetës së vet, kund nja tridhjetë vjet, Ndre Mjeda.

Prift famullitar aty, poeti i “Juveniljes”, gjuhëtari, atdhetari, politologu, veprimtari i iluminuar i prosperitetit tonë kombëtar. Me një formim të thelluar e të shumanshëm të marrë përreth 16 viteve (nga viti 1979-1895) të pandërprerë në auditorët universitarë prestigjiozë të Europës, në Valencia-Spanjë, Kraljevica-Kroaci, Universiteti Gregorian në Romë, në Kremona-Itali e KrakovasPoloni. Me një talent krijues aq shumë të spikatur…

Por edhe me dhunti e kualifikim të lavdërueshëm muzikor… E duhet kujtuar, se përmendet pak e ka kaluar thuajse në heshtje fakti se: nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha mësime muzike në kolegjin “Marco Girolamo Vida” në Kremona. Mësime pianoje…

Nderim e respekt për Mjedën e madh. Edhe një motiv e thirrje më shumë për t’u larguar nga rrëmuja e rrëmeti i qyteteve këto ditë vere me të nxehtë të pazakontë.

E me zatetë këtu në oborrin e qelës së Mjedës së ëmbël, ndërtuar me aq shije e sharm plot 115 vjet më parë. Faleminderit mjeshtër Roberti për zgjedhjen e fisme!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura