Në kërkim të një armiku!

May 3, 2015 | 16:06
SHPËRNDAJE

BISLIM AHMETAJ

                      Ikja nga Shqipëria ka mar rë përmasat e viteve ’90 – ‘91. Në dhjetë të pyetur, të paktën shtatë prej tyre e shohin të ardhmen jashtë Shqipërisë. Ndër ata tre që janë kundër, njëri mund të jetë… funksionarë i lartë i koalicionit PS-LSI, dy të tjerët të pamundshëm ose nga mosha, ose nga paaftësia e tyre për t’u përshtatur me realitete të reja në jetën që do t’i priste në vendet perëndimore.

Të gjithë politikanët vendës dhe të huaj, media vendore dhe ndërkombëtare flasin e bërtasin për fenomenin e shpopullimit dramatik që po i ndodh Shqipërisë në këtë fillim mijëvjeçari. Në këtë “arratisje” masive, vetëm për një gjë pothuajse të gjithë janë të një mendjeje:”të arratisurit” nuk po diskriminohen në thelb për shkak të bindjeve politike, gjeografike apo fetare! Ata rezultojnë të jenë demokratë, socialistë, çamë, lesekejca e të paparti.

Nga pikëpamja fetare janë myslimanë, katolikë, ortodoksë e të pafe. Janë nga Kukësi i Flamurit, nga Tepelena e Saimirit, nga Mallakastra e Klosit, nga Poliçani i Ilirit, nga Vlora e Edit, nga Korça e Ridvanit, nga Shkodra e Tomës, nga Elbasani i Blushit e nga Tropoja e Saliut. Njerëzit që i largohen vendit janë të dëshpëruar, të zhgënjyer, të mashtruar, të pashpresë, të ngujuar në spiralen e tmerrit që pjell varfëria, kjo gjamë që po shndërrohet në refren për shumicën e familjeve shqiptare.

Kur fenomeni u vitalizua rrufeshëm, më bëri përshtypje një fjali e ngujuar në gojën e pothuaj të gjithë politikëbërësve të vendit që nga ministri i Brendshëm e deri te Presidenti i Republikës: “Përfitues të këtij fenomeni janë organizatat kriminale”. Edhe pse e kanë artikuluar në mënyra të ndryshme, sipas bindjeve politike dhe përgjegjësive që bart në qeverisje apo jashtë saj, askush nuk e ka shmangur këtë fjali.

Duke e këqyrur mirë këtë punë, vura re se qe e vërtetë. Madje, zbulova për habinë time, se njëri prej anëtarëve të organizatave kriminale, që sipas politikanëve të Shqipërisë nxitin ikjen e shqiptarëve prej vendit të tyre dhe behën përfitues të kësaj ikje isha edhe unë, dora vet. Duke qenë i njohur si njeri që nuk fsheh asgjë, po ua tregoj publikisht veprimtarinë time “kriminale”. Meqenëse nuk e bëj dot këtë gjë para prokurorëve, që janë shumë të zënë me hetimin e viktimave debitorë të energjisë, po e bëj publikisht në faqet e shtypit dhe po pres nga lexuesit e paanshëm të gjykojnë se ku është krimi im, dhe ku organizata ime kriminale.

“Një i njohuri im, prind me dy fëmijë 12 dhe 4 vjeç, vetëm dy muaj pas ardhjes në pushtet të “rilindasve” e gjeti veten në rrugë të madhe bashkë me bashkëshorten e tij, pa asnjë shkak apo arsye ligjore, morale apo etike. Që të dy të edukuar shëndetshëm, me përvojë deri në ekspertizë, të dy ishin në pozicione specialistësh në dy institucione shtetërore krejtësisht të parëndësishme. U larguan nga puna për t’u zëvendësuar nga dy militantë partie të LSI-së dhe PS-së, me edukim të gjymtuar, mbaruar në universitetet tashmë të shuara nga lista e institucioneve të arsimit të lartë.

Pasi dolën të papunë, iu drejtuan Gjykatës Administrative. Ndërkohë që ju po lexoni këtë shkrim, bashkëshortja e të njohurit tim, ka një vendim gjykate të formës së prerë për t‘u kthyer në vendin e punës që kishte deri në nëntor të 2013-s. I shoqi vazhdon të presë vendimin e Gjykatës së Apelit pasi “vendimin” e Shkallës së Parë e ka edhe ai pozitiv. Në të njëjtën kohë, duke qenë të përgjegjshëm për detyrimet ndaj fëmijëve, familjes dhe një detyrimi bankar që kanë nga një kredi e marrë për apartamentin ku jetojnë, iu drejtuan tregut privat të punës. E shoqja filloi punë në një kompani të huaj private si specialiste finance, i shoqi mori me qira një biznes të vogël “bar-kafe”.

Pas 8 muajsh biznesi i huaj ku u punësua e shoqja shpalli falimentimin, fat të ngjashëm pati edhe biznesi që mori me qira miku im. Gjendja psikologjike e këtij çifti është depresive. I takoj shpesh dhe më vret fati i tyre, më dhemb gjendja mjerane dhe e pashpresë ku gjenden. Më kanë kërkuar shpesh këshilla dhe “mendje” për ndonjë zgjidhje. I kam rrudhur krahët pa përgjigje. I vetmi shteg, e vetmja zgjidhje, e vetmja shpresë: Ikja nga Shqipëria. “Ikni – u kam thënë, – ikni, kushedi mund t’ia dilni. Ju jeni njerëz që s’i përtoni punës, njerëz të ndershëm, njerëz që mund t’ia dilni kudo, edhe pse tashmë në një moshë jo fort oportune për tregun perëndimor të punës”.

Kjo është një histori krejtësisht e vërtetë, aspak e zbukuruar. Ky është edhe “implikimi im kriminal”! Histori të ngjashme, apo edhe më tronditëse, jam i sigurt që ka me qindra në të katër anët e Shqipërisë. Pra unë qenkam njëri prej atyre që nxis ikjen e shqiptarëve nga vendi! Unë jam njëri prej atyre anëtarëve të organizatave kriminale që “përfitojnë” nga ikja e detyruar e shqiptarëve prej skamjes, prej mjerimit, prej dëshpërimit, prej bjerrjes së shpresës dhe besimit që në vendin e vet mund t’ia dalin të mbijetojnë! Unë jam armiku i brendshëm?!

A e kanë vënë ndonjëherë veten në pozitën e kryefamiljarit që përmenda ministri i Brendshëm, ministri i Mirëqenies Sociale, Kryeministri, kryetari i Parlamentit dhe udhëheqës të tjerë të rëndësishëm, kur drejtojnë gishtin te përfitimet e organizatave kriminale? Kë kanë parasysh këta zotërinj me anëtarë të organizatave kriminale? Punonjësit e Policisë së Shtetit që kryejnë detyrën duke pajisur shtetasit shqiptarë me pasaporta për jashtë vendit konform rregullave dhe procedurave ligjore? Shoferët e autobusëve, furgonëve, taksive, linjat e ajrore dhe trageteve që paguajnë taksa më shumë se kushdo tjetër në Europë e të cilët ushtrojnë aktivitet të ligjshëm dhe kanë për mision, qëllim dhe objekt të punës së tyre transportin e njerëzve nga fshatrat apo qytetet e tyre drejt destinacioneve për të cilat paguajnë?

Agjencitë turistike që kryejnë veprimtarinë e tyre duke respektuar ligjet dhe statuset e tyre të regjistrimit, apo mos ndoshta e kanë me oficerët e emigracionit të vendeve pritëse ku shtetasit shqiptarë paraqiten si azilkërkues herë politikë, herë humanitarë e herë ekonomikë?! Ikja, arratisja, apo braktisja e vendit nga qytetarët, o politiqarë të parespektuar të vendit tim, nuk ndalet duke gjetur armiq as të brendshëm, as të jashtëm.

Nëse ndalet zhbërja e atdheut nga gjetja dhe dënimi i një armiku, ja ku më keni! Mos dalsha kurrë nga burgu! Ikja ndalet duke hequr dorë nga arroganca, ikja ndalet kur t’i shihni qytetarët si të barabartë dhe t’u afroni atyre shanse dhe mundësi të barabarta jetese, ikja ndalet duke liberalizuar tregun dhe ekonominë, ikja ndalet duke hequr taksat mbi bujqësinë dhe turizmin, ikja ndalet kur të keni respekt për njerëzit e thjeshtë.

Ikja ndalet kur t’i konsideroni votat e qytetarëve detyrime dhe angazhime të përditshme dhe jo karrige e para për kontot private. Po kujt t’ia thuash? Juve? S’ka shurdh më të madh sesa ai që nuk do të dëgjojë! 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura