Në dy muaj, dhjetë mësues të vdekur e qindra në karantinë/ Pandemia vë në vështirësi shkollat, nisin kërkesat për…

Nov 20, 2020 | 10:32
SHPËRNDAJE

Ashtu si në çdo institucion tjetër, pandemia është ulur këmbëkryq edhe në shkolla, duke infektuar jo pak arsimtarë. Janë nxënësit të parët që e ndiejnë boshllëkun, me ndërrimin e shpeshtë të mësuesve, por edhe drejtoritë arsimore që iu duhet të bëjnë zëvendësime herë pas here në një vit të pazakontë si asnjëherë tjetër.

mesues pandemi

Në dy muajt e parë situata rezulton të ketë qenë nën kontroll, por tani duket se menaxhimi po del jashtë parashikimit, duke arritur deri aty sa të kërkojnë mësues edhe jashtë portalit të punësimit.

Zyra Vendore Arsimore e Elbasanit është e para që ka shpallur vende të lira pune, pasi ka ezauruar “Mësues për Shqipërinë”, prej vitesh shina e vetme që punëson mësuesit. Pak ditë më parë, Zyra Vendore e Arsimit në Elbasan ka shpallur thirrjen për tri vende pune të përkohshme, për të cilat nuk është gjetur asnjë mësues, pas ezaurimit të të gjithë mundësive që parashikon udhëzimi Nr.13. Konkurrimi do të bëhet me dosje dhe në rastin konkret, nuk ka rëndësi nëse kandidatët kanë kaluar filtrat e testimeve për punësim.

Burime zyrtare pranë ministrisë e arsyetojnë këtë kërkesë me zhdërvjelltësinë që duhet krijuar për të mundësuar mësimin normal, duke pohuar nga ana tjetër edhe se ka zona ku portali nuk ka rendiment. E, në fakt, një gjë e tillë parashikohet edhe në udhëzim duke i konsideruar këto rekrutime si raste të veçanta.

“Në rast se në përfundim të të gjitha procedurave të konkurrimit rezulton përsëri vend pune i lirë, ZVAP do të zhvillojë procedurat e konkurrimit me kandidatët e tjerë të interesuar, duke i renditur me pikë sipas nivelit të arsimimit dhe profilit të përafërt me kërkesat e vendit të punës”.

Panorama” mëson se zyra në fjalë ka ndjekur të gjithë hapat duke pritur kandidatë sipas pikës së sipërcituar dhe pasi pa mësuar se ka aplikantë që për arsye të tyret nuk janë bërë pjesë e portalit, ka vendosur të hapë garën me dosje. Qeveria ka ndarë veç fondin e pagesës së një mijë mësuesve për t’i përdorur gjatë pandemisë, por, për disa zona, veçanërisht rurale, vazhdimisht ka pasur mangësi, pasi nuk preferohen. Për dhjetë mësues, Covid-19 ka rezultuar fatal, disa po marrin ende mjekim në një nga spitalet Covid, ndërsa rreth 600 janë në karantinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura