Ndryshimet e ligjit të Policisë së Shtetit, afër praktikave të Sigurimit

Feb 23, 2020 | 12:13
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Dihet tashmë që përgjimet telefonike apo edhe ambientale në procesin e luftës kundër krimit janë fenomeni më i debatuar nga të gjithë aktorët socialë të çdo shoqërie. Interpretimet e gjykatave më të specializuara në të gjitha vendet demokratike në linja të përgjithshme kanë arritur të ndërtojnë kushtet, në të cilat duhen kryer përgjimet me qëllim ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet lirive të njeriut dhe sigurisë publike apo kombëtare.

Ky është momenti më i rëndësishëm i ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe po ashtu, kufiri ndarës ndërmjet tij dhe shtetit karikaturë. Aty fillon të ndërtohet drejtësia si peshore ndërmjet individit autor i çdo lloji vepre penale dhe të drejtës së tij universale për të pasur një jetë private. Ekzaktësisht e kundërta e asaj që po instalohet në vendin tonë nëpërmjet projektligjit “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar…

Në tërësinë e tij, projektligji i mësipërm tregon gropën e madhe që prej dekadash mungon në jurisprudencën shqiptare, lidhur ndër të tjera me interpretimin ligjor nëse është normale që veprime policore në luftën kundër krimit të shkruhen në ligjin organik-administrativ të organizimit të Policisë së Shtetit dhe jo si koncepte të Kodit të Procedurës Penale. Ndryshimi i propozuar, neni 131, si teknikalitet duhej futur në Kodin e Procedurës Penale, ku koncepti “gjurmim” nuk ka vend sepse është thjesht një mbetje e ishSigurimit, kurse koncepti “procedim policor” dublon pa asnjë kuptim konceptin e procedurës penale të “hetimit me iniciativë të Policisë Gjyqësore”. Bibla e vetme e Policisë për të luftuar krimin është pa asnjë dyshim Kodi i Procedurës Penale.

Teknika e ndryshimit të propozuar është minimalisht e çuditshme dhe të kujton lirshmërinë që gëzonte Sigurimi i Shtetit në teknikat e tij të përgjimit ambiental. Projekti i kaluar është njëlloj sikur në aktin ligjor, i cili parashikon organizimin e organit të Prokurorisë të vendosen edhe disa nene me detyrat e saj gjatë procesit hetimor. Teknikisht, propozimi ka anomali.

Në mungesë të jurisprudencës në vendin tonë, ajo perëndimore gjithë aktet e kryera nga Policia para referimit te prokurori i quan “hetim konsensual”. Sepse, me përjashtim të flagrancës, çdo hetim tjetër i kryer me iniciativë nga Policia (Gjyqësore) nuk i jep asaj asnjë fuqi shtrënguese dhe po ashtu, asnjë të drejtë për të ndërhyrë në privatësinë e individit në momentin para se të fillojë procedimi penal. Nuk mund të ketë përgjime, qoftë dhe parandaluese, para procedimit penal. Këto janë koncepte e doktrina ligjore, mbi të cilat ngrihet procedura penale e si të tilla janë të vlefshme edhe për kushtet e vendit tonë.

Sepse janë parime universale të shtetit të së drejtës. Me fjalë të tjera, gjithë veprimtaria e Policisë gjatë “hetimit me iniciativë” fillon me marrjen e informacionit, që pasurohet me verifikime, për të mbërritur në “referimin” te prokurori. I gjithë ky segment në ligjin e propozuar quhet “gjurmim apo procedim policor”, ndërkohë që Kodi i Procedurës Penale e njeh si “hetim”.

Pra, dokumenti i hartuar paraqet anomali. Teknika tjetër tërësisht e gabuar në hartimin e ligjit konsiston në faktin se renditja e teknologjisë në të gjitha pikat e nenit 131 nuk merr parasysh faktin se: “Jurisprudenca është duke u matur me nevojën e një disipline juridike në përputhje me zhvillimin teknologjik njëlloj si me dinamikën e lidhjeve të përgjithshme me fenomene kriminale”. Me fjalë të tjera, jurisprudenca e huaj parashikon që në momentin kur Policia kryen hetime me iniciativë, jashtë kushteve të flagrancës, ajo nuk mund të përdorë asnjë mjet teknologjik që “ndihmon duke rritur kapacitetin e syrit apo të veshit të saj” drejt zbardhjes së të vërtetës. Kjo do të thotë që ajo mund të përdorë syrin dhe veshin e agjentëve të saj, si dhe aparatin fotografik të zakonshëm. Pra, vijon nga faqja 1 përsëri shkelje.

Në projekt, përveç anomalive të lidhura me teknikalitetin e ligjit të propozuar, edhe në përmbajtje konstatohen disa kompetenca që i jepen Policisë dhe që janë totalisht në kundërshtim me parimet e së drejtës dhe Kushtetutën e vendit. Kompetenca këto, që e afrojnë atë tej mase me Sigurimin. Pra, në vende publike, Policia e Shtetit me miratim të titullarit ka të drejtë të kryejë përgjime ambientale, në mjete të transportit publik dhe po ashtu, ka të drejtë përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes. Shkelje e hapur e përzier me mosdije dhe keqdashje provokative.

Përsëri në mungesë të jurisprudencës shqiptare, ajo e huaj thekson se “përgjimet ambientale kanë fuqi depërtuese mjaft më të fuqishme se përgjimet telefonike. Sepse ky lloj përgjimi mund ta zërë në befasi subjektin, edhe në një ambient ku ai ndihet mjaft i sigurt. Ndaj dhe në përgjithësi kërkohet që në raste të tilla, autorizimi të jepet duke marrë në konsideratë indicie më të rënda të kryerjes së një krimi sesa në rastet e përgjimeve telefonike”. Madje, në raste të veçanta, gjykatësi vendos edhe për vendin se ku do të vendosen pajisjet. Jo vetëm kaq.

Por jurisprudenca nuk e ndan përgjimin ambiental në hapësira publike dhe private, pasi biseda ndërmjet dy apo më shumë individëve, edhe kur zhvillohet në ambiente publike ka privatësinë e saj. Ja përkufizimi: “Përgjimi ambiental i referohet një aktiviteti të ndërtuar për të kapur dialogë, që duke u zhvilluar ndërmjet personave njëkohësisht të pranishëm në të njëjtin ambient, nuk kërkojnë ndihmën e një mjeti teknik për të transmetuar fjalët”. Pra, nuk ka ndarje as publike e as private, për arsyet që përmendëm më lart.

Pra, një atribut i tillë i Policisë pa autorizimin e një institucioni të pavarur, siç është gjykatësi që ndjek hetimin, shkel rëndë privatësinë. Është antiligjor. Në rast se si dikur Sigurimi këto përgjime do të kryheshin edhe në banesë, pra në ambient privat, shkeljet do të ishin dy: privatësia e banesës dhe e bisedës. Duket qartë që përgjimet ambientale janë objekt i garancisë dhe i një kontrolli të fortë ligjor, pikërisht për faktin se aty privatësia është më e thellë se askund tjetër. Po të shohim ligjin e propozuar kemi të bëjmë tashmë me Sigurimin e Shtetit, që hyn në çdo qelizë të jetës së individit.

Para disa viteve, vendi i cili ka autorizuar më pak përgjime është Britania e Madhe, me 3,372 përgjime. Në të njëjtin vit, në Gjermani janë kryer 23.678 përgjime, në Francë 41.145 dhe kryeson dukshëm Italia me 124 173 përgjime. Me 2146 përgjime të realizuara gjatë vitit 2018 në vendin tonë duket se për frymë përgjimet e organeve tona të drejtësisë janë në numër të lartë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura