Ndryshime në rregullore/ Mangësi në profesion, si do të riaftësohen magjistratët

Oct 14, 2019 | 15:26
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Shkolla e Magjistraturës miratoi disa shtesa në rregulloren e brendshme për mënyrën e vlerësimit të magjistratëve, që do të kthehen nga vetingu për të bërë 1 vit shkollë, me qëllim aftësimin profesional.

veting

Në ligjin për rivlerësimin kalimtar parashikohet se në rastet kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nga hetimi vlerëson që një prokuror apo gjyqtar ka mangësi të dukshme në aftësitë profesionale, ta dërgojë një vit në Shkollën e Magjistraturës me qëllim marrjen e njohurive.

Në zbatim të kësaj pike, por edhe në kushtet kur tashmë KPK-ja ka dërguar në shkollë një prokuror, pasi u konstatua me probleme në aftësitë profesionale, Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka bërë disa shtesa për mënyrën se si do të bëhet vlerësimi i tyre.

“Të shtohet neni 45/1 me përmbajtjen si më poshtë: Vlerësimi për magjistratët, të cilët do të ndjekin për një vit Programin e Formimit Fillestar, bazuar në vendimin e institucioneve të rivlerësimit. Në kuptim të nenit 60, të ligjit ‘Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, subjektet e rivlerësimit, të cilët janë pezulluar nga detyra dhe kanë detyrimin të ndjekin programin njëvjeçar të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës, në përfundim të vitit të parë akademik vlerësohen nga rezultatet e provimit përfundimtar”, shkruhet në vendimin e Këshillit Drejtues.

TESTIMET

Në vendim, më tej parashikohet edhe mënyra se si do të bëhet vlerësimi i prokurorit ose gjyqtarit, që do të jetë vendimtar për fatin e subjektit. Magjistrati do të kryejë një test të përgjithshëm dhe vetëm pasi të kalojë të paktën “mjaftueshëm” këtë test, do të kryejë një provim me raste praktike, që do të jenë të fokusuara në mangësitë e konstatuara në vendimin e KPK-së.

“Provimi përfundimtar do të përfshijë rezultatin e vlerësimeve në lëndët, të cilat do të zhvillohen gjatë vitit të parë teorik (60% të vlerësimit të përgjithshëm) dhe një provimi me raste praktike (40% të vlerësimit të përgjithshëm), të cilat do të jenë në funksion të drejtimit të tij dhe mangësive të shprehura me vendim nga institucionet e rivlerësimit. Subjekti i rivlerësimit do të zhvillojë provimin me rastet praktike vetëm në rast se arrin të marrë një vlerësim të paktën ‘mjaftueshëm’ në provimin e secilës lëndë”, sqarohet në vendim.

Prokurori i Shkodrës, i pari i pezulluar për profesionalizmin

Drejtuesi i Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj, është subjekti i parë i pezulluar dhe dërguar në Shkollën e Magjistraturës për t’iu nënshtruar trajnimit profesional për një vit. Gjatë seancës dëgjimore rezultoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte konstatuar probleme në disa prej dosjeve të prokurorit Elvin Gokaj, të cilat u bënë objekt rivlerësimi. Sipas relatores së çështjes, në 3 raste “duket se subjekti nuk ka analizuar si duhet masën e dënimit; në dy raste nuk ka analizë të veprës penale; në 1 rast, në cilësinë e drejtuesit s’ka dhënë argumentim për zëvendësimin e prokurorit të një çështjeje dhe në një rast duket se ka shkelur të drejtat e të pandehurit, duke zëvendësuar avokatin e zgjedhur prej tij me një avokat kryesisht”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura