Muzikologia Mikaela Minga: Si u ruajtën serenatat korçare

Jun 23, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

“O moj korçare e bukur si pupe*/ me ato naze porsi nuse re/ dhe kur më shkonje ti në bulevard/ zemrat tona digjen flakë e zjarr…” Sot, të gjithë ata që shijojnë ende këngët korçare, e marrin të mirëqenë atmosferën e bulevardit apo ballkoneve të Korçës.

Këngëtarja dhe aktorja Spanja Pipa, duke kënduar këngë korçare
Këngëtarja dhe aktorja Spanja Pipa, duke kënduar këngë korçare

Ata që nuk e kanë njohur o jetuar, kanë krijuar imazhe pikërisht prej vargjeve të këngëve, pa menduar se, në fakt, gjatë gjithë viteve të gjata të komunizmit, djem me kitarë që këndonin poshtë ballkoneve këngë dashurie, siç quhen serenata, pothuajse nuk kishte. Edhe ata pak që guxonin, në të shumtën e rasteve përfundonin në polici. Mirëpo, dashuria përmes këngës nuk ishte njësoj e ndaluar përpara viteve ’65.

Edhe pse me kitara të vjetruara e me tela përgjysmë, djemtë e Korçës e vazhdonin traditën peshqesh, edhe fshehurazi. Serenatat korçare janë nga të paktat zhanre muzikore (artistike) që e përcjellin atmosferën njësoj siç ka qenë; ti futesh në gjendje edhe pa qenë kurrë aty. Për këtë, meritë kanë pa dyshim autorët e këngëve, por edhe këngëtarët. Një nga zërat më përfaqësues të këngëve korçare ka qenë ai i aktores e këngëtares Spanja Pipa.

Muzikologia Mikaela Minga, së pari e ndikuar profesionalisht e më pas për të shkuar te gjurmët e një prej elementëve identifikues të vendit të saj, Korçës, vendosi që, bashkë me etnomuzikologun e Universitetit të Milanos, Nicola Scaldaferri, t’i kushtonin një studim të mirëfilltë këngës urbane të Korçës.

I vunë pikërisht këtë titull, duke e përfaqësuar me Spanja Pipën dhe një regjistrim të ri të disa prej këngëve të shkuara që Spanja ka pas kënduar. Sigurisht që njësoj i rëndësishëm ka qenë edhe bashkëpunimi i Josif Mingës, në shtëpinë e të cilit u bënë regjistrimet e reja të këngëve, pa asnjë ndërhyrje të sofistikimeve kompjuterike të sotshme.

e17bf28887a04e7713039bc3ae638d41_XL

Mikaela, si mbërritët te Spanja Pipa? Pse u bë pikërisht ajo përfaqësuesja zanore e studimit “Kënga urbane e Korçës”?

Ky libër është rezultat i punës kërkimore në kuadër të doktoraturës sime për këngët korçare. Projekti synoi drejt një teme që të mos ishte shumë e konsumuar e që të vinte pikërisht nga vendi im. Ideja fillestare nuk ishte për të bërë një studim historik. Mendova të merresha me atë që i ka ndodhur këngës korçare në këto 25 vitet e fundit.

Mirëpo…

Nga kërkimet kuptova që studimet ishin të cunguara dhe sikur shkëputeshin në vitin 1945. Fillova të njihem me ngjarje të reja që i përkisnin periudhës së komunizmit. Pothuajse nuk dihej se ç’kishte ndodhur me këtë zhanër të këngës gjatë kësaj periudhe. Spanjën, sigurisht që e kisha dëgjuar disa herë, në disa regjistrime, mirëpo u njoha më shumë me të e me zërin e saj falë këtij projekti që zuri fill 5 vite më parë. Pikërisht kështu dhe këtu, në këtë kohë, filloi edhe trajtimi e zgjerimi i temës.

Muzikologia Mikaela Minga
Muzikologia Mikaela Minga

Spanja Pipa, si një ndër të paktat femra protagoniste të kësaj tradite, nuk është e njohur kombëtarisht…

Jo, nuk njihet në masë, sepse karriera e saj u përqendrua në Korçë. Ajo ishte shumë e njohur dhe e suksesshme, sidomos në vitet ’50-’60. Më pas, me daljen e artistëve të rinj, me reformat e ndryshme në fushën e artit, filloi të tërhiqej nga skena. Megjithatë, ka vazhduar të këndojë, në festa, situata intime, informale; kënga është pjesë e pandashme e jetës së saj. Edhe sot (sigurisht vitet e një zonje nuk mund t’i themi), performancat e saj muzikore të bëjnë për vete.

Cilat ishin gjërat e para që nuk dinit dhe i mësuat gjatë punës kërkimore për serenatat?

E para gjë që zbulova ishte se nuk kemi të bëjmë thjesht me serenata, pra, me tributin që i bëhet dashurisë poshtë ballkoneve. Në Korçë, ishte më shumë se kaq. Kënga ishte gjithmonë një arsye e mirë për t’i bërë njerëzit bashkë. Duket se është aftësia e këtyre këngëve për t’i mbledhur njerëzit me njëri-tjetrin. Sado që në shumicën e rasteve ato janë këngë të trishta, duke qenë bashkë, ata që i këndonin u jepnin një dimension tjetër.

Është shkruar se Spanja Pipa ka qenë e vetmja këngëtare serenatash?

Jo, Spanja nuk ka kënduar ndonjëherë serenata. Nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e grupeve të djemve që këndonin nën ballkone. Ka qenë aktore dhe këngëtare e Estradës së Korçës dhe ka shkëlqyer, sidomos në komedi, parodi e këngë në vitet ’50 – ’60. Ajo përvetësoi shumë këngë dhe krijoi repertorin e vet, të cilin e ruan edhe sot.

Nuk pretendohet të jetë zhvilluar, por në ç’masë kanë qenë të pranishme serenatat në periudhën e komunizmit?

Nuk janë kënduar me lehtësinë e viteve të para apo kohës së lulëzimit, por në Korçë serenatat janë kënduar gjithmonë. Krahas saj ka pasur edhe autorë që kanë krijuar këngë të cilat, ndonëse nuk këndoheshin në skenë, u bënë shumë të njohura. Ndër ta, shumë të rëndë- sishëm për t’u përmendur janë kompozitori dhe fizarmonicisti Abaz Hajro, apo autori i shumë vargjeve, Aleko Skali.

A ka histori penalizimesh gjatë kësaj periudhe?

Ndodhte që grupe ose persona përfundonin në polici. Për një kohë të gjatë ka pasur nga ata që vazhdonin t’i këndonin. “Djemtë e bonbonerisë”, fjala vjen, që quheshin kështu sepse e kishin shtëpinë sipër një bonbonerie dhe këndonin në tarracën e pallatit.

Duhet të dini që tradita e të kënduarit nuk reshti. Çdo brez kishte protagonistët e vet, që ishin të njohur mes korçarëve. Nuk ka pasur penalizime të bujshme, por kishte në të njëjtën kohë edhe një lloj autocensure nga ana e vetë atyre që i këndonin këto këngë; për të mos u shfaqur, për të bërë muzikë për veten e tyre, jashtë dhe pa i trazuar ato që ishin formatet zyrtare të kohës.

A ishte mundësia për të udhëtuar jashtë e korçarëve arsyeja pse janë pikërisht ata që kanë sjellë këtë lloj kënge në qytet?

Ndikimet janë pa dyshim prej emigrimit dhe lëvizjeve të korçarëve, duke filluar nga fundi i shek. XIX, ende pa u vendosur kufijtë nacionalë dhe ndarjet kulturore që ata imponuan, shpesh në mënyrë jo fort të drejtë. Diaspora shqiptare ka gjithashtu rolin e vet, diaspora në Bukuresht dhe ajo e Amerikës janë më të rëndësishmet.

Thoma Nassi, fjala vjen, drejtuesi i bandës “Vatra”, që erdhi nga Amerika dhe u vendos në Korçë, ka kompozuar gjithashtu disa këngë që tashmë bëjnë pjesë në repertorin e Korçës. Po aq e rëndësishme është kultura muzikore e Greqisë, me traditën e kantadhave. Pra, duke udhëtuar e duke ndaluar nëpër vende të huaja, njerëzit kanë fiksuar melodi, motive, që i kanë sjellë e përcjellë në Korçë.

Gjeografia e këngës është e gjerë, por kjo këngë nuk do kishte këtë vlerë nëse nuk do ishte dëshira e korçarëve për ta bërë të tyre, për t’u shprehur nëpërmjet saj.

Megjithëse në italisht, ju e keni promovuar pak ditë më parë librin në Korçë, aty ku edhe lindi. A mendoni ta sillni në shqip?

Është në plan, megjithëse besoj se duhet njëfarë qasje pak më ndryshe. Libri i drejtohet lexuesit italian, i cili nuk e njihte fare një traditë të tillë. Ndërkohë, për lexuesin dhe dëgjuesin shqiptar do të duhej një paraqitje tjetër. Pavarësisht gjuhës italiane, për mua kishte rëndësi që në prezantimin që i bëmë në Korçë të shpjegoja natyrën e punës sonë: d.m.th., ky është një vëllim që ndërthur disa formate komunikimi: materialin muzikor që ne regjistruam, tekstin bashkëngjitur dhe fotografitë që e shoqërojnë.

Krijohet kështu një pamje e plotë për atë që e merr në dorë. Projekti nënkuptonte një punë dokumentimi të këtij repertori dhe njëkohësisht të realizimit të një performance muzikore të kuruar nga ana estetike.

Thatë në fillim se u nisët për të studiuar gjendjen e këngës korçare në 25 vitet e fundit. Meqenëse rrugës mësuat edhe historikun e saj në komunizëm apo edhe më parë, a mund të na tregoni disa ndryshime. Si është sot gjendja e serenatave, a krijohen më të reja?

Historia e kësaj kënge në 25 vitet e fundit ka ndryshuar shumë dhe në fakt nuk kishte si të ndodhte ndryshe, sepse edhe kushtet e muzikëbërjes në Shqipëri kanë ndryshuar katërcipërisht. Ajo interpretohet gjerësisht, kryesisht në formate komerciale. Nuk mund të themi se ka prurje të reja, gjë që besoj se lidhet edhe me rrethanat e jetës së njeriut.

Në epokën e internetit dhe “smartphone”-it, nuk para e përfytyroj një djalë të ri, apo edhe një vajzë, të marrë kitarën dhe të shkojë poshtë dritares për të kënduar. Por asnjëherë nuk i dihet!

(*Pupe, nga frëngjishtja, kukull. Pjesë nga teksti origjinal i 1930, të Neço Mukos)

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura