Mulliqi: Shumë po më frigon e nesërmja, por do bahet ma mirë

Apr 7, 2011 | 11:05
SHPËRNDAJE
Piktori kosovar Muslim Mulliqi

“Nën dritën e diellit ngjyrat duken më bukur”. Kështu thoshte vite më parë piktori kosovar Muslim Mulliqi, i cili ndoshta nuk e kuptonte dot se si i biri, Visari, ndryshe nga ai preferonte të punonte natën.Ndoshta kjo është arsyeja pse tablotë e tij shpërthejnë ca ngjyra plot jetë, gati-gati të harruara. Një jeshile e ndezur bari të harlisur, një e verdhë diellore, portokalli, e kuqe…, të cilat marrin një tjetër shkëlqim, kur ndriçohen nga dritat e sallës së ekspozimit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Theksohen më mirë penelatat, tonalitetet dhe përvijohen qartazi peizazhet, portretet, kullat, stuhitë, të shpëtuarit… Ekspozita “MUSLIM MULLIQI: Vepra 1970 – 1990” u hap mbrëmë në GKA, nën prezencën e Ministrit të Kulturës së Kosovës, Memli Krasniqi, Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, por edhe të bashkëshortes e birit të piktorit. Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 30 prill, është një nga ato ngjarje, të cilat të edukojnë me shijen e mirë për artin. I ndodhur në Tiranë për ekspozitën e të atit, Visar Mulliqi tregon se si erdhën këto punë në kryeqytetin shqiptar në vitin 1993, përse mbetën këtu, por edhe të tjera detaje mbi punën e të atit, si krijonte ai, temat që e frymëzonin.

E njëjta ekspozitë, në kontekste dhe kohë të ndryshme… Si ju duket?
Punët e kësaj ekspozite ndodhen në Tiranë prej vitit 1993. Ato erdhën atëherë me rastin e Javës së Kulturës Kosovare dhe pastaj, për arsye procedurale nuk u kthyen pas. Prej asaj kohe ato kanë ndenjur në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku janë ruajtur, por nuk janë ekspozuar më. Kanë qenë të mbyllura në mënyrë hermetike dhe pas kaq vitesh i rikthehen publikut. Ishte një ide e Galerisë Kombëtare të Arteve, që ato të ekspozoheshin sërish. Ky është një rast që duhet shfrytëzuar për të kthyer punët në vendin e tyre, atje ku i takon, në Prishtinë. Shumë shpejt, në bashkëpunim me ministrinë tonë do të hapet edhe muze-galeria “Muslim Mulliqi”.
Do të jetë një qendër artistike. Do të jetë galeria, ku herë pas here do të ekspozohen punët. Kurse kati i parë, atelieja e Muslim Mulliqit do të kthehet në një muze. Aty do të jenë të gjitha mjetet e punës së tij që tek penelat, ngjyrat, kavaleta, karrigia, tavolina.
Si është pritur kjo ekspozitë në ’93-shin në Tiranë?
Sa kisha mbaruar fakultetin kur u hap kjo ekspozitë. Isha një lloj organizatori i saj dhe për mua ishte shumë e rëndësishme. Atëherë në Tiranë u prit si shpërthimi i një bombe të fuqishme. Këtu nuk ishin mësuar me një lloj ekspresionizmi aq të fuqishëm. Të sapodalë nga diktatura, publiku shqiptar pyeste i habitur: U pikturoka, edhe kështu?
Duke u mbështetur tek tematika, duket se punët e kësaj ekspozite janë shkëputur nga disa cikle, më konkretisht nga cilat?
Aty janë pjesë nga disa cikle. Disa janë më të hershme. Pikturat ku sundon ngjyra e kuqe janë pjesë e një cikli, i cili në vete ka tri linja, që janë bazuar më së shumti në Rrafshin e Dukagjinit. Është peizazhi, kullat, të cilat janë me shumicë në Dukagjin dhe femrat, të cilat Myslim Mulliqi i quante “gracie”. Sipas tij, shtylla e familjes gjithnjë ka qenë femra, e cila ka punuar tokën, por edhe ka ushqyer e mbathur fëmijët. Ajo ishte burrnesha (ndonëse mua nuk më pëlqen shumë kjo fjalë).
Ndër të tjera janë ekspozuar dhe një grup punësh të titulluara “Vorbull”, mos vallë kur i ka krijuar ato ka qenë i nxitur nga situata që po përjetonte Kosova në vitet ’80-’90?
Kjo është e vërtetë. Gjatë viteve ’80, gjatë kohës së demonstratave në Kosovë ka realizuar një linjë, ku i paraqet këto demonstrata, jo në mënyrë primitive, por duke shprehur më së shumti anën shpirtërore të njerëzve, ankthet e tyre. Babai vdiq para luftës dhe nuk mësoi ç’ndodhi në Kosovë, por në një intervistë që ka dhënë këtu në Tiranë në vitin 1997, besoj, ka thënë: “Shumë po më frigon e nesërmja, sepse ka pas qenë një periudhë e vështirë për na shqiptarët, por kam nji shpresë që shumë shpejt do t’bahet ma mirë”.
Mos ndoshta tabloja “Kompozim”, e cila të duket si barka e Noes e dalë në breg, ishte një lloj parashikimi?
Në njëfarë mënyre, e ka parashikuar. Edhe në peizazhe kishte një lloj të murrmeje, që sikur paralajmëronte se do të kishte diçka që nuk do të shkonte mirë, por gjithashtu është edhe shpresa, të cilën ai e shpreh me ngjyra më të ndezura.
Dhe në të vërtetë tek pikturat e tij gjen ca ngjyra, të cilat në njëfarë mënyre janë “harruar” nga piktorët…
Në punët e Muslim Mulliqit janë karakteristikë koloriti i fuqishëm dhe struktura. Janë vepra të dimensioneve të mëdha. Unë jam vetë mësimdhënës dhe e di fare mirë se sa e vështirë është të realizosh vepra të tilla. Forma dhe përmbajtja ishin të rëndësishme në veprat e tij. Por ai nuk dëshironte që tema të sundonte mbi artin.
Megjithatë këto janë vetëm një pjesë e punëve të tij…
Këto punime janë realizuar prej viteve ’70 në fund të ’80-ës. Kjo ekspozitë ka qenë në Zagreb në vitin 1991, në një galeri shumë të rëndësishme atje, të quajtur “Forum” dhe më pas ka ardhur në Tiranë. Ka qenë një ekspozitë lëvizëse, që babai dëshironte ta shëtiste në disa qendra, por mbetën këtu dhe unë do të thosha fatmirësisht, sepse po të kishin mbetur në Prishtinë, kush e di se cili do të kishte qenë fati i tyre. Shtëpitë tona kanë qenë nga 3 muaj të pabanuara dhe gjithkush mund të hynte aty. Megjithatë nuk humbëm gjë aso kohe. Zoti e di se si.
Na tregoni pak, si punonte, cili ishte laboratori i tij krijues?
Ne punonim në të njëjtën atelie. Unë kisha një kënd timin. Babai punonte ditën, kurse unë si çdo i ri, punoja natën. Dëshironte të punonte ditën, sepse në studio kishim një dritare të madhe me xhama e thoshte që “nën dritën e diellin i shoh më mirë ngjyrat”. I kthehej nga shumë herë punëve. Atëherë kur mendoje se një punë ishte kryer, ai shihte që diçka mungonte dhe i kthehej edhe një herë. Shumë punime në Prishtinë i ka të panënshkruara, ndonëse janë ekspozuar. Sipas tij, nëse nënshkruhej, kishte mbaruar punimi. Dhe i ka lënë të panënshkruara, sikur ka dashur të thotë: Unë do të kthehem prapë. Kohën e fundit të jetës punonte shumë. Si duket, u lodh nga situata e asaj kohe. U mbyll në shtëpi, vetëm punonte, që të mos shihte se çfarë po ndodhte dhe të mos merrej me politikën, ose më mirë me situatën, se aso kohe nuk kishte politikë.
Punonit në të njëjtën atelie, si ishte raporti juaj me të? Ishte kritik i ashpër?
Jo, jo. Mendonte se në lidhje me mua ishte shumë subjektiv dhe kishte frikë se më thoshte ndonjë fjalë që nuk donte të ma thoshte, kështu që më linte të lirë.
Kanë mbetur punë të paekspozuara?
Nuk besoj që ka ndonjë punë të pa ekspozuar, përveç vizatimeve që janë të shumta dhe nuk i kemi ekspozuar. Sa i përket pikturave, mendoj se deri më tani janë ekspozuar 90% e tyre. Por me hapjen e muzeut do të ketë ekspozime permanente. Por do të ketë edhe ndryshime. Herë pas here do të rifreskohet me punë nga fondi.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura