“Mos e lejoni të ndodhë”, Trump bën paralajmërimin e fortë për Rusinë dhe Iranin

Sep 4, 2018 | 9:02
SHPËRNDAJE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, dhe aleatët e tij, Iranin dhe Rusinë, kundër “sulmeve të pamatura” në provincën Idlib, bastionin e fundit të rebelëve.

trump

“Rusët dhe iranianët do të bënin një gabim të rëndë humanitar nëse marrin pjesë në këtë tragjedi të mundshme njerëzore. Qindra mijëra njerëz mund të vriten. Mos lejoni që kjo të ndodhë”, tha Trump në një postim në Twitter.

Siria është duke u përgatitur për një sulm të madh në provincën Idlib që kufizohet me Turqinë dhe që është enklava e fundit e madhe e mbajtur nga kryengritësit që luftojnë Asadin dhe forcat ruse dhe iraniane. Këto të fundit kanë luajtur një rol të madh në mbështetjen e Assadit, gjatë luftës në Siri.

Mijëra trupa qeveritare dhe luftëtarë aleatë janë vendosur në zonat që rrethojnë provincën.

Në Idlib jetojnë rreth tre milionë civilë dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 800,000 njerëz mund të detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre nga ndonjë ofensivë e madhe e Qeverisë. Lufta, e cila ka nisur qysh në vitin 2011, ka vrarë tashmë më shumë se 400,000 njerëz në Siri dhe ka zhvendosur miliona.

Përderisa ka shenja për një sulm të afërt në Idlib, Uashingtoni paralajmëroi kundër taktikave brutale.

“Të gjithë sytë janë mbi veprimet e Assadit, Rusisë dhe Iranit në Idlib. Jo armë kimike”, tha ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, në një postim në Twitter, pak minuta pas Trumpit.

Ata i bënë komentet pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Muhammed Javad Zarif, kërkoi që Idlibi “të pastrohet” nga militantët.

“Për të nisur procesin e paqes, kthimin e refugjatëve dhe fazën e rindërtimit të Sirisë, terroristët e mbetur në disa pjesë të Idlibit duhet të pastrohen”, tha Zarif gjatë një vizite në Damask.

Irani, Rusia, Siria shpesh i përshkruajnë kundërshtarët e tyre të armatosur si “terroristë”.

Në rastin e Idlibit, rreth 10,000 luftëtarë të grupit Hayat Tahrir al-Sham, të lidhur me Al Kaidën, besohet të jenë forcë dominuese në mesin e rebelëve në provincë. Ushtria ruse ka bërë një dallim midis këtyre forcave dhe, siç ka thënë, grupeve më të moderuara “të opozitës” që janë aleate me Turqinë – partnerin e saj negociues.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS citoi zëvendësministrin e jashtëm rus, Oleg Syromolotov, të ketë thënë se “askush nuk dëshiron armiqësi aktive që mund të vrasin civilë” në Idlib dhe se “po bëhen përpjekje për të gjetur një zgjidhje, para së gjithash, për të ndarë opozitën nga Hayat Tahrir al-Shami”.

“Kjo është ndoshta gjëja kryesore. Nëse bëhet, zgjidhja do të gjendet”, tha ai.

Turqia, përpara sulmit në Idlib, ka shtuar përpjekjet për të negociuar me Rusinë dhe Iranin, për të mbrojtur grupet rebele që i mbështet. Ankaraja gjithashtu ka vendosur disa trupa në provincë si pjesë e një misioni vëzhgues. REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura