Montefiore: Enver Hoxha ishte një Stalin i vogël

Mar 29, 2011 | 11:08
SHPËRNDAJE
Simon Sebag Montefiore, mbrëmë gjatë prezantimit të librave

“Të shkruash të palexueshmen është e thjeshtë, të lexohesh nga të gjithë, është një sfidë”. Kështu u shpreh dje shkrimtari dhe historiani anglez, Simon Sebag Montefiore, i cili ndodhej në Tiranë për të marrë titullin shkencor “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës. Montefiore është një nga historianët më të lexuar të momentit dhe të qenit bestseller, duke shkruar libra joartistikë, është një gjë jo fort e zakonshme.Emri i Montefiores lidhet ngushtësisht me emrin e “carit të kuq”, diktatorit Josif Stalin. Ai është një nga biografët më të mirë të udhëheqësit bolshevik dhe ka botuar dy vepra voluminoze mbi të, “Stalini i ri” dhe “Stalini: Në oborrin e Carit të kuq”. Ka botuar dy libra të tjerë, që lidhen gjithashtu me historinë ruse. Por, së fundmi është larguar nga stepat e gjera për të shkuar në tokën e shenjtë, në Jerusalem. Libri me të njëjtin titull është suksesi i radhës i Montefiores. Duke qenë një nga njohësit e një prej diktatorëve më të egër të shek. XX, i cili konsiderohej si një baba shpirtëror për ish-diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, natyrshëm të lind pyetja nëse historiani gjen paralele mes këtyre figurave. Sipas Montefiores, Enver Hoxha ishte një Stalin në miniaturë, që ka vepruar, duke ndjekur shembullin e diktatorit rus. Historiani u shpreh se është e domosdoshme që të shkruhet edhe biografia e ish-diktatorit shqiptar, duke i bërë një shërbim historisë dhe demokracisë. “Duhet të shohim nga e shkuara dhe të mos kemi frikë të pranojmë gabimet tona”, tha Montefiore. Po dje, shkrimtari dhe historiani anglez promovoi 5 veprat e tij të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të botuara nga shtëpia botuese “55”. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Sali Berisha.
Është e vështirë të jesh historian dhe një autor bestseller njëkohësisht, si ia arrini?
Sfida ime më e madhe ka qenë gjithnjë që të lexohem nga të gjithë. Është e thjeshtë të shkruash të palexueshmen, por të shkruash diçka që ta kuptojnë të gjithë është një sfidë. Kur kam shkruar “Stalinin e ri”, kam djersitur gjak, e kam shkruar dhe rishkruar shumë herë, duke ndjekur dy kritere. Kriteri i parë është që të shkruash të vërtetën edhe çështja të jetë e plotë e kriteri i dytë është që gjithçka të jetë e kuptueshme nga të gjithë. Që të gjithë të ndërgjegjësohen mbi rrezikun që vjen nga totalitarizmi dhe që gabimet e së shkuarës të mos përsëriten në të tashmen.
Teksa keni studiuar jetën e Stalinit dhe jeni njohur edhe me atë të Enver Hoxhës, keni parë ngjashmëri mes tyre?
Në mënyrë absolute, po. Enver Hoxha, në mënyrë të ndërgjegjshme ishte një Stalin i vogël, ai kultivoi zakonet e Stalinit, e adhuroi atë dhe mendoj se shumë nga veprimet dhe krimet e tij të tmerrshme janë kryer sipas mënyrës dhe sjelljes së Stalinit. Gjatë kohës që kam studiuar dhe kam shkruar mbi jetën e Stalinit, kam gjetur shumë ngjashmëri me Shqipërinë dhe shqiptarët e kuptojnë këtë. Këta libra janë shkruar nga njëra anë për studentët, por nga ana tjetër edhe për të qenë të lexueshëm dhe të kuptueshëm për njerëzit e thjeshtë që nuk dinë asgjë mbi këtë histori dhe që janë të interesuar mbi të. Por, çka është më e rëndësishme, misioni im si shkrimtar dhe historian, por dhe si punëtor i njerëzimit dhe i demokracisë është që përmes faktesh të zbuloj të vërtetën, të kthehemi pas në kohë dhe të njohim dritëhijet dhe të keqen në të shkuarën. Po kështu, edhe në Shqipëri e në Rusi, nuk duhet të kemi frikë të themi që kjo ka qenë e gabuar, apo djallëzore. Sepse, pa njohur gabimet dhe krimet e tmerrshme të së kaluarës, është e pamundur të ngresh një shoqëri të qytetëruar dhe një demokraci të vërtetë. Është bukur që Shqipëria po e bën një gjë të tillë, po sheh pas për të gjetur të vërtetën dhe është shumë e rëndësishme për të ardhmen, që të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
E shihni mundësinë e të shkruarit një biografi të ish-diktatorit shqiptar, në të ardhmen?
Më ka tërhequr gjithnjë historia shqiptare, më ka magjepsur jeta e Enver Hoxhës, jeta e tij e jashtëzakonshme, karakteri i tij, krimet e tmerrshme. Them se dikush duhet të shkruajë patjetër historinë, biografinë e tij dhe sundimin e tij në Shqipëri. Nuk mendoj se unë vetë jam i kualifikuar për ta bërë një gjë të tillë, siç e shihni nuk di fare shqip, kështu që nuk mund ta bëj vetë, por do të kisha dashur shumë që të lexoja një libër të tillë, të lexoja përkthimin e një libri të tillë. Besoj se do të gjendet një historian i ri që do ta shkruajë atë, çka do të jetë një shërbim i vërtetë ndaj historisë dhe demokracisë.
Pas 20 vitesh demokraci, në Shqipëri ende ka debate mbi disa periudha të caktuara të historisë sonë, cila është rruga më e mirë për t’u ndjekur nga ana e historianëve?
Historianët mbi gjithçka duhet të thonë të vërtetën, pavarësisht se askush nuk do ta dëgjojë atë, apo edhe nëse hap telashe për të afërmit. Kjo është detyra kryesore e një historiani, aq më tepër në Shqipëri, kur efektet e tiranisë janë kaq të afërta, të freskëta dhe kaq të dhimbshme për ju. Unë i mbështes ata që vazhdojnë të shkruajnë historinë dhe të zbulojnë të vërtetën këtu, dhe këtë e bëjnë seriozisht, pa marrë parasysh asnjë gjë, sepse e vërteta lakuriq është e vetmja rrugë për të shëruar shkatërrimin e së shkuarës. Unë u them shkrimtarëve dhe historianëve shqiptarë, kërkoni në të shkuarën, në jetën e Enver Hoxhës, zbuloni krimet, të vërtetën dhe në të njëjtën kohë festoni të tashmen. Unë mendoj se e vërteta është e mjaftueshme, nuk ka nevojë për gjueti shtrigash. Vetëm e vërteta. Unë ua kërkoj këtë ministrave, pushtetarëve, të rinjve, atyre që po rriten në kohën e internetit, shikoni në të shkuarën tuaj, gjeni të vërtetën dhe merrni mësime prej saj. Të gjitha sistemet që bazohen mbi terrorin dhe gënjeshtrën janë djallëzore.
Veç diktaturës, ç’periudhë tjetër e historisë shqiptare mendon se ia vlen të hulumtohet?
Kam lexuar mbi historinë e Shqipërisë, duke filluar që nga periudha e Skënderbeut, deri tek ajo e diktaturës së Enver Hoxhës. Mendoj se edhe periudha e Zogut është gjithashtu interesante. Unë do t’i hyja më thellë njohjes së saj. Është periudha kur Shqipëria moderne është krijuar.

“Honoris Causa” për shkrimtarin

Pas ekzekutimit të himnit shqiptar, atij anglez dhe himnit të universiteteve, shkrimtari dhe historiani Simon Sebag Montefiore, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i dorëzoi atij titullin “Honoris Causa”. Kule vlerësoi rolin e historianit në zbardhjen e së vërtetës dhe mesazhin që u përcjell brezave për të gjykuar të sotshmen e të shkuarën. Për të folur mbi veprën e Montefiores, referoi shefja e departamentit të historisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë, Ilira Çaushi. Duke parashtruar punën voluminoze që i është dashur të bëjë Montefiore nëpër arkiva, si ato ruse, gjeorgjiane, Çaushi u shpreh se ishte e vështirë për të që të përmblidhte në pak çaste një punë mijëra faqesh. “Vetëm kur lexova jetëshkrimin e tij, e kuptova se si mund të ishte një udhërrëfyes në histori dhe një bestseller njëkohësisht”, tha historiania, duke e bërë me dije të ftuarin mbi vendimin e marrë nga dekanati i Fakultetit, që Montefiore të jetë pedagog i jashtëm i tij. Ndërsa vetë Montefiore u shpreh se ndihej i nderuar që merrte këtë titull në Shqipëri, në këtë vend, të cilit ia njihte historinë dhe dëshirën për të qenë të lirë.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura