Misteret e udhëtimit të zyrtarit të lartë amerikan Mitchell në rajon

Mar 16, 2018 | 13:45
SHPËRNDAJE

mentor nazarko

MENTOR NAZARKO

Turi ballkanik i zyrtarit të lartë amerikan është në disa shtete, e disa të tjera, për synimin e vizitës së tij, veçanërisht në Serbi. Përpara se të kuptohen arsyet e vizitës së tij, duhet, së pari, të kuptojmë se cili është profili politik i Wess Mitchell dhe, së dyti, cilat ishin mesazhet publike që ai u kujdes të përcillte në vizitën e tij të derimëtanishme.

Wess Mitchell është një politikan i ri Republikan në Departamentin Amerikan të Shtetit, si prurje e “think tank”-eve amerikane, që janë marrë me studimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me EUropën, apo me ndikimin rus në EUropë. I njohur për këtë fokus të karrierës së tij të mëparshme si hulumtues, Mitchell, mik i një tjetër analisti, Bugajskit, po ashtu njohës i marrëdhënieve të SHBA-ve me Lindjen ish-komuniste, identifikohet si skifter antirus.

Ai pason në këtë detyrë një tjetër antiruse, Victoria Nulland, një emër i njohur për publikun shqiptar, për shkak të përfshirjes së saj në krizën e krijuar nga opozita.

Mitchell vjen në këtë detyrë me misionin e mirëpërcaktuar, për të kufizuar ndikimin rus në atë që është dhe sfera e veprimit të tij si Ndihmës Sekretar i Shtetit, në të cilën përfshihen 50 vende të Euroazisë, marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe OSBE-së, NATO-s dhe Bashkimit Europian. Të gjitha këto dëshmojnë për një influencë të rëndësishme të shefit të 50 ambasadorëve amerikanë në botë.

Përpos tipologjisë së vendeve që ka zgjedhur të vizitojë në Ballkan, duhet së pari të përmendim dhe një fakt tjetër. Kjo vizitë po ndodh në një moment kur Departamenti Amerikan i Shtetit është përfshirë nga një krizë, e cila kulmoi me largimin e beftë të Tillerson nga detyra e numrit 1 të diplomacisë amerikane në botë, edhe pse mospërputhjet në qëndrime të këtij të fundit me presidentin Trump mbi çështje të ndryshme ishin të ditura dhe publike dhe më herët. Pikërisht, në mes të kësaj “krize” ndodh edhe ky konfirmim i rolit amerikan në Ballkan.

Ky është një moment i rëndësishëm, pasi dëshmon një qasje të diferencuar të Departamentit Amerikan të Shtetit kundrejt Ballkanit, krejt ndryshe nga sa kishte deklaruar më herët Presidenti amerikan Trump gjatë fushatës zgjedhore, i cili pati lënë të kuptohet se SHBA-të do të merren me kriza më të mëdha në botë, duke u tërhequr nga angazhime më pak të rëndësishme, ku bënte pjesë edhe Ballkani.

Vizita e Mitchell konfirmoi vijën tradicionale të DASH për zhvillimet në Ballkan. Një qëndrim që është në vazhdën e asaj çka është ndjekur në politikën e jashtme të administratës Obama, për t’u konfirmuar edhe më fuqishëm nga administrata e re. Diçka e tillë konfirmohet edhe në mesazhet që Mitchell ka dhënë gjatë qëndrimit të tij në Ballkan, të paktën në pjesën e parë të këtij qëndrimi që përfaqë- sonte Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë tregojnë për një rol të ri amerikan.

Duke u fokusuar tanimë te tipologjia e shteteve që Mitchell ka zgjedhur për të vizituar, lihet të kuptohet se përzgjedhja është bërë mes atyre vendeve që reflektojnë minikriza (sipas syrit amerikan) dypalëshe. Kështu, është zgjedhur Kosova me Serbinë, që janë përfshirë në një dialog në Bruksel, që do të duhet të përfundojë, sikurse e ka imponuar dhe BE në fund të këtij viti, maksimumi në vitin tjetër, me një marrëveshje detyruese për të dyja palët. Marrëveshje që do të ndikojë në pranimin reciprok të ekzistencës së tyre si dy shtete, duke hequr në këtë mënyrë edhe pengesat ndaj Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Nisur nga ky kriter, jashtë vizitës janë lënë vende si Mali i Zi dhe Shqipëria, që nuk kanë ndonjë problematikë as në raport me Shtetet e Bashkuara dhe as në raport me fqinjët, në veçanti kur edhe çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë është duke marrë rrugën e zgjidhjes.

Duke u fokusuar te mesazhet që zyrtari i lartë amerikan përcolli, veçanërisht gjatë qëndrimit në Kosovë dhe Serbi. Shtypi la të kuptonte se Mitchell erdhi me një plan 4-pikësh, në të cilin i kërkohej Serbisë që të pranonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në këmbim të merrte kompetenca më të zgjeruara të asosacionit serb në Kosovë, në drejtim të shëndetësisë dhe arsimit. Kur flitet për një shtyp të kontrolluar nga Presidenti Vuçiç, këto lajme duan t’i tregojnë opinionit publik për presionin e madh që po ushtrohet ndaj autoriteteve serbe në lidhje me ato që ai i ka përkufizuar si korniza të bisedimeve me Kosovën.

Në të vërtetë, Mitchell nuk solli një paketë të tillë, por la të kuptohet gjatë njoftimeve për shtyp, ku janë zbardhur për publikun takimet me Thaçin, Haradinajn, Vuçiç dhe Bernabiç se është folur gjatë për bisedimet mes dy vendeve. Ka pasur spekulime se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë ishin një barrë që i ishin lënë Bashkimit Europian. Ardhja me një paketë që do çonte në zgjidhje, linte të kuptonte se amerikanët do të zbrisnin në skenë. Paçka se kjo publikisht nuk u pohua, ajo çka ishte interesante ishte falënderimi i serbëve ndaj amerikanëve për përfshirjen në ecurinë e dialogut.

Ndërkohë, që pak ditë më parë, autoritetet serbe gjatë takimit me ministrin rus të Punëve të Jashtme lanë të kuptohej se nëse amerikanët do të ndërhynin, atëherë ata do të kërkonin përfshirjen e Moskës. Ndërkohë që Mitchell përmendi në Beograd edhe një temë të diskutueshme, atë për krijimin e ushtrisë në Kosovë, duke u shprehur në favor të saj e për rrjedhojë duke u pozicionuar qartësisht në favor të Kosovës, edhe pse jo të gjitha gjërat janë ashtu si duken.

Me gjasë, ndonëse amerikanët në planin publik janë të detyruar në përputhje me rezolutën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara detyrën e negociatës t’ia lënë Bashkimit Europian, ata janë prapa perdeve. SHBA-të koordinohen me Bashkimin Europian dhe në veçanti me Komisioneren Mogherini, duke lënë të kuptohet se ata e kanë ofruar vizionin e tyre për marrëdhëniet e ardhshme Kosovë- Serbi.

Ajo çka u vu re, është se Vuçiç nuk tregoi nervozizmin e tij klasik për porositë që erdhën nga Amerika. Vizitori i tij më i fundit ishte Brian Hoyt Lee, i mbiquajtur “Buldozeri”, që aktualisht pritet të emërohet si ambasador në Shkup. Mitchell, me gjasë, ka qenë i një linje më të ashpër sesa Lee në këtë drejtim. Amerikanët dukshëm po përpiqen për të vënë një ekuilibër mes Kosovës dhe Serbisë, në dukje për të favorizuar Kosovën. Duhet sjellë në vëmendje se vizita e Mitchell vjen në kohën kur besohej se kishte një ngrirje edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak të Gjykatës Speciale, për të cilën në dhjetor të 2017-s udhëheqësit kosovarë u duk se tentuan të kalonin një ligj që shfuqizonte veprimet e Gjykatës Speciale mbi ta.

Ardhja e Mitchell inkurajon Kosovën për të hyrë në bisedime me Serbinë, paksa më e fortë, jo vetëm në planin diplomatik. Kjo pasi në raport me Shtetet e Bashkuara, Kosova ka dhe një marrëdhënie ekonomike, që lidhet kryesisht me TEC-in, për të cilën duket se është folur edhe në bisedimet e zyrtarit të lartë amerikan me autoritetet kosovare, edhe pse fokusi i takimeve kanë qenë bisedimet me Serbinë.

Ndonëse amerikanët nuk erdhën me një paketë të mirëfilltë, sërish ata kanë bërë të qartë kornizat e bisedimeve në funksion të ruajtjes së ekuilibrave në rajon. Në këtë pikë vlen të përmendet edhe vizita në Greqi dhe në Qipro. Duket se Mitchell ka dashur të qetësojë Greqinë edhe Qipron, të përfshira në një krizë me Turqinë në lidhje me kërkimet për naftë.

Në një kuptim formal duhet evidentuar fakti se angazhimi amerikan në Ballkan nuk ka marrë atë formë që pritej dhe që ishte përmendur edhe nga kongresmeni Engel, i cili pati kërkuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në negociata, por sërish edhe në këtë jo qartësisht të shprehur, ky angazhim amerikan është i mirëpritur.

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura