Mirditë, në rrezik fortesa e sekretarit të Markagjonit

May 3, 2015 | 17:05
SHPËRNDAJE

Është unike në llojin e saj dhe e vetmja në Shqipëri e Kosovë, duke mbartur një histori qindravjeçare, por mungesa e vëmendjes ka bërë që ajo të degradojë. 

Fortesa monument kulture në Mirditë që rrezikon shembjen

Bëhet fjalë për kullën ku ka jetuar intelektuali dhe patrioti i madh i Mirditës, Zef Ndoc Ndreca, i cili ishte sekretari personal i kapedanit të Mirditës, Gjon Markagjonit. Banesa e tij ndodhet në Kodër Spaç dhe është e shpallur monument kulture që mbrohet nga shteti, por kjo nuk i ka shqetësuar organet kompetente, të cilat e kanë lënë në mëshirë të fatit. Kjo banesë është 450-vjeçare dhe është më e vjetra në territorin e veriut të vendit tonë dhe Kosovës që i ka rezistuar kohës, duke konservuar të gjithë elementet e saj arkitektonikë.

Muret janë plasaritur në shumë pjesë, duke rrezikuar shembjen nga çasti në çast. Teksa tregon historikun e kësaj banese nipi i Zef Ndoc Ndrecës thotë se gjatë gjithë këtyre viteve askush nga pushtetarët nuk ka shkuar për ta parë këtë monument kulture, duke e lënë në harresë të plotë emrin e gjyshit të tij.

“Kjo kullë ka ditëlindjen e stërgjyshit tim dhe ka ndërtuar këtë kullë këtu dhe shtëpinë përdhese. Ajo është e shpallur monument kulture dhe tashmë nuk është në gjendje të mirë. Duhet ndërhyrë sa më parë, pasi ka nevojë për një restaurim total. Gjatë gjithë këtyre viteve askush nuk ka ardhur për ta parë gjendjen e këtij monumenti kulture. Unë mendoj se është shumë e nevojshme që shteti ta kthejë vëmendjen te ky monument i rëndësishëm kulture për të lartësuar emrin e Zef Ndoc Ndrecës, të cilin e kanë lënë në harresë të plotë”, thotë Zefi.

Përgjegjësi i Kulturës Kombëtare në Qarkun e Lezhës, Paulin Zefi, i cili inspektoi këtë monument kulture, ka bërë të ditur se ndërhyrja për restaurimin e kësaj kulle është emergjente dhe për këtë do t’i drejtohet Ministrisë së Kulturës, por edhe donatorëve privatë. “Jemi në fshatin Kodër Spaç në zemër të Mirditës dhe ndodhemi para një kulle që është më shumë një fortifikatë. Përveçse i bën jehonë këtij njeriu të madh siç është Zef Ndoc Ndreca, kjo kullë ka 4 shekuj e gjysmë histori. Ajo ka nevojë për ndërhyrje sa më emergjente, pasi kanë nisur shkarjet dhe plasaritjet. Nëse nuk restaurohet dhe të konservohet, rrezikon seriozisht shembjen”, bën apel përgjegjësi i Kulturës.

Sipas tij është e nevojshme që të promovohet kulla, me qëllim të bëhet e vizitueshme dhe të ketë turistë e gjithë zona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura