Mirdita, veç Rrugës së Kombit, të tjerat si rrugë kooperative!?

Feb 14, 2024 | 7:50
SHPËRNDAJE

ndue-dedaj1NDUE DEDAJ

Nuk ka asgjë sensasionale në këtë titull shkrimi, kjo është e vërteta, ndryshe nga rrethet e tjera fqinje. Nuk ia ka kush me inat Mirditës, por si duket atje në qeveri i bihet për shkurt: “Ju keni Rrugën e Kombit, prapë doni rrugë”? Kjo rrugë e rëndësishme kombëtare e përshkon Mirditën në rreth 70 km, nga Miloti deri te tuneli i Thirrës/Kalimashit, por matanë saj asgjë e re! Janë thuajse të papërfillshme disa kilometra asfalt në Domgjon, Sheshaj, Mashtërkor etj.. Panorama bëhet dhe më e trishtë nga ndërtimi i rrugëve pa standarde dhe parametra teknikë, ku rruga Rrëshen-PerlatBurrel ka shkuar në gjendje kritike, gjithë gropa e shembje, si të jetë bombarduar.

Ashtu si rruga e Bukmirës, që është dëmtuar gjithandej dhe bllokohet vazhdimisht nga shirat. Paradoksi është se dhe vetë Rruga e Kombit ka ndonjë defekt të parregulluar, siç është hyrja në Rubik nga ana veriore e qytetit, për çka dhe është protestuar nga qytetarët. Por kjo do të ishte një temë tjetër. Për ata që e njohin nga afër terrenin e hapur të Bashkisë Mirditë, sot për sot janë vetëm rrugët e kooperativave dhe minierave të bakrit për të shkuar në qendrat kryesore të kësaj bashkie apo rrethi, edhe pse disa nga ato mbartin vlera të rralla historike, muzeale dhe turistike. Kështu, nuk ka asnjë metër asfalt që të çon drejt ish-burgut të Spaçit, ku dyndën vazhdimisht turistë, edhe pse ky objekt nuk është as dhjetë kilometra nga Rruga e Kombit.

Kanë qenë atje dy presidentë të republikës, kryeministri aktual, ministra, kryebashkiakë, ambasadorë, por askush nuk i ka bërë ato pak kilometra asfalt, le pastaj sikur të shtoheshin dhe pesë (jo pesëdhjetë) kilometra të tjerë për t’u ngjitur në një nga pikat më turistike të vendit në Munellë, ku veç kullave tradicionale mikpritëse ka dhe ndonjë bujtinë turistike. (Ndërkohë minerali i atyre anëve vazhdon të nxirret nga nëntoka nga kompani turke, pa prodhuar për banorët asnjë metër asfalt dhe asgjë tjetër komunitare.) Po ashtu, vetëm përmes rrugës së dikurshme të kooperativës mund të shkohet në zemër të Mirditës në Orosh, tek Abacia e famshme, Sarajet e Kapidanit dhe në Malin e Shenjtë, tri vlera historike, religjioze, etnokulturore unikale të Shqipërisë, pa folur për mundësisë e jashtëzakonshme të turizmit që afron kjo zone, me Nënshejtin, Fushat e Lugjeve etj. Nëse nuk do të kishte dështuar, projekti i njëqind fshatrave, me siguri që rruga për në Orosh do të ishte bërë dhe do të kishim një problem infrastrukturor më pak.

Ka njerëz të ardhur nga emigracioni që duan të investojnë atje, por me të drejtë i druhen rrugës. Edhe për në Kurbnesh (Selitë) rruga është ajo e para shtatëdhjetë vjetëve, kur qe hapur miniera e bakrit, edhe pse në kohën e sotme do të mjaftonte pika kurative “Kroi i Bardhë” për ta bërë këtë rrugë, pasi çdo verë kthehet në një qytezë pushuesish të panumërt nga i gjithë vendi. Pritej që Selita të bëhej me asfalt nga ndërtimi rrugës së Lurës, por siç është bërë me dije, ajo po ecën me ritme mjaft të ngadalshme, në mos punimet janë ndërprerë. Përmendëm vetëm tri rrugë kryesore që kanë të bëjnë me ekzistencën e komunitetit mirditor, teksa e njëjtë është gjendja dhe në rrugët e Velës, Kaçinarit, Malajt, Xhuxhës etj., që janë gjithsesi ato të kooperativave të dikurshme.

Dihet që qeveria nuk mund të asfaltojë të gjitha rrugët e fshatrave të Mirditës dhe as të rretheve të tjera, ama në akset kryesore duhet vënë dorë sa më parë, sa nuk ka ikur prej andej dhe banori i fundit. Lezha, hap pas hapi, e ka çuar asfaltin deri në Ungrej, njësia administrative më e largët dhe më malore e saj. Puka e ka çuar rrugën deri në Iballe, siç nga Gjegjani është lidhur me Rrugën e Kombit. Kurse Mirditën me sa duket e ka marrë “mallkimi” i Rrugës së Kombit” (“Ju keni atë… nuk ju mjafton?”), në vend që ky të ishte një argument më shumë për t’u shtrirë në të dy anët e saj me investime. (Larg qoftë, të mendohet, se ju mirditorët, me që votuat djathtas, ia kërkoni rrugët “Foltores”!?…)

E para, Rruga e Kombit, nga vetë emri, nuk ishte vetëm për Mirditën, nuk mundej që ajo të “ndalonte” të gjitha rrugët e tjera që duheshin bërë. E dyta, dëgjohet rëndom në zyrat ministrore të kryeqytetit, se nuk bëjmë rrugë atje ku nuk ka njerëz!? Sigurisht që vendet e populluara kanë përparësi, si bregdeti apo zona fushore, po kjo nuk do të thotë se malësitë do të mbeten si në mesjetë. Se është turizmi, një industri e re, që po troket.

Ah, nëse gjykohet ngushtë, se atje nuk kemi votues, ky është një problem i liderëve të votave, që nuk shohin përtej hundës partiake. Rrugët e sotme, më së shumti nuk janë më rrugë minierash që mbyllën diku, por janë rrugë rajonale, pasi lidhën trevat, rrethet, bashkitë me njëra-tjetrën. Nuk është e rastit që rruga e Lurës lidhet nga të dyja anët, si nga Mirdita, ashtu dhe nga Dibra.

Nga ana tjetër, dihet që rrugët nuk i bëjnë bashkitë, paçka inventarit të rrugëve rurale dhe mirëmbajtjes që iu përket atyre, si dhe kontributit që duhet të japin për projekte, lobim etj.. Asnjë bashki nuk ka mundësi të bëjë vetë rrugë, as e Shkodrës, apo e Korçës, rrugët i bën qeveria. Fondi Shqiptar i Zhvillimit është partner i qeverisë. Kreu i kësaj të fundit i ka porositur drejtuesit dhe deputetët e PS të dalin në terren, në funksion të mandatit të katërt, siç është shprehur ai. Ata, me këtë rast, mbase do të mbajnë shënim dhe këto mungesa të mëdha, siç janë rrugët e zonave malore, veçmas ato të Mirditës. Turizmi me të drejtë është përparësi e qeverisë, por ai është dhe malor e mbase ky do të jetë dhe “fati” i këtyre maleve.

Nuk besojmë se ato do të shërbejnë vetëm për turizmin e aventurës!? Nuk duam aspak ta teprojmë me të veçantën e trevës, por ashtu si vendet e tjera kanë vlerat e tyre unikale autentike, në rastin e Mirditës të tilla janë disa që u përmendën më sipër (Mali i Shenjtit, Abacia e Oroshit, Kullat e Gjomarkajve, ish-burgu i Spaçit si muze i kujtesës, Kroi i Bardhë), por dhe Ujësjellësi i Domgjonit, apo shkolla e Velës e shekullit XVII etj., si një ndër të parat shkolla shqipe të vendit, çka e bën edhe më të domosdoshëm investimin në rrugë, që të mos i humbasim, por t’i rivitalizojmë këto vlera të trashëgimisë. Jo pak nga banorët e ikur kanë filluar t’i rikonstruktojnë kullat e tyre, ndërsa shteti nuk ndihet sa u përket “kullave” të veta, që janë monumentet e kulturës të natyrave dhe kategorive të ndryshme. Mirdita, sa ç’është e mirditorëve, e bashkisë, qeverisë, është dhe e miqve tanë të huaj, që veç pasaportën kanë të tillë, të cilët kontribuojnë prej tridhjetë vitesh, duke shkelur rrugë e pa rrugë në malet tona, si zonja Marianne Graf, konsull nderi dhe presidente e “Albania-Austria Partnerschaft”, që aktualisht po investon në Trangë të Selitës jo për vete, por për komunitetin dhe turizmin, siç ka bërë më parë në Velë dhe në Spaç, përfshi dhe duke vënë tumbina betoni në rrugët rurale.

Ajo, në nëntor 2023, i është drejtuar me anë të një letre të hapur qeverisë shqiptare, posaçërisht kryeministrit Rama dhe zv.kryeministres Balluku për rrugën Rrëshen-Urakë, ku shkruan se “kjo rrugë e rëndësishme në Shqipërinë Veri-Qendrore, nuk ka nevojë për një plan urbanistik të ri, as tunel, as nënkalime apo mbikalime, thjesht përforcim i nënstrukturës dhe rinovim serioz i sipërfaqeve të asfaltit. Ju kërkoj që ta shikoni këtë çështje. Gjendja e rrugëve është e papranueshme, një fyerje për vendësit dhe turistët – një kartë e padenjë për Shqipërinë”.

Nuk dimë nëse zonja e nderuar ka marrë ndonjë përgjigje, ama dihet se përgjigja më e mirë për banorët, bizneset e zonës dhe donatorët e huaj do të ishte marrja në dorë e kësaj rrugë një orë e më parë, aq më tepër që ajo është kusht për lidhjen e rrugës së Lurës me Rrugën e Kombit, ashtu siç segmenti tjetër, Urakë-Burrel, është kusht për lidhjen e rrugës së “shtatë liqeneve” me Rrugën e Arbrit. Në dhjetë vjet qeveria ka investuar shumë në qendrat urbane, sa Rrësheni është bërë “kukull”, si i thonë fjalës, duke iu shtuar dhe një lagje e re e rindërtimit.

Mirëpo çfarë kuptimi do të kishte “luksi” urban pa rrugët që sjellin zhvillim, pa qendrat e ndryshme të prodhimit bujqësor e industrial, që sjellin punësim, pa qendra kulturore etj.. Njerëzit nuk rrojnë dot duke soditur fasadat e bukura… Bëni rrugët e malësive, zotërinj qeveritarë, ndonëse mjaft vonë dhe atëherë nuk keni nevojë të mbani fjalime për braktisjen, shpërnguljen etj., se banorët ikin për një jetë më të mirë etj.. Njerëzit pastaj e gjejnë vetë “rrugën” e kthimit për në trojet e tyre, si kudo në Europën bashkëkohore, që nuk ka vetëm qytete, por dhe male të zhvilluara…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura